Historia, feja, politika, shteti dhe pavarësitë e kurdëve.
Kurdët janë një popull, një etni e përafërt me persët (iranianët). Historikisht kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në një territor të gjerë gjeografik në Lindje të Mesme dhe përtej në Lindje. Ky regjion i tyre fillon nga malet e Torosit e deri tek malet Zagros në Iran, pastaj në jug-lindje të Turqisë, e më poshtë, në atë që dikur njihej si Mesopotamia. Kah veriu, territori i pretenduar i kurdëve përfshinë një pjesë të madhe edhe të Armenisë së sotshme.
Shkruan: Dr. Mustafë Bajrami
Për kurdët thuhet se janë aty mes 25-30 milion banorë. Sot jetojnë kryesisht në regjionet malore të Turqisë, Irakut, Sirisë, Iranit dhe Armenisë. Edhe pse përbëjnë grupin e katërt etnik më të madh në Lindje të Mesme, ata kurrë nuk arritën të krijojnë një shtet të pavarur. Rrallë herë ka ndodhur në histori që një popull kaq shumë në numër e të shtrirë në hapësirë gjeografike kaq të madhe, të mos ketë arritë të krijojë shtet të vetin të pavarur. Shikuar nga një prizmë tjetër, historia e tyre e dhimbshme është e ngjashme me historinë e popujve tjerë të Lindjes së Mesme.
Edhe pse kurdët janë një popull heterogjen, në bazë të hulumtimeve atropologjike ata rangohen si kategori iraniane. Megjithë atë, populli kurd dallon për nga pamja e jashtme me popujt tjerët të Iranit. Nëpër libra të historisë shkruhet se dikur një fis i quajtur “Kardu” paskësh lëvizur nga lindja e Iranit në drejtim të perëndimit. Ai fis ishte ndalë në rrafshnaltat e maleve të Zagrosit dhe aty vendoset. Nga ajo kohë e deri më sot, kurdët janë banorët autoktonë të atyre trevave.
Në aspektin etimologjik, fjala “Kurd”, është fjalë shumë e vjetër që daton nga koha e sumerëve 5 mijë vjet p.e.s. Mbase, “Kurd”-i përmendet në libra të historisë që flasin edhe për Nuhin a.s. Tek sumerët, fjala “Karda” që është përdorur si emërtim i popullit kurd, nënkupton atë që në gjuhën turke quhet “Mali me borë”. Më vonë, kurdët janë quajtur edhe “Akkad”, që donë të thotë “Hero”. Një mijë vjet më vonë, asiritët fjalën “Kardu” e përdorin për kurdët, e që e ka kuptimin e “Heroit”, apo, “Njeriut të fortë”.
Sipas disa studimeve që i janë bërë historisë së tyre, kurdët ishin të njohur edhe për helenasit. Ksenofani, nxënësi i Sokratit, ishte i pari filozof helen që shkroi për kurdët. Në vitin 401 p.e.s. ai përmend fjalën “Kardaka” si emërtim i një populli që kishte jetuar në territorin të cilin sot kurdët e konsiderojnë për atdhe të tyre. Ksenofani nënvizon se ky popull ishte trim dhe jetonte nëpër male të larta.
Para se të pranojnë Islamin, kurdët i takonin fesë zoroastre. Kur ushtria muslimane pushton Persinë, shkatërron Perandorinë Kurdo-Persiane, dhe nga ajo kohë, sikur edhe iranianët, kurdët pranojnë fenë islame në shumicë dërmuese. Më vonë do t’i takojnë medhhebit sunnit, ndërsa pjesa tjetër e popullatës së asaj perandorie, iranianët, pra, do të krijojnë atë që më vonë quhet shiizëm.
Është interesant të përmendim faktin, se, me gjithë që persët (iranianët) pranuan Islamin, ata, përkundër kurdëve, asnjëherë nuk pranuan në tërësi kulturën arabe e cila po përhapej krahas përhapjes së Islamit. E gjithë kjo tregon për qëndresën persiane karshi invazionit të kulturës arabe. Nga ana tjetër, kurdët si shumë popuj të tjerë, nuk arritën t’i bëjnë ballë fuqisë impozante të përhapjes së mendimit, kulturës dhe civilizimit arabo-islam. Së këndejmi, përgjatë historisë e deri më sot, kurdët do të jenë pjesë e pandashme e sunnitëve, ndërsa persianët do t’i rrinë besnik mësimeve shiite që në fakt janë mësime islame të brymosura deri në palcë me ngjyrime persiane. Shikuar nga aspekti fetarë, pra, pjesa dërmuese e kurdëve janë muslimanë sunnit, por ka edhe shii dhe alevi. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e iranianëve janë shii, e një pjesë e vogël e tyre, janë sunnit. Kurdët sunnit i takojnë medhhebit shafi’i, me përjashtim të një numri të vogël që janë hanefi. Gjithashtu, prej kurdëve ka edhe jazidi, zoroastritë, të krishterë dhe hebrenj.
Nuk duhet harruar edhe një fakt tepër të rëndësishëm. Pas pranimit të Islamit, kurdët i dhanë kulturës dhe civilizimit islam një numër të madh dijetarësh e shkenctarësh. Amidiu, Shemsudin Shehrezuriu, Abu’l Fidai, Ibn Salah el-Kurdi, Mubarak al-Mustavfi, Siraxhuddin Urmeviu, Ahmed Ashnehiu, Musa Kemaleddin, Ali Ibn el-Esiriu, Taxhuddin Kurdiu e Fahreddin Ahlatiu, janë vetëm disa nga emrat e njohur të dijetarëve muslimanë.
