Ministria e Bujqësisë përveç me subvencione e grante, këtë vit, fermerët do t’i mbështesë financiarisht edhe me “Programin për Integrimin Social – Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”. Me këtë program ministria synon përmirësimin e kushteve të fermerëve në zonat rurale dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
18 tetori është dita e fundit kur fermerët nga i gjithë vendi mund të aplikojnë për mbështetje financiare në kuadër të “Programit për Integrimin Social – Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”.
Ministrja e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, ka thënë për Radio Kosovën se ky program ka për qëllim mbështetjen e fermerëve të vegjël në disa fusha.
“Ministria, për këtë program ka ndarë 3 milionë euro dhe parasheh mbështetje për sektorin e pemëtarisë, serave, qumështit, prodhuesit e vezëve dhe mishit në sistemin e mbajtjes së lirë në natyrë. Po ashtu, do të përkrahen edhe prodhuesit e mjaltit dhe grumbulluesit dhe përpunuesit e prodhimeve të frutave të malit”, tha ajo.
Ministrja e Bujqësisë, Zhiviq, thotë se me këtë program synojnë përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të fermerëve në zonat rurale si dhe krijimin e vendeve të punës. Ajo tregon për radion tonë se do të mbështesin projekte në vlerë maksimale deri në 15 mijë euro.
“Programi synon të mbështet fermerë që nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë “Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020”, për shkak të kritereve të larta. Kështu, ne kemi përgatitur këtë program i cili për herë të parë synon t’i përkrahë këto ekonomi bujqësore familjare, kryesisht gjysmë komerciale”, ka thënë Zhiviq.”
“Programi për Integrimin Social – Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet” i Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit zbatohet për herë të parë. Afati për aplikim ka filluar më 18 shtator dhe zgjat një muaj. Për informatat lidhur me procedurat e aplikimit dhe kriteret e vlerësimit, fermerët mund të informohen në ueb faqen e Ministrisë së Bujqësisë dhe atë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Discussion about this post