
Ne të gjithë u gëzuam që kryeministri Kurti takoi sekretarin e pëgjithshëm të NATOs, dhe që mori sigurime nga NATO-ja për mbrojtjen e Kosovës. Por në konferencën për shtyp, nuk e pamë flamurin e Kosovës. Interpretojeni si të doni, por është mungesë e rëndë aq më tepër kur presidenti serb u njoh si burrështetas i një shteti sovran.
Shkruan: Sead Zimeri
Europës nuk i intereson për shqiptarët nëse janë popull i mirë e i lashtë në Ballkan. Asaj nuk i intereson kultura apo politika lokale shqiptare. Ne mund të zhdukemi nga faqja e dheut dhe ajo të vazhdojë pa humbur asgjë. E keni pra parasysh se sa të pavlerë jemi për Europën. Ne mund t’i këndojmë dhe t’ia bëjmë qejfin vetes duke krijuar iluzionet se Europa ka interesj jetik për neve, se ajo na don e ka miqësi të hershme me ne sepse ne jemi europianë e jo aziatikë, etj. Këto janë pallavra. Ky është iluzioni vetëmashtrues që duhet ta flakim sa më parë. Europës nuk i intereson as për Serbinë, sepse edhe kultura serbe është kulturë lokale. Si ke si ske, është njëjtë për Europën.
Europës i intereson që të ketë paqë dhe stabilitet në Ballkan, që mos të bëhen trazira dhe konflikte që shqetësojnë ndërgjegjen dhe interesat e saj. Përtej kësaj, nuk i intereson asaj për neve.
Nuk kemi nevojë të vetëmashtrohemi por kemi nevojë që t’i heqim syzet rozë dhe ta shohim realitetin ashtu siç është, me gjithë shëmtinë e saj. Ky është në fakt i vetmi akt emancipues dhe patriotik, sepse kur e kupton që je vetëm, atëherë e kupton po ashtu që duhet ta marrësh fatin tënd në duart tua. Vetëmashtrimi është vetështypje.
Çfarë duhet të bëjmë pra? Nuk e di. Por e di që nuk duhet të vazhdojmë të urrejmë njëri tjetrin sikur të ishim armiq të përjetshëm dhe që duhet ta pranojmë njëri tjetrin ashtu siç jemi tani. Ndoshta duhet të bëjmë një marrëveshje kulturore kombëtare ku në vija të trasha pajtohemi për parimet që do t’i përvetësojmë si parimet tona. Do të merremi vesh sepse pa një lloj pakti të këtillë, që për disa mund të jetë i dhimbshëm e për të tjerët më pak i dhimbshëm, nuk do të arrijmë asgjë. Në këtë marrëveshje të gjithë do të pajtohen për disa parime të përgjithshme dhe do të zotohen që do të punojnë për realizmin e tyre. Kjo kontraktë shoqërore duhet të marrë pëlqimin e të gjithëve, dhe duhet të jetë kontraktë progresiste ku asnjë qytetar nuk trajtohet ndryshe apo si qytetar i rendit të dytë. Do të jetë mbi çdo politikë ditore, mbi çdo politikë partiake, dhe mbi çdo politikë shtetërore që nuk respekton paktin. Nuk do të jetë marrëveshje e detyreshme politike, siç është kushtetuta, por marrëveshje shoqërore dhe kulturore, një afirmim i vlerave të përbashkëta si vlera kulturore kombëtare, me në krye respektimin e lirive dhe të drejtave të individit si kod kulturor dhe jo vetëm politik. Ky duhet të jetë projekt gjithëkombëtar, një vizion apo një rilindje e përbashkët. Duhet të lëvizim në kahjen që lëviz bota, jo kundër saj, dhe si kulturë të aspirojmë ta ngritim veten gjithnjë e më lartë.
E di shumë mirë që kjo që thash në paragrafin e fundit është vetëm ideal, por nëse duam që të fitojmë respektin e vetes para së gjithash por edhe atë të të tjerëve atëherë ne duhet të rikrijojmë veten, ta rilindim veten me një projekt gjithëkombëtar, me një kulturë që mund t’i absorbojë në vetvete si pjesë e saj identitetet e ndryshme të qytetarëve.