Përgjatë Perandorisë Osmane, kurdët, njëjtë sikur edhe popujt tjerë shtet-formues nuk njiheshin si etni e pavarur. Që nga fillimi i Perandorisë e deri në shekullin 19, atëherë kur fillojnë lëvizjet nacionaliste brenda Shtetit Osman, kurdët ishin pjesë e pandashme e tërësisë demografike të Perandorisë. Me daljen në pah të lëvizjeve nacionaliste safavide iraniane, edhe kurdët, sikur edhe disa popuj tjerë, ngritin zërin e tyre për atë që më vonë do të quhet kombi kurd. Deri në këtë kohë, thuajse të gjithë etnitë që përbënin shtetin islam, pra edhe shqiptarët, të gjithë e pa asnjë dallim njiheshin ose/vetëm sipas përkatësisë fetare, ose/vetëm sipas përkatësisë medhhebiste.
Me gjithë që u shkruan libra të tërë në lidhje me historinë e kurdëve, vetëm në kohët e fundit bota është marrë seriozisht me ta. Dhe kjo nuk është e rastësishme. Politika është ajo që nxitë historinë e historianët të merren me kurdët, më shumë si entitet nacional me kuptime moderne të kombit, se sa të merren me ta si një popull me një histori të atillë, që, duke marrë për bazë historinë e tyre kombëtare, nacionale, të kenë edhe sot shtetin e tyre.
Shikuar nga rrafshi analitik i historisë, e kaluara e këtij populli është shumë e paqartë. Në rastin më të lehtë, është e panjohur mirë, e pashkruar mirë dhe me plotë dallime, divergjenca e stërmadhime. Kjo ndodhë, natyrisht, për shkak të rrugëtimit të këtij populli nëpër histori si dhe varësisht prej interesave tëfuqive të ndryshme histoiranët e të cilave fuqi merren me dosjen kurde. Së këndjemi, përderisa historianët kurdë shkruajnë me shije e informata të ndryshme, shumë herë kundërthënëse mes vete, për territore, data, vite e ndodhi në favor të etnikumit që i përkasin, popujt përreth, si arabët, turqit, iranianët e ermenët, historinë kurde e kanë shkruar dhe e shkruajnë në bazë të interesave nacionale dhe politike të tyre. Tragjedia e këtij populli, pra, qëndron pikërisht në mungesën e aftësisë dhe sensit shkencorë të kurdëve për ta shkruar historinë e tyre me fakte dhe mbështjetje në teza e teori të mirëfillta shkencore. Në vend të gjithë kësaj, librat e tyre të historisë janë të stërbushur me legjenda e fetishizma të atillë, që rrallë herë u hynë në punë në të përditshmen e tyre.
Edhe në Perëndim, sikur edhe tek ata vetë, ka dallime të mëdha sa i përket shkrimit dhe leximit të historisë kurde. Përderisa disa historianë anglosaksonë shkruajnë më tepër në favor të popujve tjerë të rajonit, por jo të kurdëve, disa historianë francezë, holandezë e rus, përpilojnë tekste me gjuhë e cila e favorizon çështjen kurde me tepër se të kombeve tjera, fqinj të kurdëve.
Gjithsesi, shikuar në historinë kurde, ata janë populli më i pafat në Lindje të Mesme. Si etni që janë, sidomos në njëqind vjetët e fundit, kurdët në Turqi kanë kaluar më mirë se në cilin do vend tjetër të Lindjes së Mesme. Këtë e thonë edhe vetë kurdët. Nëpër shumë vende arabe deri vonë ata nuk kanë guxuar as të deklarohen për atninë dhe etninë e tyre kurde. Në vend të kësaj, anë deklaruar ose arabë, ose iranianë, ose armenë. Varësisht prej vendit ku kanë jetuar.
(VAZHDON)
Rënia e Perandorisë Osmane shkaktoi një dis-balancë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e botës mbeti në mjegull, ndërsa regjione të tëra mbetën pa kufij administrativ e pa udhëheqje politike. Bota ishte në një kaos të vërtetë.
Sikur shumë pjesë tjera të botës, edhe Lindja e Mesme filloi të ribëhej në një atmosferë të këtillë mjegullnaje. Shtetet bashkëkohore të Lindjes së Mesme lindën nga shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe nga ujditë e marrëveshjet që pasuan Luftën e Parë Botërore. Rënia e Perandorisë Osmane i la popujt e regjionit ndoshta të gatshëm për të ndërtuar shtetet e tyre, por të papërgatitur të përballen me sfidat që po i sjellte sistemi i ri ndërkombëtar. Për shkak se deri atëherë marrëdhëniet dhe komunikimi i kësaj hapësire gjeografike me Fuqitë e Evropës kalonin përmes Stambollit, arabët, kurdët dhe popujt tjerë të Lindjes së Mesme nuk kishin eksperiencë të mëparshme diplomatike. Mbase, arabët nuk kishin as mundësinë të shpreheshin teksa po copëtohej atdheu i tyre nën orientimin e Lidhjes së Kombeve. Lindja e Mesme u nda midis Fuqive fituese si një formë e re koloniale, e njohur me termin “mandat”. Brenda kufijve të këtyre shteteve lindën lëvizje nacionaliste të cilat, nga njëra anë i kundërviheshin sistemit kolonial, e nga ana tjetër, njëra tjetrës. Shtetet arabe si entitete tashmë të ndara filluan fraksionizmin dhe përleshjet e brendshme si dhe kacafytjet mes vete.
Gjysma e parë e shekullit XX, Lindjes së Mesme i solli shumë të reja, shumë të papritura dhe e pruri në një gjendje koloniale të tërbueshme. Për shkak të pasurive të mëdha ekonomike që i ka Lindja e Mesme, për shkak të kufijve të saj me një rëndësi strategjike, pastaj burimet e energjisë, kultura, historia, struktura shumëngjyrëshe fetare/sektare, e pra, së këndejmi edhe territori i kurdëve, u bënë mallra pazaresh mes Fuqive të mëdha. Ato u bënë edhe viktimat e para të një bote të re që po lindte.
