Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po prodhon nëntë pika, të cilat përveç çështjes së të pagjeturve, të gjitha janë në interes të Serbisë.
Ai ka thënë se këto pika të cilat po diskutohen mes koordinatorit të Kosovës, Skënder Hyseni dhe atij Serbisë, Marko Gjuriq me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, janë tmerrësisht të dëmshme për ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Kthimi i serbëve të zhvendosur, kthimi pronave për Serbinë, eksterritorialitet për kishën Serbe, kthimi i tregut për Serbinë dhe asociacioni me kompetenca ekzekutive me shtet brenda shtetit të Kosovës e shumëçka që vetëm ëndërr do kishte parë Millosheviqi”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ironia më e madhe dhe poshtërimi që i bëhet Kosovës, është hapja e debatit për njohje reciproke.
“Hysenit e Lajçakut duhet tregu që debat për njohje kemi pasur 20 vjet, dhe ky debat mundet me zgjat edhe 50 vjet tjera. Në Bruksel po përgatitet zhbërja e shtetit të Kosovës dhe hapja e debatit a ta njoh atë shtet të dështuar Serbia a po jo”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se Avdyli, përveç Vjosa Osmanit, ishte një nga deputetët të cilët nuk e kanë votuar qeverinë Hoti.