Duhet të fillojmë të mendojmë bashkarisht për të ardhmen tonë kulturore. Por nuk mund të bëhet asnjë përparim në këtë drejtim përderisa ne denigrojmë njëri tjetrin, i fyejmë fe e traditë, dhe duam t’ua imponojmë koncepcionin tonë për të mirën e përgjithshme. Na duhet një vetëdije më e lartë dhe më tolerante se kjo që kemi sot. Kjo që kemi sot është kulturë autoritare, despotike, patriarkale, jodemokratike dhe joliberale. Duhet ta ndryshojmë mendësinë pasi atë e kemi të përbashkët. Ne kemi nevojë për një revolucion kulturor dhe përmbysje të mendësisë që ende nuk njeh pavarësinë e individit.
Por mbi të gjitha, kemi nevojë urgjente që kultura jonë e përnashkët të depolitizohet në kuptimin e keq të fjalës politikë. Aktualisht kultura shqiptare është kulturë e tejpolitizuar, ku as për për filozofi dhe art abstrakt nuk mund të flitet pa e bërë çështje politike. Dhe politika tek ne nuk është politikë universale, kosmopolite, por është politikë identitare e nivelit më të ulët partiak. I shohim dhe i vlerësojmë gjërat sipas interesave të ngushta partiake por mundohemi t’i paraqesim këto interesa si interesa gjithëkombëtare.
Nuk kemi sfond të përbashkët të vlerave kulturore që janë edhe universale edhe kombëtare, që mund të themi me krenari se të jesh shqiptar, pë shembull, do të thotë të jesh i lirë apo demokrat. Në Europë gjithandej vlerat universale paraqiten edhe si vlera kombëtare. Çfarë do te thotë të jesh danez? Do të thotë, pë shembull, që kultura daneze beson dhe promovon barazinë gjinore si vlerë fundamentale morale, kulturore dhe politike të saj. Kur na pyesin neve çfarë do të thotë të jesh shqiptar, ne nuk kemi pëgjigje të njëjtë. Ende nuk më ka rastisur të lexoj apo dëgjoj ndonjëherë që të jesh shqiptar është të kesh një ideal të përbashkët kombëtar të rrënjosur në vlera universale. Gjithë çka dëgjoj dhe lexoj është një përgjigje që t’i fut ethet në trup: të jesh shqiptar do të thotë që kemi këtë origjinë historike. Pra nuk e konceptojmë identitetin tonë si projekt i përbashkët politik e kulturor, i ngritur mbi vlera universale dhe humane, por si gjenealogji historike. Ne jemi shqiptarë sepse katragjyshët tanë ishin me gjasë shqiptarë. Edhe nëse na rastis të identifikohemi me ndonjë vlerë ato janë vlera lokale të së kaluarës: të jesh shqiptar do të thotë të jesh trim e mikëpritës. Një kulturë që e sheh veten vetem nga aspekti i të kaluarës së saj, është kulturë në rënie dhe aty shfaqen të gjitha simptomat e degradimit kulturor, në çdo aspekt, në politikë, në art, në publik dhe në privat.
Është tragjike për një popull ta vlerësojë veten, historinë e vet, kulturën e vet nga interesa të ngushta dhe afatshkurta partiake. Është tragjike të mos e kuptojmë që jemi lokal deri në grykë dhe nuk shohim më larg se interesi partiak. Edhe më tragjike se kjo është që vlerat universale kur ato vështrohen nga dioptria e ngushtë e interesave partiake, dalin të çoroditura. Si mundet një i verbër të të japë shikim?
Duhet përfundimisht ta ndajmë kulturën nga politikat partiake. Kulturë prodhojnë vetëm ata që nuk zhyten në parti, që mundohen ta ruajnë një pavarësi intelektuale në këtë moçal kulturor ku asgjë nuk lëviz sepse të gjithë jemi zhytur aty dhe nuk shohim më larg se interesi jonë personal. Kulturën nuk e bejnë politikanët por krijusit e saj, që nga kuzhina ku përgaditet ushqimi e deri tek institucionet e dijes dhe artit. Ne kemi nevojë urgjente për emancipimin të kulturës nga mëndësia shtypëse edhe kur ajo vesh rrobat e modernes. Ne kemi disa shqiptarë jashtëzakonisht të zgjuar që e njohin mirë jo vetëm kulturën shqiptare por edhe ato perendimore dhe lindore, e që mund të inkuadrohen në një projekt të këtillë kulturor.