Marrëveshja e fshehtë Sykes-Pikot e vitit 1916, që kishte për bazë ndarjen e tokave në Lindje të Mesme e të cilat më parë si një regjion i vetëm dhe unik administrohej nga Perandoria Osmane, tani më, kjo marrëveshje fatale ishte bërë “brisku” që bënte copë-copë Lindjen e Mesme. Anglia, Franca, Italia dhe Rusia qitën para vete hartën e saj, dhe si të ishte një tepsi kërrlane e ndanë dhe e copëtuan. Përgjatë këtij copëtimi, kurdët mbetën në margjina duke i lënë pa një atdhe të mundshëm të tyre.
Kështu, pra, shpërbërja e Perandorisë Osmane në fund të Luftës së Parë Botërore (1914-1918) konsiderohet faktori më i rëndësishëm në tërheqjen e kufijve aktualë të Lindjes së Mesme. Siç thamë, si rezultat i kësaj lufte, vendet e Lindjes së Mesme u ndanë sipas interesave dhe spontaniteve të Fuqive të Mëdha. Popujt e rajonit as që u pyetën e as që u lanë të marrin pjesë në këto ndarje.
Ta marrin shembull kufirin e Jordanisë me Arabinë Saudite që në botën arabe njihet si “Lemza e Churchilit”. Kjo shprehje i referohet Winston Churchillit, këtij burrështetasi britanik që luajti një rol të madh në përcaktimin e hartës aktuale të Lindjes së Mesme. Sipas disa të dhënave, pas një dreke në 1921, Churchill, i cili shërbente si Ministër i Kolonive në kabinetin e Lloyd George, atë ditë u përpoq të tërheqë kufijtë e Jordanisë ndërsa ishte në një gjendje të dehur. Ndërkohë, që dora e tij rrëshqiste mbi hartën që e kishte mbi tavolinë, për shkak të gjendjes së tij të dehur, në një moment e kapë lemza dhe dora i rrëshqet matanë hapësirës që dëshiroi ta përkufizonte. Kufiri aktual mes Jordanisë dhe Arabisë Saudite i përngjet një trekëndëshi të madh i vizatuar si është më së keqi. Sado që saktësia e tregimit mund të jetë një temë diskutimi, mënyra spontane e vizatimit të kufijve në Lindjen e Mesme është e padiskutueshme.
Marrëveshja apo Traktati Sykes-Picot (1916), nëpërkëmbi interesat edhe të kurdëve dhe historinë e tyre, ndërsa territorin e kurdëve e shndërroi në një koloni të vogël e të shkelur brenda një kolonie të madhe gjithashtu të shkelur e të shtypur.
Së këndejmi, ristrukturimi i Lindjes së Mesme nuk e parashikoi krijimin e shtetit kurd. Megjithatë, ideja dhe vullneti i hekurt i këtij populli për të pasur një shtet sovran asnjëherë nuk u shua. Që nga ajo kohë e deri më sot, kurdët kurrë nuk pranë së kërkuari një atdhe që do ta gëzonin. Me gjithë që shumë herë bënë gabime të pafalshme politike, duke manovruar gabimisht e gjithnjë duke qenë viktima të pazareve politike e ndërkombëtare, kurdët nuk u pajtuan me realitetin e tyre të hidhur. Në të gjitha marrëveshjet që u arritën pas traktatit Sykes-Pikot, filluar prej vitit 1916 e deri në vitin 1938, shtetet e rajonit rrallë herë u ftuan në konsulta, dhe atë sa për sy e faqe, por asnjëherë kurdët. Përjashtim bëjnë Turqia dhe Irani që kishin arritur të konsolidonin radhët dhe të bëheshin faktorë, ani pse jo të rëndësishëm sa ishin Fuqitë e mëdha.
Kështu, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në fund të saj, u përgatitën platforma diplomatike dhe u morën vendime shumë të mëdha. Përpjekjet e kurdëve për ndonjë shtet eventual, ose pengoheshin me mjete diplomatike, ose shtypeshin me dhunë. Shembull i parë ishte rasti i Sheik Mahmut Berzencit, i cili zhvilloi luftë kundër ushtrisë britanike për të drejtat kombëtare të kurdëve, por ai u dënua nga vetë Anglia në 1919 dhe u internua në Indi, që edhe India ishte koloni britaneze.
Është një pyetje me rëndësi të parashtrohet këtu: Përse kurdët, për dallim nga të tjerët, nuk arritën të krijojnë një shtet, në kohën kur u vendosën kufijtë rastësorë në Lindje të Mesme?
Ka shumë përgjigje. Sidoqoftë, më kryesorja dhe më e qëndrueshmja është se vetë Fuqitë e Mëdha nuk dëshiruan krijimin e këtij shteti. Në krye të këtyre fuqive, qëndronte Britania e cila konsiderohet kundërshtarja më e fuqishme e krijimit të Kurdistanit të pavarur. Dhe, përkundër asaj që mund të thuhet edhe ndryshe nëpër disa qarqe, sidomos në Lindje të Mesme, britanikët ishin ata që nuk i dhanë mbështetje kryengritjes kurde për pavarësi pas Luftës së Parë Botërore. Nga dokumentet arkivore britanike të cilat flasin mbi ngjarjet e asaj kohe, vërehet qartë se Londra zyrtare nuk dha pëlqimin për krijimin e një shteti kurd. Gjë që, edhe pse Britania nuk ishte e vetmja, sepse ishin edhe tri të tjera, Britania ishte kryesorja.
