
Nëse shikoni me kujdes, nuk është e vështirë të vëreni një nënkuptim të islamofobisë në shumë prej vendimeve të fundit të politikës së jashtme të Macron-it. Në një intervistë për “The Economics” më 9 nëntor, në të cilën ai e përshkroi NATO-n si “tru të vdekur”, Macron-i ishte shumë më pak i interesuar të diskutonte rreth Trump-it sesa për Turqinë. I pyetur nëse ai ende besonte në nenin 5 – nëse Franca ka detyrim ligjor të mbrojë vendet e tjera të NATO-s nga agresioni – ai u përgjigj se nuk e dinte.
Shkruan: Abdylvehab Ejupi
Më shumë se dy mijë vjet më parë shteti romak, së pari si republikë dhe, më vonë, si perandori, në organizimin e saj kishte disa qarqe ose zona. Në qendër të gjithçkaje ishte Roma, nga edhe ku rrjedh deviza e famshme se “Të gjitha rrugët shpijnë në Romë”. Pastaj vinte Gadishulli Apenin, pastaj kolonitë jashtë Gadishullit dhe më në fund territoret Aleate.
Banorët e Romës e kishin statusin e qytetarit romak (cives), që përfshinte të drejtën për të participuar në jetën politike, për të kryer shërbime publike dhe për të kryer shërbime ushtarake. Përfitimi i këtij statusi ishte ëndrra e të gjithë atyre që jetonin jashtë rrethit të parë të shtetit romak dhe ata ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për atë. Pas një lufte të ashpër dyvjeçare (90-88 p.e.s.), ky status ishte marrë edhe nga banorët e Gadishullit Apenin në jug të lumit Po. Në fazën tjetër, gjatë kohës së Jul Cezarit, nënshtetësia tomake u shtri edhe te banorët e kolonive, por jo te të gjithë. Ata që përfituan ishin kryesisht aristokratët dhe ushtarakët e dalluar. Më në fund, në vitin 212, shtetësia romake u shtri dhe përfshiu gjithë banorët e Perandorisë.
Rrethi i jashtëm i shtetit romak përbëhej nga aleatët (foederati). Këto ishin grupet me të cilat komandantët ushtarakë romakë lidhën marrëveshje aleance. Këto marrëveshje u miratuan nga Asambletë Centuriane. Fillimisht, aleatët kishin një autonomi të brendshme, por me kalimin e kohës ajo u ngushtua. Ata, zakonisht, paguanin haraç për Romën dhe, nga ana tjetër, Roma nuk i sundonte drejtpërdrejt. Në këtë mënyrë aleatët nuk e kishin statusin e një krahine Romake, por një status të ndërmjetëm.
Një nga grupet që kishin statusin e aleatëve të Perandorisë Romake ishin fiset gjermanike të frankëve. Ata e fituan këtë status gjatë shekullit IV pas Krishtit, një periudhë kjo e turbulencave të mëdha për Perandorinë. Me kalimin e kohës, frankët e përqafuan Krishterimin dhe e ndërtuan shtetin e tyre në rrënojat e Perandorisë Romake. Ai shtet e arriti kulmin në kohën e Karlit të Madh, i cili u shpall perandor në vitin 800 pas Krishtit. Vendi i tij e përfaqësonte Europën e parë të bashkuar. Ish-foedaritet – banorë të rrethit të jashtëm të Perandorisë Romake – u bënë bërthama e Europës.
Më vonë, Perandoria Frankiane u nda dhe nga ajo dolën shtetet e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të cilat, përsëri, gjatë gjithë historisë, do ta zhvillojnë idenë e një Europe të bashkuar. Rrathët koncentrike vazhdojnë…
Nevoja për reformim të BE-së
Në samitin e 16-18 tetorit të këtij viti të Bashkimit Europian në Bruksel, presidenti francez Emmanuel Macron vuri veto ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të BE-së, si Donald Tusk, Jean-Claude Junker dhe komisionari Johannes Hahn shprehen keqardhje për vendimin francez. Studiues dhe vëzhgues të ndryshëm e përshkruanin veton e presidentit Francez Emmanuel Macron si një “gabim” të madh, bile edhe historik. Por, vet Macron-i tha se Europa duhet të prodhojë metodologji të re për pranim të anëtarëve të rinj dhe se, përpara zgjerimit, BE–së i duhet thellim ose riorganizim më i mirëfilltë.
