Blerim Latifi, ka komentuar në lidhje me ecjen në këmbë pa mbrojtje të afërt të kryeministrit Albin Kurti gjatë ditës së sotme, fotografitë e së cilit ngjallën shumë reagime në publik.
Latifi një gjë të tillë e ka quajtur mendjelehtësi, pasi që sipas tij ecja në këmbë e kryeministrit pa mbrojtje të afërt nuk është virtyt dhe as modesti.
Madje filozofi Latifi, këtë shëtitje të kryeministrit Kurti, e ka cilësuar papërgjegjshmëri ndaj vendit, pasi që sipas tij, Kosova është vend ku stabiliteti i shtetit varet në masë të madhe nga siguria fizike e liderëve të saj.
“Ecja e kryeministrit në këmbë dhe pa mbrojtje të afërt, nuk është virtyt, e as modesti. Është mendjelehtësi. Në vende, si Kosova, ku stabiliteti i shtetit varet në masë të madhe nga siguria fizike e liderëve të tyre, shetitja si qytetar i zakonshëm është papërgjegjshmëri ndaj vendit. Kosova nuk është Skandinavi, ku edhe po ndodhi ndonjë atak mbi krerët e shtetit, shteti nuk tronditet. Ne jetojmë në Ballkan, për të cilin ende vlen metafora e fuqisë së barotit. Fatkeqësisht!”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Kurti ka publikuar fotografi në rrjete sociale, ku shihet duke ecur në këmbë në rrugët e qytetit, ku ka shkruar se duhet të shmanget lëvizja me automjet sa herë që është e mundur.
E një shëtitje e tillë, u bë një ditë pasi zëvendësministri i Kurtit, Avdullah Hoti, është sulmuar me vezë nga disa qytetarë.