As në Traktatin e Sevres (1920), kurdëve nuk iu premtua decidivisht shtet i pavarur. Teksti i Marrëveshjes që ishte nënshkruar në Traktatin e Serves, sidomos nenet 62 dhe 64, flasin kështu: “Përgjatë një viti pasi të hyjë në fuqi ky Traktat, kurdët që jetojnë të rajonet e përmendura sipas nenit 62, nëse vërtetohet se shumica e popullatës donë të jenë të pavarur nga Turqia, nëse pastaj i drejtohen Lidhjes së Kombeve, dhe nëse Lidhja e Kombeve e vërteton se kjo popullatë është e aftë për pavarësi, pastaj, nëse Turqia e njeh dhe më pastaj heqë dorë nga aty, Turqia, që nga tani është e obliguar që në përputhje me këtë rekomandim, të heqë dorë nga të gjitha të drejtat dhe atributet tjera të saj mbi këto territore”.
Këto kushte e rekomandime të filluara me kaq shumë “nëse”, as nuk ishin të çiltra e as të mundshme për tu realizuar përgjatë vetëm një viti. Ç’është e vërteta, shtetet fitimtare që ishin ulur në tryezën e Traktatit të Serves, nuk dhanë asnjë premtim për krijimin e shtetit të kurdëve. Me gjithë që mbi harta viheshin disa kufij artificial, kjo nuk ishte më shumë se sa një taktikë diplomatike shpërqendrimi.
Përse Fuqitë e Mëdha që dolën fitimtare nga Lufta e Parë Botërore nuk donin një Kurdistan?
Ja disa arsye. E para është se tokat të cilat i kërkonin kurdët, ishin po ato që i kërkonin edhe armenët. Lobi armen në SHBA që ishte i fuqishëm, vazhdimisht kishte bërë presion mbi qeverinë amerikane që pas luftës, Armenia të shtrihej edhe mbi disa regjione të Anadollit. Por kjo, nuk ishte arsyeja e vetme e as kryesore. Sepse, tek e fundit, kurdët mund të merreshin vesh me armenët dhe të ndanin mes vete tokat e Anadollit.
Sipas mendimit tonë, arsyeja kryesore për moslejimin e atëhershëm të krijimit të një shteti të pavarur kurd, fshihej në pjesën e fundit të nenit 64 të Traktatit të Sevres që ishte anashkaluar tërësisht. Sipas asaj që shkruhet në fund të nenit 64, nëse krijohen kushtet e nevojshme për themelimin e Kurdistanit, provinca e Mosulit (Irak) që ishte nën menaxhimin anglez, lehtë mund t’i ngjitej Kurdistanit. Po të dëshironin anglezët që Kurdistani të themelohej, askush nuk kishte fuqinë ta pengonte. Do të mjaftonte vetëm një fjali e anglezëve se janë për Kurdistanin që do të përfshinte e Mosulin, dhe kjo lehtë do të bëhej. Anglia e kishte këtë fuqi dhe lehtë mund ta zbatonte. E vërteta është se Anglia ishte përcaktuar për krijimin e një Iraku të pasur me naftë, me Mosulin pjesë e tij dhe nën menaxhim total të anglezëve.
Një shkak tjetër që pengoi themelimin e Kurdistanit ishte edhe suksesi i Lëvizjes Kemaliste në Anadoll. Kjo lëvizje kishte arrit t’i tërhiqte në radhët e veta shumicën e popullatës kurde. Është e dokumentuar se turqit kishin arritur të korrnin suksese në propagandën e tyre kundër anglezëve në Mosul e rrethinë por këtë nuk e bënin në tokat e Anadollit. Kështu, njësitë anti-britanike të organizuara në Mosul nga Komandanti i Forcave të Milicisë në Antep, Ozdemir Bej, kishin shqetësuar tejmase britanikët.
Dhe, kështu, për ta njohur më mirë gjendjen e tanishme të kurdëve dhe të rajonit, është e nevojshme të përmendi këtu edhe dy fakte tjera që ndërlidhen me Luftën e Parë Botërore:
A është edhe më tutje valide Marrëveshja Sykes-Picot e vitit 1916?
Një. Personalisht mendoj se kjo marrëveshje e fshehtë kishte skaduar pas Luftës së Dytë Botërore. Problemet me të cilat ballafaqohej Britania në Irak pas pavarësisë së vitit 1932, Franca ballafaqohej me të njëjtat probleme në Siri në vitin 1940. Iraku u pavarësua në letër në 1932, ndërsa Siria në vitin 1946. Në të dyja këto vende, forcat nacionaliste arabe u krijonin probleme serioze këtyre dy shteteve kolonialiste. Pra, Iraku, Siria dhe Libani janë produkte të ndarjes së Lindjes së Mesme sipas Marrëveshjes Sykes-Picot.
Me kalimin e kohës, për shkak të dinamikave të brendshme që zhvilloheshin në këto tri shtete, shihej qartë se punët nuk po shkonin gjithnjë sipas dëshirave dhe interesave të Francës dhe Anglisë. Për më tepër, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara filluan të interesoheshin për Lindjen e Mesme. Për realizimin e interesave ekonomike, strategjike dhe nacionale, Amerika i dha krahun Arabisë Saudite, e bëri lodër dhe aleate të saj. Dhe kështu, SHBA-të tani e tutje do të bëheshin pjesëmarrëse e fuqishme, mbase kryesorja në ndarjen e tortës së pasur të Lindjes së Mesme. Andaj them se Marrëveshja Sykes-Picot më nuk është funksionale.
