Ndryshimi nuk është një premtim kaq i qartë nëse nuk qërohen disa mjegullime që të përhershmit në pushtet si përfaqësues të shqiptarëve, Ali Ahmeti dhe BDI, nuk kanë ngurruar t’i hedhin edhe kësaj here sa për të kaluar lumin.
Shkruan: Vehap KOLA
Pasi i kanë lënë shqiptarët në mjerim ekonomik, shoqëror e kulturor dhe kanë shkaktuar hemorragjinë me të madhe demografike mes kësaj bashkësie shtetformuese, Ali Ahmeti dhe enturazhi i tij politik kanë menduar që gënjeshtrat e derisotme t’i mbulojnë me një gënjeshtër më të madhe: t’u premtojnë zgjedhësve të tyre kryeministër shqiptar.
Ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë zhvillimet janë të forta, shqiptarët e Maqedonisë duken të lënë në harresën e madhe. Madje, ata nuk marrin nga dy shtetet shqiptare as vëmendjen që gëzon Lugina. Nuk mund të thuhet me siguri nëse kjo është një harresë e qëllimshme e dy qeverive në Prishtinë dhe Tiranë, apo është një refuzim nga vetë faktorit politik shqiptar në Maqedoni ndaj protagonizmit shpeshherë të dëmshëm të përfaqësuesve politikë nga Shqipëria dhe Kosova. Të paktën një marrëveshje ndërmjet partive politike shqiptare e arritur me ndërmjetësimin e Edi Ramës në Tiranë u provua të ishte kundërproduktive për interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë harresë të plotë nga pjesa tjetër e bashkatdhetarëve, shqiptarët e Maqedonisë duket se kanë ngecur në ngërçin më të madh të historisë së tyre postkomuniste. Prej pothuajse 20 vitesh, në krahun shqiptar të politikës në Maqedoni nuk ndodh asnjë ndryshim. Asnjë përgjegjësi nuk mbahet dhe askush nuk ndëshkohet për dështimet dhe mosarritjet. Mos do të thotë kjo se, ndryshe prej sllavëve, shqiptarëve u kanë ecur punët për vijë, ndaj nuk është dashur as të kërkohet llogari e as të ndodhë ndonjë ndryshim?
Përgjigja është e qartë: shqiptarët jo vetëm vazhdojnë t’i kenë punët më keq, por ata janë edhe më të gënjyer, e për pasojë edhe më të zhgënjyer, se sllavët në Maqedoni. Dështimi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, thellimi i pabarazisë ekonomike, shoqërore e kulturore ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve, të shoqëruar nga disa përparime kozmetike në përdorimin e gjuhës apo emërimin si figurantë të disa shqiptarëve më shumë në administratën publike, e kanë bërë sot më shumë se kurrë të domosdoshme që bashkësia e dytë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut të ndalë hapin, të mbajë frymën dhe të kërkojë ndryshim.
Por ndryshimi nuk është një premtim kaq i qartë nëse nuk qërohen disa mjegullime që të përhershmit në pushtet si përfaqësues të shqiptarëve, Ali Ahmeti dhe BDI, nuk kanë ngurruar t’i hedhin edhe kësaj here sa për të kaluar lumin. Pasi i kanë lënë shqiptarët në mjerim ekonomik, shoqëror e kulturor dhe kanë shkaktuar hemorragjinë me të madhe demografike mes kësaj bashkësie shtetformuese, Ali Ahmeti dhe enturazhi i tij politik kanë menduar që gënjeshtrat e derisotme t’i mbulojnë me një gënjeshtër më të madhe: t’u premtojnë zgjedhësve të tyre kryeministër shqiptar.
A thua se padrejtësitë ndaj shqiptarëve që mund t’i zgjidhte zv.kryeministri, ministrat apo kryetari i Parlamentit janë sheshuar dhe kanë mbetur vetëm çështjet e fundit, të cilat do t’i vërë përudhë një kryeministër shqiptar. Siç duket kryeministri shqiptar do të luftojë korrupsionin në komunat e drejtuara nga BDI e Ali Ahmetit dhe do t’i shndërrojë qytetet dhe fshatrat shqiptare në të ngjashmit e tyre sllavë. Edhe shërbimi shëndetësor dhe edukimi i fëmijëve të shqiptarëve, mizerabël gjatë 20 viteve në qeveri të të përhershmëve në pushtet, kanë mbetur në këtë gjendje të mjeruar vetëm sepse kryeministri nuk kishte qëlluar i të njëjtës kombësi me ta.
