“Pas shumë shqetësimeve që i kemi pranuar nga qytetarët dhe opinioni publik për rritjen e produkteve ushqimore gjatë situatës së krijuar të COVID-19, dhe pas mbledhjes urgjente të qeverisë së Kosovës që u mbajt mbrëmë në ora 20:00, zëvendëskryeministri Hoti propozoi një Komision ekzekutiv në përbërje të Autoritetit të Konkurrencës dhe disa ministra për ta monitoruar keqpërdorimin e çmimeve në situatën e tillë emergjente”, ka bërë të ditur Prestreshi për Indeksonline.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen urgjente të Qeverisë mbrëmë pas vendimit që të mbyllen shkollat, shkaku i koronavirusit, tha se duhet formuar një komision që monitoron rritjen e çmimeve të produkteve.
Ndërsa edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka reaguar përmes një postimi të bërë në Facebook, lidhur me ngritjen e çmimeve.
“Në kuadër të masave për menaxhimin e situatës me koronavirusin, nuk do të ketë asnjë kufizim në tregti. Marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara. Në gjithë botën, edhe aty ku ka epidemi, tregtia vazhdon. Pra nuk ka nevojë të blini mallra dhe gjësende më shumë se zakonisht.
Po ashtu, i bëjmë thirrje tregtarëve të mos i shtrenjtojnë produktet pa nevojë dhe artificialisht. Ky shtrenjtim duhet ndalur, ndryshe Qeveria do të detyrohet të marrë masa”, ka shkruar Abazi.
Ai ka përsëritur gjithashtu se nuk do të ketë asnjë kufizim të tregtisë së jashtme dhe të brendshme. Kështu ndodh dhe në të gjitha vendet e botës, kështu ndodh dhe te ne. Marketet do të kenë vazhdimisht mallra, njësoj si më përpara./Indeksonline