Dy. Mendimi se nacionalizmi kurd ka kontribuar në rrëzimin e Perandorisë Osmane, rrjedh nga një vështrim i gabueshëm i historisë. Lëvizja nacionaliste kurde, e cila dëshironte një shtet të pavarur ose autonom, mori hov dhe u bë populliste me rënien e Perandorisë Osmane. Kështu kishte ndodhur edhe me shqiptarët, të cilët, edhe kur po bëhej fjalë për pavarësinë e Shqipërisë, kishte zëra që flisnin se Shqipëria duhej të mbetej në një lidhje specifike me Perandorin Osmane. Me fjalë të tjera, nacionalizmi kurd nuk ishte shkaku i rënies së Perandorisë Osmane, por ishte pasojë e saj. Nga këtu edhe lind spekulimi i mundshëm se ideja për një Kurdistan të pavarur kurrë nuk do të merrte hov nëse nuk do të shpërbëhej Perandoria Osmane.
A ekziston sot ndonjë mundësi për një shtet të pavarur kurd?
Perandoria Osmane nuk ekziston më. Në veri të Irakut është krijuar njëfarë formacioni shtetërorë kurd, që deri në vitin 2017 kur u shpallë referendumi, nuk është as shtet, as jo-shtet. Megjithatë, në veri të Irakut kurdët janë shumicë ndërsa resurset kryesore të Irakut janë ne veri dhe menaxhohen nga kurdët. De fakto, mund të thuhet se në Irak ekziston një shtet kurd. Bile, atje ekziston një forcë mbrojtëse më e madhe se peshmergët, e ajo është ideja që nuk vdes kurrë për një shtet kurd të pavarur.
Të mos harrojmë, formacioni shtetëror siç është ky i kurdëve në veriut të Irakut mund të zhbëhet shpejt, mbase veç ka filluar, nëse Fuqitë e Mëdha nuk i mbështesin seriozisht kurdët për një shtet të pavarur me karakteristikat e nevojshme të një shteti sovran, sikur të gjitha shtetet.
Problemet që i kanë sjellë dy strukturat kinse shtetërore islamiste, si Shteti Islamik i Irakut, dhe ai i ISIS-it në Siri, vazhdimisht kanë reflektuar njëfarë frike, por edhe një nevojë për një fuqi tjetër e cila do t’i sfidonte këto dy organizma si-shtetërorë të rrezikshëm për rajonin dhe për interesat ndërkombëtare.
Sidoqoftë, u pa edhe kohëve të fundit, se tani më gjendja në Lindje të Mesme ka ndryshuar. Krijimi i një Kurdistani është bërë edhe më vështirë. Rusia më nuk është ajo e para 20 vjetëve, sikur që, Turqia, nga e saj ka arritur të shtrijë ndikimin e saj edhe atje ku para dy dekadave as që mund të flitej. Turqia atje po shtrihet edhe me ushtri, e kjo bënë të mendohet se interesimi i saj për rajonin do të jetë edhe më insistues dhe afatgjatë.
E për fund, t’i kthehemi edhe një herë “Lemzës së Churchillit”. Tani për tani, kurdëve të Sirisë, Irakut, Turqisë e mbase edhe të Iranit u ka mbetur që të shpresojnë në ndonjë lemzë eventuale të Donald Trump, në bazë të së cilës, edhe një herë mund të vizatohen kufijtë e ri, shkel e shko të Lindjes së Mesme. Siç po shihet, shanca reale nuk ka. Aq më tepër, tërheqja e forcave të armatosura të SHBA-ve nga veriu i Sirisë, për kurdët qe një goditje e madhe, kësaj radhe, shumë më e madhe se që pësuan teksa i mashtruan me referendumin për pavarësi nga Iraku në vitit 2017.
(VAZHDON)
Për herë të parë kurdët menduan për themelimin e shtetit të tyre menjëherë pas rënies së Perandorisë Osmane, saktësisht përgjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1920 paraqitën draftin për shtetin e ri kurd, por, Marrëveshja e Lozanës e vitit 1923 e shoi ëndrrën e tyre. Në këtë kohë, pikturohen kufijtë e ri në Lindje të Mesme pa shtetin kurd. Megjithatë, çështja kurde mbeti e hapur përgjatë gjithë kohës. Kurdët do të merren në konsideratë vetëm si pakica nëpër shtetet e reja që u krijuan. Megjithatë, përgjatë shekullit 20 pati disa tentativa për krijimin e shtetit kurd. Më poshtë do t’i përmendim më kryesoret.
Në një dosje hulumtuese të cilën e ka botuar el-Xhezira, do të mësojmë se çështja kurde ka kaluar nëpër një histori të çuditshme, shumë herë me shpresa të mëdha, disa herë të mashtruar, herë herë i shohim të manipuluar, dhe, çka është më interesantja, siç tham edhe pak më lartë, Britania e Madhe ishte ajo që kundërshtoi më së shumti krijimin e Kurdistanit.
Më poshtë gjeni datat dhe ngjarjet më interesante të kurdëve.
Viti 1920.
Marrëveshja Serves: Në bazë të kësaj marrëveshje të vitit 1921 qeveria irakiane vendos për pjesëmarrjen e kurdëve në zgjedhjet e ardhshme të Irakut. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar mesh faktorëve ndërkombëtar dhe qeverisë turke e cila ishte krijuar pas rënies së Perandorisë Osmane. Sipas kësaj marrëveshje, kurdët do të kenë të drejtë për një autonomi fillestare me të drejtë pavarësie në të ardhmen.
Viti 1923.
Ndodhë revolucioni kurd i udhëhequr nga Mahmud el-Hafid Barezani i cili luftoi për krijimin e mbretërisë kurde përreth qytetit te Sylejmanijes në Irak, dhe atë si refleksion i vullnetit kurd për pavarësi. Revolucioni u shua në mënyrë të përgjakshme pas ndërhyrjes së forcave britanike mbi kryengritësit.