Çuditërisht, fakti që kryetarët e komunave të Tetovës, Dibrës, Gostivarit, Çairit, etj, ishin shqiptarë nuk paska mjaftuar për të ndalur vjedhjen e fondeve publike prej vetë atyre, pasurimin e tyre të pandershëm dhe lënien e Gazi Babës, Reçicës dhe Dibrës në pikë të hallit. Madje, as fakti që një lumë ministrash të arsimit, mbrojtjes, drejtësisë, çështjeve sociale e të kulturës kanë qenë shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve, dhe në shumicë prej radhëve të emblemës së establishmentit, BDI-së, nuk e ka ndalur shfrytëzimin privat të buxhetit të ndarë për shqiptarët. Sepse, kur kryeministri të jetë shqiptar, ai nuk do t’i lejojë të gjithë këta funksionarë e përfaqësues të BDI-së të vjedhin ndihmën ekonomike për të varfrit, të zhdukin grantet e Bashkimit Europian për fermerët shqiptarë dhe të lënë Tetovën nën pushtetin e djegieve masive të mbeturinave jashtëçdo standardi shëndetësor e mjedisor.
Gjërat paskan qenë të thjeshta: në vend që të kërkohen gjithë ato ndryshime kushtetuese dhe ligjore, krijimi i gjithë atyre institucioneve dhe riformatimi i administratës publike, ligji për gjuhësinë etj, shqiptarët mund të kishin kërkuar vetëm postin e kryeministrit dhe t’i kishin fituar të gjitha. Por, qenkan dashur të kalojnë 20 vite me premtime të rreme, me ëndrra në diell, korrupsion, varfërim dhe papunësi, katastrofë arsimore dhe shëndetësore, dhe mbi të gjitha mungesë dinjiteti njerëzor për shqiptarët që establishment politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut të zbulojë nënën e të gjitha problemeve: mungesën e një kryeministri shqiptar.
Përballë ofertës “që të harrojnë gënjeshtrat e derisotme, ofroju një gënjeshtër shumë më të madhe”, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë më në fund një alternativë ndaj rokadës së mbyllur BDI-PDSH. Një bashkim ndërmjet dy subjekteve të reja politike, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës – parti të themeluara nga njerëz me mendësi politike europianiste – nuk po premton të fronësojë një shqiptar në karrigen e kryeministrit, por ta bëjë të parëndësishëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut etninë e individit që ulet në atë karrige. Nëse kuadri ligjor dhe praktika administrative vihet mbi bazat e drejtësisë dhe barazisë ndëretnike, se cilës etni do t’i përkasë kryeministri nuk ka më asnjë pikë rëndësie.
Sepse premtimi hutues për një kryeministër shqiptar është në thelb tribal dhe parathotë vazhdimin e erës së nepotizmit, korrupsionit nga rrethi i ngushtë partiak dhe mënjanimin e mëtejshëm të shqiptarëve. Pa u rishkruar themelet mbi të cilat është ngritur Republika aktuale, as nuk do të ketë kryeministër shqiptar, dhe as nuk do të ketë asnjë farë rëndësie edhe nëse kryeministër bëhet një shqiptar. Ai do të jetë një çirak politik i oligarkisë ekonomike e politike dhe nuk do të mendojë asnjë minutë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Koalicioni ndërmjet Aleancës dhe Alternativa-s angazhohet të ndalë hemorragjinë demografike mes shqiptarëve. Kjo është alfa e një politike për realizimin e barazisë ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Me shqiptarët që largohen për shkak të varfërisë, arrogancës së BDI-së dhe mungesës së shpresës, raporti ndëretnik që përcakton vendosjen e trajtimit të barabartë ndëretnik është i rrezikuar. E gjithë kjo nismë për të rishkruar me drejtësi themelet e Republikës nis me vendosjen e drejtësisë ndërmjet vetë shqiptarëve: depolitizim i administratës publike, politikat zhvillimore të zbatuara në mënyrë të ndershme, arsimimi modern dhe shërbime shëndetësore e komunitare dinjitoze.
Objektivi i madh i ndaljes së shpopullimit të trevave shqiptare është, pra, një objektiv ombrellë për një mori reformash politike, ekonomike, ligjore dhe kulturore. Programi që kjo aleancë e re u ofron shqiptarëve është në fakt një platformë shpëtimi për shtetin e përbashkët etnikisht simetrik. Me një kryeministër shqiptar nga radhët e BDI-së së korruptuar jo vetëm që nuk do të ndalet shpopullimi i Maqedonisë nga shqiptarët, por padrejtësitë do të shtohen edhe nga prishja e raporteve ndëretnike. Me një program që kërkon të ndërtojë shtetin për të gjithë, të luftojë korrupsionin, të zyrtarizojë plotësisht gjuhën shqipe, të emancipojë kulturalisht shqiptarët dhe të instalojë shtetin e së drejtës, fiton Maqedonia dhe fitojnë edhe qytetarët shqiptarë të saj.
Më 15 korrik, zgjedhësit shqiptarë në Maqedoni kanë dy zgjedhje: të votojnë për një shqiptar ose të votojnë për të gjithë shqiptarët, pra për Republikën si e tërë. Të parën e provojmë prej 20 vitesh dhe na ka sjellë në këtë derexhe. E dyta është votë e mençur dhe e drejtë, për shqiptarët dhe për çdo qytetar të Maqedonisë së Veriut.