
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për vizitën që kishte në Bruksel. Me vete në raportim ai ka marrë edhe dosjen nga emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe atë që e kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.
Ai ka thënë se në dosjen e trashëguar nuk ka asgjë substanciale por vetëm tregojnë për mbajtjen e takimeve për të cilat tregojnë se kanë shkuar mirë.
Bislmi ka treguar se është takuar me Veton Surroin, Blerim Shalën dhe Skender Hysenin, por që takimin me të e ka refuzuar Edita Tahiri.
“Hapi i parë që kemi marrë ka qenë grumbullimi i informacioneve, kam pas dokumente sporadike. Kam taku ish-negociatorët. Kam takuar z.Surroi, z.Shala po edhe z.Hyseni, kam provuar që të takojë edhe Edita Tahirin po ajo ka refuzuar që të takohet me arsyetimin se çështja është e ndishme. Z.Hyseni na ka thanë se është përgatitë një dosje komplete, që iu është dorëzu qeverisë së re, por, kjo dosje nuk ka ekzistu”, tha ai.
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se nuk ka pasur dialog vetëm se ekipi ka pasur nevojë të informohet se çfarë ka ndodhur pasi nuk kanë gjetur asnjë dokument, transmeton KosovaPress.
“Nuk ka pasur dialog por ka pasur nevojë që ekipi ynë të informohet se çfarë ka ndodhur. Ne kemi gjetur zero dokumente për dialogun pasi e kemi formuar qeverinë e re. Kemi grumbulluar dokumente të cilat kanë qenë sporadike. Kam provuar të takojë edhe Edita Tahirin, e cila ka mohuar se çështja është e ndjeshme. Është obligim që të barten informatat. Kur e kemi takuar Skender Hysenin ka thënë se kanë përgatitur një dosje. Në këtë dokument nuk ka asgjë konkrete, përveç se takimi është shumë i mirë, jemi nisur në këtë kohë. Por nuk ka pasur substancë”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka shtuar se Lajçak ka qenë i gatshëm që të dorëzojë të gjitha dokumentet që ka, ku me të njëjtin ka pasur dy takime.
Kryetari i komisionit, Haki Abazi ka insistuar të dijë në lidhje me atë se a është përmendur Asociacioni i komunave serbe nga Ana Maria Boura, dhe a është pranuar nga paraardhësit.
“Nuk ka dhënë opinion të veta. Nuk ka folur as për kompetenca, Asociacioni është shpjeguar nga një nga zyrtarët e Lajçak”, ka shtuar ai.