Baza teorike e vendimit të Macron-it dhe metodologjia që disa herë e potencoi ai është koncepti i një Europe të bashkuar si rrathë koncentrikë, gjë që daton që nga koha e Presidentit Francois Mitterand në vitet e ‘90-ta, ndërsa rrënjët e vërteta, siç u shtjellua më lart, i ka në antikitet, gjegjësisht në procesin e zgjerimit të Perandorisë Romake dhe në statusin e shtetësisë romake. Sipas këtij koncepti, Bashkimi Europian duhet të organizohet në disa rrathë koncentrikë, me Shtetet Anëtare të përfshira në të gjitha fushat e integrimit, në Qendër, dhe ato Shtete Anëtare të përfshira vetëm në disa aspekte, në Periferi. Presidenti Francez beson se Europa mund të përbëhet nga tre rrathë koncentrikë: i pari do ta mbulonte zonën e euros (që përbëhet nga 23 shtetet anëtare), ku mund të shprehej në federatën e plotë të Shteteve Anëtare; rrethi i dytë do t’i përfshinte Shtetet Anëtare të bashkuara në tregun e përbashkët (të gjitha 28 shtetet anëtare); dhe rrethi i tretë do ta mbulonte pjesën më pak të integruar të vendeve që i ndajnë të njëjtat vlera dhe parime, por që nuk janë anëtare të plotfuqishme (6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina potencialisht) dhe, ngjashëm si aleatët (Foederati) në perandorinë Romake që kishin status të ndërmjetëm, ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë një “Waiting Room” (Dhomë e Pritjes), me shpresë që ndonjëherë do të bëhen anëtarë të rretheve koncentrike të privilegjuara ose se ndonjëherë edhe ata do ta marrin statusin që kaq shumë kanë ëndërruar – atë të të qenit europianë ose “Qytetarë romakë”.
Ky koncept nga rrethi dhe këshilltarët e Macron-it është shpjeguar si “Integrimi europian përmes diferencimit” dhe ata besojnë se ky koncept i rrathëve koncentrikë mund t’i zhbëjë tensionet e brendshme dhe të jashtme dhe mund të ndikojë dukshëm në kohezionin dhe zhvillimin e BE-së.
JO zgjerim pa “Europianizim”
Duke arsyetuar “Jo”-në e tij historike për hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet e vogla të Ballkanit, Macron-i tha se ai nuk mund të sigurojë njerëzit e tij se “gjithçka po shkon aq mirë, sa do të hapim negociatat”, e nga ana tjetër kemi “mijëra e mijëra” shqiptarë që vazhdojnë duke aplikuar për azil në Francë.
Kjo frikë e imigracionit nga brenda Europës e tradhton principin fundamental të vet BE-së, që i sheh të gjithë europianët si të barabartë – me këtë i bie se disa europianë janë dukshëm më europianë se të tjerët (nga ku buron edhe iniciativa e rrathëve koncentrikë që i shpjeguam më sipër). Nuk është çudi që instrumentet dhe iniciativat e ndryshme, që janë pjesë e procesit të integrimit europian, quhen “europianizim”.
