Daut Haradinaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, mendon se reciprociteti ndaj Serbisë është më shumë kamuflim se që mund të realizohet. Ai thekson se Serbia nuk e ka njohur realitetin e ri të Kosovës dhe për këtë arsye nuk duhet të hiqet taksa.
Ai ka përmendur arsyet pse është vendosur taksa në vitin 2018 dhe pse nuk duhet të hiqet tani.
“E para duhet me kuptu saktë pse është vendos taksa, nuk është vendosur vetëm për shkak të raporteve në të kaluarën me Serbinë, por edhe për shkak të fushatës që bënte Serbia ku Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol. Serbia nuk ka ndërruar në raport me Kosovën. Reciprociteti më shumë kamuflim. Për reciprocitet nuk kam pa asgjë konkrete se çfarë formati do të jetë reciprociteti.”, tha Haradinaj në emisionin ‘Pressing’.
Sipas tij, Kurti e ka marrë me nxitim çështjen e taksës.
“Perderisa Serbia nuk e ka njohur realitetin e ri në Kosovë, nuk e shoh të arsyeshme që duhet me u nxitu. Me kaq nxitim, akoma pa e marrë mirë përgjegjësinë”, thotë më tutje Haradinaj.
Vëllau i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, thotë se nëse Kurti dëshiron të mbahet mend si kryeministër i fortë, ‘duhet të insistoj që taksa të mos hiqet’.