Rënia e Perandorisë Osmane shkaktoi një dis-balancë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e botës mbeti në mjegull, ndërsa regjione të tëra mbetën pa kufij administrativ e pa udhëheqje politike. Bota ishte në një kaos të vërtetë.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami:
Sikur shumë pjesë tjera të botës, edhe Lindja e Mesme filloi të ribëhej në një atmosferë të këtillë mjegullnaje. Shtetet bashkëkohore të Lindjes së Mesme lindën nga shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe nga ujditë e marrëveshjet që pasuan Luftën e Parë Botërore. Rënia e Perandorisë Osmane i la popujt e regjionit ndoshta të gatshëm për të ndërtuar shtetet e tyre, por të papërgatitur të përballen me sfidat që po i sjellte sistemi i ri ndërkombëtar. Për shkak se deri atëherë marrëdhëniet dhe komunikimi i kësaj hapësire gjeografike me Fuqitë e Evropës kalonin përmes Stambollit, arabët, kurdët dhe popujt tjerë të Lindjes së Mesme nuk kishin eksperiencë të mëparshme diplomatike. Mbase, arabët nuk kishin as mundësinë të shpreheshin teksa po copëtohej atdheu i tyre nën orientimin e Lidhjes së Kombeve. Lindja e Mesme u nda midis Fuqive fituese si një formë e re koloniale, e njohur me termin “mandat”. Brenda kufijve të këtyre shteteve lindën lëvizje nacionaliste të cilat, nga njëra anë i kundërviheshin sistemit kolonial, e nga ana tjetër, njëra tjetrës. Shtetet arabe si entitete tashmë të ndara filluan fraksionizmin dhe përleshjet e brendshme si dhe kacafytjet mes vete.
Marrëveshja e fshehtë Sykes-Pikot e vitit 1916, që kishte për bazë ndarjen e tokave në Lindje të Mesme e të cilat më parë si një regjion i vetëm dhe unik administrohej nga Perandoria Osmane, tani më, kjo marrëveshje fatale ishte bërë “brisku” që bënte copë-copë Lindjen e Mesme. Anglia, Franca, Italia dhe Rusia qitën para vete hartën e saj, dhe si të ishte një tepsi kërrlane e ndanë dhe e copëtuan. Përgjatë këtij copëtimi, kurdët mbetën në margjina duke i lënë pa një atdhe të mundshëm të tyre.
Kështu, pra, shpërbërja e Perandorisë Osmane në fund të Luftës së Parë Botërore (1914-1918) konsiderohet faktori më i rëndësishëm në tërheqjen e kufijve aktualë të Lindjes së Mesme. Siç thamë, si rezultat i kësaj lufte, vendet e Lindjes së Mesme u ndanë sipas interesave dhe spontaniteve të Fuqive të Mëdha. Popujt e rajonit as që u pyetën e as që u lanë të marrin pjesë në këto ndarje.
Ta marrin shembull kufirin e Jordanisë me Arabinë Saudite që në botën arabe njihet si “Lemza e Churchilit”. Kjo shprehje i referohet Winston Churchillit, këtij burrështetasi britanik që luajti një rol të madh në përcaktimin e hartës aktuale të Lindjes së Mesme. Sipas disa të dhënave, pas një dreke në 1921, Churchill, i cili shërbente si Ministër i Kolonive në kabinetin e Lloyd George, atë ditë u përpoq të tërheqë kufijtë e Jordanisë ndërsa ishte në një gjendje të dehur. Ndërkohë, që dora e tij rrëshqiste mbi hartën që e kishte mbi tavolinë, për shkak të gjendjes së tij të dehur, në një moment e kapë lemza dhe dora i rrëshqet matanë hapësirës që dëshiroi ta përkufizonte. Kufiri aktual mes Jordanisë dhe Arabisë Saudite i përngjet një trekëndëshi të madh i vizatuar si është më së keqi. Sado që saktësia e tregimit mund të jetë një temë diskutimi, mënyra spontane e vizatimit të kufijve në Lindjen e Mesme është e padiskutueshme.
Marrëveshja apo Traktati Sykes-Picot (1916), nëpërkëmbi interesat edhe të kurdëve dhe historinë e tyre, ndërsa territorin e kurdëve e shndërroi në një koloni të vogël e të shkelur brenda një kolonie të madhe gjithashtu të shkelur e të shtypur.
