Autori i gazetës turke ‘Yeni Akit’, dhe i cili konsiderohet njëri prej kritikëve më të ashpër në Turqi, Abdurrahman Dilipak, sot ka shkruar një artikull tepër interesant.
Ai ka thënë se sistemi kapitalist është në krizë të madhe. Sipas tij, FED-i, FMN-ja dhe Banka Botërore shumë shpejt do të shëmben. Gjithashtu, thotë ai, edhe mbretëria e SHBA-ve do fillojë të bie në ditën kur do të bie dominimi i dollarit”, shkruan Gazeta Mejdani
Duke vënë në spikamë bindjen e tij se NATO e ka humbur rrugën në oborr, autori i gazetës Yeni Akit ka thënë se NATO që ishte krijuar si fuqi ushtarake për të mbrojtur Perëndimin nga komunizmi i kuq, tani më ka filluar ta humb kuptimin. Nëse komunizmi nuk ekziston më, atëherë edhe arsyeja e ekzistimit të NATO-s ka mbaruar.
Në të njëjtin artikull Dilipak shkruan se ka ardhur koha që gjërat të këputen aty ku ishin ngjitur më parë.
Prognozimet dhe tezat e Dilipak vazhdojnë edhe më tutje. Ai thotë se nëse shpërbëhet NATO, kapitalizmi do ta humb premisën më të rëndësishme të tij. Ngase, nëse e dobësoni dollarin, Amerika vetvetiu do të dobësohet. E me dobësimin e Amerikës, Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit do të mbeten pa asnjë vlerë. Do të mbeten emërtime të së kaluarës.
“Barazpeshat në marrëdhëniet ndërkombëtare po ndryshojnë. Nuk mund të kuptohen e as shpjegohen dinamikat e shekullit 21, me konceptet dhe institucionet e formësuara në fund të shekullit 19. Atëbotë, kur tërë dinamika dhe ngjarjet e kohës formësoheshin nën hijen e ekzistimit të komunizmit, kapitalizmit, e më vonë edhe fashizmit.
Andaj, thotë Dilipak, përderisa vendet perëndimore kanë filluar t’i ri-shqyrtojë raportet mes tyre, edhe Turqia do të duhej t’i shqyrtonte raportet e saj me Botën Islame, me Rusinë, me Kinën, me Indinë dhe me vendet tjera aziatike.
“Gjithë çka ishte për dje, i ka mbetur djeshit. E kaluara më nuk përsëritet. Andaj, ose duhet të fillohet me të rejën, ose zhdukja së bashku me të kaluarën është e paevitueshme”, ka thënë në fund të artikullit të tij, Abdurrahman Dilipak./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post