Viti 1923.
Pas Marrëveshjes së Lozanës mes aleatëve dhe Turqisë e nënshkruar në qershor të vitit 1923, çështja kurde do të largohet nga bisedimet e ardhshme ndërkombëtare. Çështja kurde mbeti pa zgjidhje. Nga ky moment, kurdët ishin ndër faktorët më të rrezikshëm të paqes në rajon të cilët më asnjëherë nuk u qetësuan. Ata zhvilluan luftëra të shumta, beteja të përgjakshme, por, deri në ditët tona pa sukses.
Viti 1925.
Në këtë vit përgatitet kushtetuta e Irakut në kohën e mbretit Fejsal, por, megjithatë, kjo kushtetutë nuk përfshinë të drejtat e kurdëve. Gjuha kurde nuk pranohet si gjuhë zyrtare as në zonat ku banonin kurdët. Gjuha arabe mbeti gjuha e vetme zyrtare.
Viti 1932.
Revolucioni kurd në Veri të Irakut.
Viti 1943.
Revolucioni i dytë kurd në Irak nën udhëheqjen e Mulla Mustafa Barezanit.
Viti 1946.
Është kjo koha kur krijohet partia më të mëdha kurde nën emrin Partia Demokratike Kurde e udhëhequr nga Mulla Mustafa Barezanit.
Viti 1946.
Forcat ushtarake britanike të ndihmuara edhe nga ushtria irakiane detyrojnë luftëtarët kurdë me gjithë Mustafa Barezanit të lëshojnë trojet e tyre dhe i shpërngulin në Iran. Në këtë kohë, kurdët e Iranit shpallin republikën kurde të Mehabadit në Lindje të Iranit, Megjithatë, ky shtet i pavarur kurd nuk do të mbijetojë më shumë se 7 muaj. Pas shtypjes së kësaj republike nga forcat iraniane, irakiane dhe britanike, Barezani detyrohet të ikë në Bashkimin Sovjetik.
Viti 1958.
Në këtë vit rrëzohet mbreti i Irakut dhe merr fund mbretëria irakiane. Iraku do të shpallet Republikë ku në krye të vendit vie Abdul Kerim Kasim. Për një kohë të shkurtër përgatitë kushtetuën e re të përkohshme ku thuhet se arabët dhe kurdët janë popuj të barabartë të Irakut. Të drejtat nacionale kurde do të njihen të barabarta me të drejtat arabe, por vetëm brenda shtetit të përbashkët me emrin Republika e Irakut.
Viti 1961.
Në këtë vit, qeveria irakiane do të mbyllë Partinë Demokratike Kurde dhe me dekretndalon të gjitha aktivitetet politike të kurdëve në territorin e Irakut. Në dhjetor të këtij viti, shpërthejnë demostrat e mëdha në të gjitha territoret ku jetonin kurdët. Motoja e këtyre demonstratave ishte: “Demokraci për Irakun, Autonomi për kurdët”.
Viti 1963.
Në prill të këtij viti fillon një periudhë e re për të drejtat kurde në Irak.
Viti 1966.
Përmirësime të dukshme të pozitës juridike dhe politike kurde në Irak. Është kjo koha kur Irakun e udhëhiqte Abdurrahman Arif.
Viti 1967.
Kryeministri i Irakut Abdurrahman Bezzaz hap një kapitull të ri për të drejtat kurde. Në nj moment deklaron se është i gatshëm të bisedoj me kurdët për një pavarësi kulturore.
Viti 1968.
Partia Ba’th, fiton zgjedhjet e lira dhe me datë me datë 17 korrik të vitit 1968 merr pushtetin në Irak.
Viti 1970.
Qeveria irakiane nënshkruan dekretin për autonomi të zgjeruar të kurdëve në veri të Irakut, pjesëmarrje të barabartë në qeverinë e vendit dhe njeh gjuhën kurde si gjuhën e dytë zyrtare në Bagdad. Sipas kësaj autonomie, gjuha kurde do të përdorët në shkolla dhe universitete ku mësojnë nxënësit dhe studentët kurdë. Me gjithë këto përparime, kurdët e ndihmuar nga disa shtete të jashtme qohen në kryengritje për të marrë edhe Kerkukin e pasur me naftë. Pas katër vite mosmarrëveshje mes arabëve dhe kurdëve, qeveria e Irakut ndërmerr hapa në disfavor të popullatës kurde.
Viti 1975.
Marrëveshja e Algjerisë në mes Irakut dhe Iranit. Sipas kësaj marrëveshje të cilën e nënshkruajnë Muhamed Riza Pahlavi dhe Sadam Husejni, Irani do të ndërpret mbështetjen ushtarake të kurdëve të Irakut. Nga kjo kohë pushon kryengritja kurde në veri të Irakut.
Viti 1979.
Me datë 16 qershor të vitit 1979 Sadam Husejni zgjidhet për president të Irakut i cili e zëvendëson Ahmed Hasen el-Bekrin. Në të njëjtin vit vdes lideri i kurdëve të Irakut Mustafa Barezani dhe në vend të tij emrohet djali i tij Mesud Barezani, i cili udhëheq kurdët e Irakut deri në ditët tona.
Viti 1980.
Shpërthen lufta irako-iraniane. Në këtë luftë, pala kurde ndahet në dy pjesë. Përderisa Partia Demoktratike Kurde lufton në krah me Iranin, Unioni Nacional i Kurditanit mbështet Sadam Huseinin.
Viti 1988.
Në janar të këtij viti, forcat ushtarake irakiane sulmojnë kurdët e veriut, ku, sipas raporteve të shumta Iraku përdorë edhe armët kimike kundër qytetarëve të pafajshëm. Në këtë masakër vdesin të helmuar me mijëra qytetarë kurdë.