Së këndejmi, ristrukturimi i Lindjes së Mesme nuk e parashikoi krijimin e shtetit kurd. Megjithatë, ideja dhe vullneti i hekurt i këtij populli për të pasur një shtet sovran asnjëherë nuk u shua. Që nga ajo kohë e deri më sot, kurdët kurrë nuk pranë së kërkuari një atdhe që do ta gëzonin. Me gjithë që shumë herë bënë gabime të pafalshme politike, duke manovruar gabimisht e gjithnjë duke qenë viktima të pazareve politike e ndërkombëtare, kurdët nuk u pajtuan me realitetin e tyre të hidhur. Në të gjitha marrëveshjet që u arritën pas traktatit Sykes-Pikot, filluar prej vitit 1916 e deri në vitin 1938, shtetet e rajonit rrallë herë u ftuan në konsulta, dhe atë sa për sy e faqe, por asnjëherë kurdët. Përjashtim bëjnë Turqia dhe Irani që kishin arritur të konsolidonin radhët dhe të bëheshin faktorë, ani pse jo të rëndësishëm sa ishin Fuqitë e mëdha.
Kështu, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në fund të saj, u përgatitën platforma diplomatike dhe u morën vendime shumë të mëdha. Përpjekjet e kurdëve për ndonjë shtet eventual, ose pengoheshin me mjete diplomatike, ose shtypeshin me dhunë. Shembull i parë ishte rasti i Sheik Mahmut Berzencit, i cili zhvilloi luftë kundër ushtrisë britanike për të drejtat kombëtare të kurdëve, por ai u dënua nga vetë Anglia në 1919 dhe u internua në Indi, që edhe India ishte koloni britaneze.
Është një pyetje me rëndësi të parashtrohet këtu: Përse kurdët, për dallim nga të tjerët, nuk arritën të krijojnë një shtet, në kohën kur u vendosën kufijtë rastësorë në Lindje të Mesme?
Ka shumë përgjigje. Sidoqoftë, më kryesorja dhe më e qëndrueshmja është se vetë Fuqitë e Mëdha nuk dëshiruan krijimin e këtij shteti Në krye të këtyre fuqive, qëndronte Britania e cila konsiderohet kundërshtarja më e fuqishme e krijimit të Kurdistanit të pavarur. Dhe, përkundër asaj që mund të thuhet edhe ndryshe nëpër disa qarqe, sidomos në Lindje të Mesme, britanikët ishin ata që nuk i dhanë mbështetje kryengritjes kurde për pavarësi pas Luftës së Parë Botërore. Nga dokumentet arkivore britanike të cilat flasin mbi ngjarjet e asaj kohe, vërehet qartë se Londra zyrtare nuk dha pëlqimin për krijimin e një shteti kurd. Gjë që, edhe pse Britania nuk ishte e vetmja, sepse ishin edhe tri të tjera, Britania ishte kryesorja.
As në Traktatin e Sevres (1920), kurdëve nuk iu premtua decidivisht shtet i pavarur. Teksti i Marrëveshjes që ishte nënshkruar në Traktatin e Serves, sidomos nenet 62 dhe 64, flasin kështu: “Përgjatë një viti pasi të hyjë në fuqi ky Traktat, kurdët që jetojnë të rajonet e përmendura sipas nenit 62, nëse vërtetohet se shumica e popullatës donë të jenë të pavarur nga Turqia, nëse pastaj i drejtohen Lidhjes së Kombeve, dhe nëse Lidhja e Kombeve e vërteton se kjo popullatë është e aftë për pavarësi, pastaj, nëse Turqia e njeh dhe më pastaj heqë dorë nga aty, Turqia, që nga tani është e obliguar që në përputhje me këtë rekomandim, të heqë dorë nga të gjitha të drejtat dhe atributet tjera të saj mbi këto territore”.
Këto kushte e rekomandime të filluara me kaq shumë “nëse”, as nuk ishin të çiltra e as të mundshme për tu realizuar përgjatë vetëm një viti. Ç’është e vërteta, shtetet fitimtare që ishin ulur në tryezën e Traktatit të Serves, nuk dhanë asnjë premtim për krijimin e shtetit të kurdëve. Me gjithë që mbi harta viheshin disa kufij artificial, kjo nuk ishte më shumë se sa një taktikë diplomatike shpërqendrimi.
