Pavarësisht se është diskutuar shumë herë, NATO mbijeton. Por, një dhelpër tjetër ka hyrë në kotecin e pulave dhe ajo ka hasur përgjigjen tipike evropiane ndaj rrezikut: një kakarisje të fortë dhe shpupuritje pendësh.
Shkruan: Joshka Fisher
Dhelpra në fjalë është presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kohët e fundit e përshkroi NATO-n se po përjetonte një lloj “vdekje truri”. Askush nuk duhet ta aprovojë atë zgjedhje fjalësh – ose pasionin e ri të Macron për dialog me presidentin rus Vladimir Putin (unë, për vete, nuk e aprovoj) – që të kuptosh vrullin e argumentit të tij. Një ndryshim i thellë në përparësitë strategjike të SHBA-së nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump kërkon që evropianët të rishikojnë supozimet e mbajtura prej kohësh për mbrojtjen e tyre kolektive.
Kjo nuk është hera e parë që NATO-ja duket se mezi qëndron në këmbë. Shumë kishin arritur në të njëjtin përfundim para vitit 2014, kur aleanca kishte pak për t’u përqendruar përtej misionit në Afganistan. Kur Rusia aneksoi Krimenë dhe solli luftë në Ukrainën Lindore, ajo i dha frymë të re jete NATO-s.
Pastaj erdhi Trump, administrata e të cilit ka hequr mbështetjen për Evropën, braktisi lidershipin amerikan brenda sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ndoqi një politikë të jashtme nacionaliste, proteksioniste dhe unilaterale. Trump e ka shpallur NATO-n “të vjetëruar”.
Rezultati është që Evropa duhet të kujdeset për veten e saj për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, pas kaq shumë vitesh vartësie strategjike ndaj SHBA-së, Evropa është e papërgatitur – jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë psikologjik – për realitetet e ashpra gjeopolitike të ditëve të sotme. Kjo s’është askund më e vërtetë sesa në Gjermani.
E ardhmja e NATO-s është më e paqartë tani sesa në çdo kohë në historinë e saj. Menjëherë pas vitit 1989, pak veta dyshuan se aleanca do të ekzistonte akoma rreth 20 vjet më vonë. Por sot, pikëpyetjet për të ardhmen e saj burojnë jo vetëm nga Uashingtoni, por edhe nga Parisi. Mbijetesa e NATO-s nuk mund të merret më si e mirëqenë dhe evropianët nuk mund të presin 20 vjet për të kuptuar se çfarë duhet të vijë pas saj.
Midis kthesës nacionaliste të Amerikës, rritjes së besueshmërisë së Kinës dhe revolucionit digjital në vazhdim, Evropa nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të bëhet një fuqi më vete. Në këtë drejtim, Macron i ka rënë në kokë. Por, evropianët nuk duhet të krijojnë iluzione në lidhje me atë që do të kërkojë autonomia e mbrojtjes. Për Bashkimin Evropian, i cili e ka parë veten më tepër si një fuqi ekonomike dhe sesa si një fuqi ushtarake, kjo nënkupton një shkëputje të thellë me status quo-në.
Për të qenë të sigurt, NATO ende ekziston dhe ka ende trupa amerikane të vendosura në Evropë. Por, fjala operative është “akoma”. Tani që institucionet tradicionale dhe angazhimet e sigurisë transatlantike janë vënë në dyshim, shpalosja e aleancës është bërë më pak një çështje “nëse” sesa “kur”. Kur do të vendosë përfundimisht Trump se është koha për ta anuluar të gjithë këtë gjë? Për evropianët, do të ishte marrëzi të rrinin ulur duarkryq dhe të presin fatin e tyre të vijë nga qielli.
Macron e kupton këtë, ndërsa Gjermania, si zakonisht, po i shërben thjesht angazhimeve të saj të vjetra, duke premtuar se do të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes, por duke bërë shumë pak progres. Macron e kupton se prishja e mbrojtjes së Evropës pas tërheqjes së trupave amerikane do të ishte shumë më e ashpër nga sa presin disa. Ajo do të shpalosej jo si një tranzicion gradual, mezi i dukshëm, por si një shkëputje e papritur.
Nëse Evropa dëshiron ta parandalojë ose ta paktën të vonojë atë rezultat, ajo duhet të bëjë investime thelbësore në ushtrinë e saj dhe të zgjerojë aftësitë e veta në një shkallë masive. Me fjalë të tjera, ajo duhet të veprojë sikur shkëputja tashmë të ketë ndodhur.
Për pjesën më të madhe të historisë së saj moderne, Evropës i është dashur të përballet me dy sfida: një qendër e turbullt (Gjermania) dhe një krah lindor i pambrojtur (Rusia dhe tani Kina), i cili ka qenë gjithmonë i hapur në aspektin gjeopolitik. Që nga themelimi i saj, NATO ka shërbyer si një zgjidhje për të dy këto probleme.
Teksa dikush shikon më në lindje brenda NATO-s dhe BE-së, ai has një frikë sigurie gjithnjë e më të madhe midis shteteve anëtare. Kjo nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike të këtyre vendeve me Rusinë dhe historinë e gjatë të imperializmit rus, të manifestuar së fundmi në aneksimin e armatosur nga Rusia të Krimesë dhe luftën në Ukrainën Lindore. Për këto vende – duke filluar nga Polonia dhe vendet baltike – integrimi i Amerikës në mbrojtjen evropiane përmes NATO-s është i domosdoshëm.
Duke pasur parasysh rreziqet gjeopolitike përsa i takon krahut lindor të Evropës, NATO garanton një formë të domosdoshme sigurie, madje nxit solidaritetin dhe unitetin brenda BE-së, duke kërkuar që secili anëtar të kontribuojë me pjesën e tij në mënyrë të drejtë për një të mirë më të madhe. Zhvendosja nacionaliste e Trump nën moton “Amerika e para” papritmas e ka detyruar Evropën të përballet me çështjen e sovranitetit të saj, që do të thotë të bëhet një fuqi e pavarur teknologjike me aftësinë për të vepruar me vendosmëri si një front i bashkuar. BE-ja kurrë nuk do ta kishte bërë këtë me vullnetin e vet. Trump, cilido qoftë qëllimi i tij, po e detyron Evropën të rikrijojë veten. Për të ruajtur NATO-n, BE-ja duhet të veprojë njësoj sikur aleanca tashmë të ishte zhdukur. /Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/
Discussion about this post