Viti 1991.
Në mars të vitit 1991 kurdt do të shfrytëzojnë luftën amerikane kundër Irakut pasi që forcat e Sadamit kishin pushtuar Kuvajtin. Në kët kohë, që konsiderohet revolucioni i tretë u kurdëve, këta të fundit marrin Sulejmanijen, Kerkukin, Dehvekun dhe Erbilin dhe shpallin autonominë e njëanshme ndaj Bagdadit zyrtarë. Forcat irakiane detyrohen të tërhiqen nga veriu në tetor të po atij viti.
Viti 1991.
Forcat aleate të udhëhequra nga amerikanët shpallin Veriun e Irakut për Zonë e Sigurisë. Ky hap i amerikanëve do të nxitë iranianët për të ndihmuar Irakun kundër këtij vendimi. Për çudinë e shumë kujtë, me gjithë kërkesën kurde, amerikanët nuk shtinë Sylejmanijen dhe Kerkukin brenda zonës së sigurisë, gjë që hidhërojnë pa masë edhe kurdët. Nga tjetër, Bagdadi zyrtarë vë embargo kundër veriut të vendit ku, siç shkrihej atëherë kanë vdekur mbi një milion kurdë nga mungesa e barnave dhe ushqimeve.
Viti 1991.
Dy liderët kryesorë kurdë të asaj kohe, Xhelal Talebani dhe Mesud Barezani fillojnë bisedimet me Bagdadin zyrtarë për pavarësi të tokave kurde nga Iraku. Marrëveshja nuk arrihet për shkak se palët nuk mund të merren vesh rreth qytetit Sylejmanioje dhe Kerkuk, që të dyja këto qytete të pasura me naftë.
Viti 1992.
Mbahen zgjedhjet e lira në Veriun e Irakut dhe themelohet parlamenti i parë kurd në Veri. Me gjithë luftimet e përgjakshme mes kurdëve, për shkak të mospajtimeve të mëdha mes dy partive kryesore kurde, megjithatë, parlamenti kurd shpallë Veriun për zonë kurde.
Viti 1994.
Për shkak të mospajtimeve të dy liderëve kurdë, Talebani dhe Barezani, fillon një luftë vëllavrasëse mes kurdëve ku vriten me qindra mijë kurdë. Në ndërkohë, kur në vitin 1995 Xhelal Talebani kërkon ndihmën e iranianëve, Barezani lidh paqe me sadam Huseinin dhe ashpërsohet lufta deri në vrasje të përmasave marramendëse. Viti 1996 mbahet mend si viti i vrasjeve masive të kurdëve.
Viti 1996.
Sulme irakiane me avinë ushtarkë mbi tokat dhe popullsinë e pafajshme kurde. Sipas marrëveshje4s së bërë mes Barezanit dhe Saddam Husejnit, marrëveshje kjo që do të del në shehs pas vrases së Saddamit, Barezani kishte kërkuar që forcat irakiane të vrasin sa më shumë kurd në zonat ku ishin nën kontrollin e Xhelal Talebanit i cili ndihmohej nga Irani.
Viti 2003.
Me datë 20 mars të vitit 2003 forcat amerikane pushtojnë Irakun. Me datë 9 prill bie regjimi i Saddam Husejni dhe me të bie edhe Bagdadi. Në këtë kohë, forcat kurde të ndihmuara nga amerikanët pushtojnë Kerkukin dhe Musulin e pasur me naftë.
Viti 2003.
Pas rënies së Sadamit, SHBA-të ndihmojnë themelimin e Unionit të Përkohshëm Kurd. Në këtë union përfshihen personalitetet më të shquara kurde, ndërsa për kryetar të Unionit caktohet Poll Bremer, një diplomat e rryer amerikan i asaj kohe.
Viti 2005.
Xhelal Talebani zgjidhet kryetar i përkohshëm i Irakut, ndërsa Hoshiar Zibari kurd zgjidhet për ministër i jashtëm i Irakut. Zibari vazhdon të jetë ministër i jashtëm deri në vitin 2014.
Viti 2005.
Në tetor të vitit 2005 Iraku bëhet me kushtetutë të përhershme në bazë të së cilës, udhëheqja e shtetit ndahet në tri pjesë. Sunnitëve u ipet udhëheqja e parlamentit, shpitëve qeveria ndërsa kurdëve presidenca. Kjo politikë vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Viti 2006.
Kurdistani Verior i Irakut krijon qeverinë zyrtare dhe parlamentin. Mesud Barezani zgjidhet për kryetar i Kurdistanit të Veriut të Irakut.
Viti 2006.
Në shtator të vitit 2006, Barezani urdhëron zbritjen e flamujve irakian nga ndërtesat e institucioneve zyrtare të vendit dhe në vend të tyre valojnë flamujt e Kurdistanit. Ky hap shkakton një përplasje të fortë mes Bagdadit zyrtarë dhe kurdëve kur edhe fillojnë beteja të përgjakshme rreth qytetit të Kerkukit, saktësisht rreth burimeve të naftës.
Viti 2011.
Në shkurt të vitit 2011 qeveria kurde vë dorë plotësisht mbi burimet e naftës në Veri të Irakut dhe fillon nënshrikimin e marrëveshjes për nxjerrjen e saj, përkundër që më parë kishte marrëveshje të mos ndodhë kjo. Përfituesit më të mëdhenj të këtyre marrëveshjeve bohen kompanitë amerikane të naftës.
Viti 2014.
Në janar të këtij viti, tërhiqen të gjithë ministrat kurd nga qeveria qendrore në Bagdad e Nuri el-Maliki. Kurdët kërkonojnë se do të tërhiqen edhe prej parlamentit irakian dhe do të shpallin pavarësinë e Kurdistanit të Irakut.