Kur jemi këtu natyrshëm mund të shtrojmë pyetjen dhe ta vazhdojmë analogjinë që kemi si subjekt në këtë shkrim, se nëse Perandoria Romake i shihte fiset në veri të frontiereve të saj (fiset gjermane) si barbarë, të egër, të pandryshueshëm dhe, mbi të gjitha, si kërcënim për të, Roma – që t’i mbajë nën kontroll dhe dalëngadalë “t’i romanizojë” – bënte marrëveshje dhe pakte të vazhdueshme me ta dhe prandaj edhe i emëroi si “aleatë”, me çka i përfshiu në rrethin e jashtëm, që do të thotë se nuk ishin armiq, por që edhe asnjëherë nuk do të bëheshin pjesë e rrathëve koncentrikë të brendshëm dhe, rrjedhimisht, asnjëherë nuk do ta fitojnë epitetin prestigjioz të të qenit “qytetar romak”.
Për ta vazhdar këtë analogji sot, mund të themi se përderisa BE-ja, me epiqendër në boshtin Paris-Berlin e sheh veten si epiqendër të civilizimit perëndimore me trashëgiminë filozofiko-politike greko-romake dhe atë shpirtërore judeo-kristiane, a do të thotë kjo se shikimi i tyre ndaj frontiereve të tyre juglindorë (Ballkani), me histori dhe trashëgimi të ndryshme (atë osmane dhe islame), shihet nga ata si prapambeturi e regres, por edhe si kërcënim potencial, pra si rrethi i jashtëm që vazhdimisht duhet t’u nënshtrohen reformave të vazhdueshme të “europianizimit”, por që asnjëherë nuk do të mund ta arrijnë atë emër të “shenjtë”, pra të qenit “europian”?! Kështu ky rajon, pra Ballkani Perëndimor, nuk do të jetë armik, por nëpërmjet procesit të pafund të europiaizimit, do të jetë nën kontroll, por as nuk do të jetë plotësisht e integruar dhe i barabartë me anëtarët e rrethit të parë koncentrik.
Vetoja franceze me burim tek Islamofobia?!!
Nëse shikoni me kujdes, nuk është e vështirë të vëreni një nënkuptim të islamofobisë në shumë prej vendimeve të fundit të politikës së jashtme të Macron-it. Në një intervistë për “The Economics” më 9 nëntor, në të cilën ai e përshkroi NATO-n si “tru të vdekur”, Macron-i ishte shumë më pak i interesuar të diskutonte rreth Trump-it sesa për Turqinë. I pyetur nëse ai ende besonte në nenin 5 – nëse Franca ka detyrim ligjor të mbrojë vendet e tjera të NATO-s nga agresioni – ai u përgjigj se nuk e dinte. Absurd i paparë. Në të njëjtën intervistë, ai papritmas sugjeroi që problemi i tij i vërtetë në Ballkan nuk ishte Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por Bosnjë-Hercegovina, duke e emëruar atë si “bombë të kurdisur”, e cila përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve. Kjo deklaratë nuk vonoi të gjejë mbështetjen e menjëhershme të Milorad Dodik-ut, kryesuesit të Republika Sërpska-s, që e thotë të njëjtën gjë tashmë për një kohë të gjatë.
Macron-i, siç duket, beson që Europa është në rrezik “të përvetësohet” nga Islami dhe kështu duhet mbyllur derën për Turqinë, Bosnjë-Hercegovinën “e rrezikshme”, si dhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me shumicë të konsiderueshme muslimane. Europa ende nuk duket e gatshme të pranojë zë ose veto myslimane në dhomat ekskluzive të Këshillit Europian. Ndoshta Macron-i nuk beson më se Islami mund të asimilohet dhe perspektiva e një komuniteti të madh musliman të paasimiluar dhe në thelb të ndryshëm e frikëson atë më shumë se gjithçka.
Sidoqoftë, vetoja thellësisht e gabuar e Macron-it, e arsyetuar mbi baza të dyshimta, definitivisht e venit ndikimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor e më gjerë dhe e hap rrugën për pasiguri dhe jostabilitet, por edhe për aleanca dhe mundësi te reja. Shpjegimet e tij pasuese vetëm se e përkeqësojnë dëmin e bërë tashmë.
Discussion about this post