Së fundmi Kosova është pranuar në Shoqatën Europiane të Euromelanomës.
Qëllimi i Euromelanomës është të promovojë dhe shpërndajë informacion mbi parandalimin e kancerit të lëkurës, diagnozës së hershme dhe trajtimit, përmes fushatave ndërgjegjësuese të përvjetshme. Euromelanoma funksionon me përkushtimin e një rrjeti dermatologësh europianë të cilët zemërgjërësisht i dedikojnë kohën e tyre kësaj kauze.
Aktivitetet e kësaj shoqate kanë në fokus vëmendjen e tre aktorëve kryesorë: publikut të gjërë, komunitetit shkencor dhe politikbërësve europianë dhe kombëtarë.
Që prej ditës së themelimit në 1999 nga gjashtë dermatologë (T. Maselis, M. van Daele, C. Pirard, V. del Marmol, B. Richert, dhe K. de Boulle) Euromelanoma është përhapur në mënyrë të shpejtë në kontinent në 38 shtete dhe sot është aktive edhe në Kosovë si shtet anëtar i kesaj i shoqate, me pergjegjësi dhe të drejta të barabarta.
Përfaqësuesja e Euromelanomës në Kosovë Ass. Dr. Sidita Sopjani- dermatovenerologe në QKUK raporton se fushata sensibilizuese e përvjetshme që përkon me muajin maj- muajin e luftës kundër kancerit të lëkurës tashmë ka filluar me një sërë aktivitetesh të planifikuara. Për informacione të detajuara ftoheni të lexoni në gjuhën shqipe në website-in e Euromelanomës duke klikuar mbi flamurin e Kosovës.
Nesër me datë 12.05.2022, në ora 10.30-13.00 në sheshin Zahir Pajaziti, Prishtinë ne kuadër të kësaj fushate sensibilizuese do të ofrohet këshillim dhe konsulta falas për popullatën.