Viti 2014.
Në skenë paraqitet ISIS, apo, Kalifati i shtetit Islam. Në janar të këtij viti, ISIS pushton qytetin e Musulit dhe shpallë për kryeqytet të vetin. ISIS pushton pjesët kryesore të naftës përreth Krkukit dhe i afrohet në kufij edhe Erbilit. Peshmergët kurdë, që janë ushtria e rregullt kurde, me ndihmën e amerikanëve fillojnë luftimet e përgjakshme për t’i rikthyer tokat e pushtuara nga ISIS, sidomos ato rreth Kerkukit dhe Musulit.
Viti 2016.
Në tetor të vitin 2016, ushtria irakiane fillon luftimet e rrepta kundër ISIS dhe peshmerëgve kurdë për rikthimin e Musulit. Në ndërkohë lidhet marrëveshje mes kurdëve dhe irakianëve për luftimin e Shtetit Islamik të Ebu Berekat el-Bagdadit, duke nënvizuar se mosmarrëveshjet mes tyre t’i zgjidhin në një kohë tjetër.
Viti 2017.
Në muajin shkurt të këtij viti, udhëheqësi i kurdëve të Irakut deklaron se kurdët e veriut të Irakut do të organizojnë referendumin e cili nuk duhet të lexohet domosdoshmërish edhe si pavarësimi definitiv nga Bagdadi zyrtarë. Në takimin e tij të fundit që kishte me Sekretarin e Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, Barezani kishte thënë se referendumi do të mbahet së shpejt, pa marrë parasysh kundërshtimet e disa shteteve në rajon dhe nëpër botë.
Viti 2017.
Në mars të këtij viti, prefekti i Kerkukit Nexhmudin Kerim urdhëron uljen e flamurit irakian nga ndërtesa qëndrore e qeverisë kurde dhe ngritjen e flamurit kurd. Ky hap do të shkakton njërën prej krizave më serioze mes kurdëve dhe irakianëve prej kohës së sadam Husejnit. Sipas nenit 140 të kushtetutës irakiane të cilën e kanë nënshkruar tri palët, sunnitët, shiitët dhe kurdët, Kerkuki është zonë e ndrmjeme dhe se nuk guxon të valojnë flamuj tjerë mbi te pos flamujve irakian.
Shtetet kurde të krijuara deri më sot dhe të dështuara të gjitha
Mbretëria e Kurdistanit Jugorë (1922-1924). E themeloi lideri i njohur kurd Mahmud el-Hafidh Zade Berzenxhiu. Kufijtë e saj ishin brenda kufijve të shtetit irakian dhe jetoi vetëm dy vite.
Republika e Kuqe e Kudistanit (1923-1929). Quhet ndryshe edhe Kurdistani Sovjetik. Krijohet me ndihmën e liderit të dikurshëm sovjetik, Vladimir Iliç Lenini. Për kryeqytet vendoset të jetë Laxhini. Themelohet në territorin e tanishëm të Nagorni Karabahut në Azerbejxhan. Mbaron së ekzistuari kjo republikë me tërqhjen e mbështetetjes sovjetike dhe fill pas kësaj, dëbohen kurdët nga Azerbejxhani dhe Ermenia. Një numër i madh i tyre vriten përgjatë shpërnguljes.
Republika e Araratit të Kurdistanit (1927-1930). Kjo republikë krijohet në verilindje të Turqisë në kohën e trazirave të njohura të kohës së Gjeneral Ihsan Nuri Pasha. Për president të saj emërohet Ibrahim Hesekiu, ndërsa Nuri Basha për shef i shtatmadhorisë së armatës kurde. Për kryeqytet caktohet të jetë Kurdafai. Mbaron së ekzistuari në vitin 1930, pas ndërhyrjes ushtarake të armatës turke.
Republika e Mehabadit (1946). Krijohet si shtet i pavarur me datë 22 janar të vitit 1946 në rajonin e Mehabadit në territorin e Iranit të sotshëm. Përfshinte një hapësirë prej 30% të asaj që njihet si Kurdistani Lindorë që aludohet në territoret kurde brenda Iranit. Mbaron së ekzistuari pas 11 muajsh. Kjo republikë krijohet me ndihmën e sovjetikëve të cilët kishin pushtuar toka të gjera brenda Iranit përgjatë Luftës së Dytë Botërore, mirëpo, me ndihmën e amerikanëve dhe anglezëve, Irani do ta shuan me gjak këtë republikë.
Krahina e Kurdistanit të Irakut (1970)
Republika e Lagjinit të Kurdistanit (1992). Themelohet dhe vetëshpallet në territorin e Nagornji Karabahut në Azerbejxhan. Pas pushtimit të kësaj toke azerbejxhaneze nga Ermenia, kjo e fundit do të dërgon kurdët që ishin të vendosur më parë në Ermeni dhe e shpallin për shtet të pavarur të Kurdistanit. I pari që njohu këtë shtet është Bashkimi Sovjetik i dikurshëm, Rusia a tëhershme. Për kryetar emërohet Vekil Mustafijev, shef i zyrës kurde të dikurshme në Moskë. Ishte ndër shtetet e formuara kurde më të dobëta. Pas nj kohe të shkurtër mbaron së ekzistuari, ndërsa Mustafijev kërkon status të refugjatit politik në Itali.
Krahina Revxhafa e Kurdistanit (2016). Shpallet si krahinë autonome në veri të Sirisë pas luftimeve që bëhen në territorin e Sirisë.
Shënimi i autorit: Ky shkrim është botuar edhe më parë në tri vazhdime. Tani po e botojmë si tërësi, duke ia bashkangjitur dy vazhdimet e fundit, pjesës së parë…!
Discussion about this post