Shtrohet pyetja: Përse Fuqitë e Mëdha që dolën fitimtare nga Lufta e Parë Botërore nuk donin një Kurdistan?
Ja disa arsye. E para është se tokat të cilat i kërkonin kurdët, ishin po ato që i kërkonin edhe armenët. Lobi armen në SHBA q[ ishte i fuqishëm, vazhdimisht kishte bërë presion mbi qeverinë amerikane që pas luftës, Armenia të shtrihej edhe mbi disa regjione të Anadollit. Por kjo, nuk ishte arsyeja e vetme e as kryesore. Sepse, tek e fundit, kurdët mund të merreshin vesh me armenët dhe të ndanin mes vete tokat e Anadollit.
Sipas mendimit tonë, arsyeja kryesore për moslejimin e atëhershëm të krijimit të një shteti të pavarur kurd, fshihej në pjesën e fundit të nenit 64 të Traktatit të Sevres që ishte anashkaluar tërësisht. Sipas asaj që shkruhet në fund të nenit 64, nëse krijohen kushtet e nevojshme për themelimin e Kurdistanit, provinca e Mosulit (Irak) që ishte nën menaxhimin anglez, lehtë mund t’i ngjitej Kurdistanit. Po të dëshironin anglezët që Kurdistani të themelohej, askush nuk kishte fuqinë ta pengonte. Do të mjaftonte vetëm një fjali e anglezëve se janë për Kurdistanin që do të përfshinte e Mosulin, dhe kjo lehtë do të bëhej. Anglia e kishte këtë fuqi dhe lehtë mund ta zbatonte. E vërteta është se Anglia ishte përcaktuar për krijimin e një Iraku të pasur me naftë, me Mosulin pjesë e tij dhe nën menaxhim total të anglezëve.
Një shkak tjetër që pengoi themelimin e Kurdistanit ishte edhe suksesi i Lëvizjes Kemaliste në Anadoll. Kjo lëvizje kishte arrit t’i tërhiqte në radhët e veta shumicën e popullatës kurde. Është e dokumentuar se turqit kishin arritur të korrnin suksese në propagandën e tyre kundër anglezëve në Mosul e rrethinë por këtë nuk e bënin në tokat e Anadollit. Kështu, njësitë anti-britanike të organizuara në Mosul nga Komandanti i Forcave të Milicisë në Antep, Ozdemir Bej, kishin shqetësuar tejmase britanikët.
Dhe, kështu, për ta njohur më mirë gjendjen e tanishme të kurdëve dhe të rajonit, është e nevojshme të përmendi këtu edhe dy fakte tjera që ndërlidhen me Luftën e Parë Botërore:
Shtrohet pyetja: A është edhe më tutje valide Marrëveshja Sykes-Picot e vitit 1916?
Një. Personalisht mendoj se kjo marrëveshje e fshehtë kishte skaduar pas Luftës së Dytë Botërore. Problemet me të cilat ballafaqohej Britania në Irak pas pavarësisë së vitit 1932, Franca ballafaqohej me të njëjtat probleme në Siri në vitin 1940. Iraku u pavarësua në letër në 1932, ndërsa Siria në vitin 1946. Në të dyja këto vende, forcat nacionaliste arabe u krijonin probleme serioze këtyre dy shteteve kolonialiste. Pra, Iraku, Siria dhe Libani janë produkte të ndarjes së Lindjes së Mesme sipas Marrëveshjes Sykes-Picot.
Me kalimin e kohës, për shkak të dinamikave të brendshme që zhvilloheshin në këto tri shtete, shihej qartë se punët nuk po shkonin gjithnjë sipas dëshirave dhe interesave të Francës dhe Anglisë. Për më tepër, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara filluan të interesoheshin për Lindjen e Mesme. Për realizimin e interesave ekonomike, strategjike dhe nacionale, Amerika i dha krahun Arabisë Saudite, e bëri lodër dhe aleate të saj. Dhe kështu, SHBA-të tani e tutje do të bëheshin pjesëmarrëse e fuqishme, mbase kryesorja në ndarjen e tortës së pasur të Lindjes së Mesme. Andaj them se Marrëveshja Sykes-Picot më nuk është funksionale.
Dy. Mendimi se nacionalizmi kurd ka kontribuar në rrëzimin e Perandorisë Osmane, rrjedh nga një vështrim i gabueshëm i historisë. Lëvizja nacionaliste kurde, e cila dëshironte një shtet të pavarur ose autonom, mori hov dhe u bë populliste me rënien e Perandorisë Osmane. Kështu kishte ndodhur edhe me shqiptarët, të cilët, edhe kur po bëhej fjalë për pavarësinë e Shqipërisë, kishte zëra që flisnin se Shqipëria duhej të mbetej në një lidhje specifike me Perandorin Osmane. Me fjalë të tjera, nacionalizmi kurd nuk ishte shkaku i rënies së Perandorisë Osmane, por ishte pasojë e saj. Nga këtu edhe lind spekulimi i mundshëm se ideja për një Kurdistan të pavarur kurrë nuk do të merrte hov nëse nuk do të shpërbëhej Perandoria Osmane.
A ekziston sot ndonjë mundësi për një shtet të pavarur kurd?
Perandoria Osmane nuk ekziston më. Në veri të Irakut është krijuar njëfarë formacioni shtetërorë kurd, që deri në vitin 2017 kur u shpallë referendumi, nuk është as shtet, as jo-shtet. Megjithatë, në veri të Irakut kurdët janë shumicë ndërsa resurset kryesore të Irakut janë ne veri dhe menaxhohen nga kurdët. De fakto, mund të thuhet se në Irak ekziston një shtet kurd. Bile, atje ekziston një forcë mbrojtëse më e madhe se peshmergët, e ajo është ideja që nuk vdes kurrë për një shtet kurd të pavarur.
Të mos harrojmë, formacioni shtetëror siç është ky i kurdëve në veriut të Irakut mund të zhbëhet shpejt, mbase veç ka filluar, nëse Fuqitë e Mëdha nuk i mbështesin seriozisht kurdët për një shtet të pavarur me karakteristikat e nevojshme të një shteti sovran, sikur të gjitha shtetet.
Problemet që i kanë sjellë dy strukturat kinse shtetërore islamiste, si Shteti Islamik i Irakut, dhe ai i ISIS-it në Siri, vazhdimisht kanë reflektuar njëfarë frike, por edhe një nevojë për një fuqi tjetër e cila do t’i sfidonte këto dy organizma si-shtetërorë të rrezikshëm për rajonin dhe për interesat ndërkombëtare.
Sidoqoftë, u pa edhe kohëve të fundit, se tani më gjendja në Lindje të Mesme ka ndryshuar. Krijimi i një Kurdistani është bërë edhe më vështirë. Rusia më nuk është ajo e para 20 vjetëve, sikur që, Turqia, nga e saj ka arritur të shtrijë ndikimin e saj edhe atje ku para dy dekadave as që mund të flitej. Turqia atje, po shtrihet edhe me ushtri, e kjo bërë të mendohet se interesimi i saj për rajonin do të jetë edhe më insistues dhe afatgjatë.
E për fund, t’i kthehemi edhe një herë “Lemzës së Churchillit”. Tani për tani, kurdëve të Sirisë, Irakut, Turqisë e mbase edhe të Iranit u ka mbetur që të shpresojnë në ndonjë lemzë eventuale të Donald Trump, në bazë të së cilës, edhe një herë mund të vizatohen kufijtë e ri, shkel e shko të Lindjes së Mesme. Siç po shihet, shanca reale nuk ka. Aq më tepër, tërheqja e forcave të armatosura të SHBA-ve nga veriu i Sirisë, për kurdët qe një goditje e madhe, kësaj radhe, shumë më e madhe se që pësuan teksa i mashtruan me referendumin për pavarësi nga Iraku në vitit 2017.
(VAZHDON)
Në shkrimin e ardhshëm dhe të fundit: Si do të veprohet me kurdët, dhe çka do të bëjnë kurdët pas hyrjes së ushtrisë turke në Veri të Sirisë, dhe tërheqjes përfundimtare të ushtrisë Amerikane nga atje?
Discussion about this post