Gazetarët e njohur, Adriatik Kelmendi, Berat Buzhala, Rrahman Paçarizi, Arben Ahmeti e të tjerë, kanë kërkuar që të anulohen votat e ardhura nga Serbia. Ata kanë thënë se nëse këto vota pranohen, mos të habitemi në qoftëse në zgjedhjet e ardhme Lista Serbe shpallet fituese e zgjedhjeve në Kosovë.
“Nëse nuk anulohen votat e paligjshme nga Serbia, me një presedencë të tillë – mos iu shkoftë mendja! – në zgjedhjet e ardhshme, fare lehtë, mund ta shohim të vijë në jetë një skenar si ky: Danilos i nevojiten vetëm numrat personalë të 150 mijë personave, të ulet në një kafene të tymosur në Prokuplje, t’i plotësojë ato doravetë, t’i bie fizikisht deri në Postën nr. 6 në Prishtinë, t’i bëjë bashkë ato vota me rreth 50 mijë vota të serbëve brenda Kosovës dhe – ja ku jemi! – ta shpallë Listën Serbe si fituese të zgjedhjeve në Kosovë”, ka shkruar Adriatik Kelmendi në një status në Facebook.
Ai thotë se kjo s’duhet të lejohet të ndodhë! Jo pse bëhet fjalë për një parti, cilado qoftë ajo, jo pse bëhet fjalë për një etni, cilado qoftë ajo, por se bëhet fjalë për deformim të vullnetit të qytetarëve votues për zgjedhjet në Kosovë.
“Një herë e mirë, një praktikë e këtillë manipuluese duhet të ndalet”, ka shkruar Kelmendi.
Ndërsa gazetari Berat Buzhala ka shkruar se mos me të pelqy Nisma dhe Fatmir Limaj është diçka tjetër, edhe me u mundu ilegalisht me e mbajtë nën prag është diçka krejt tjetër.
“Ajo çfarë Limaj tregoi në “Pressing” për votat e ardhura nga Serbia ishte e tmerrshme. Ato thjesht nuk janë vota. Ato janë porosi e Beogradit, duke mos i respektu ligjet tona”, ka thënë Buzhala.
Ai thotë se ka ndodh edhe në të kaluarën njëjtë? Sigurisht, ama tash ka viktima konkrete.
“Nuk mundesh me një proces joligjor me kërku me vu drejtësi. A do të ishte parlamenti dhe politika ma e mirë për Nismën. Po, ka mundësi. Mirëpo kështu nuk mendojnë 42 mijë qytetarët tanë”, ka thënë ai duke shtuar se plot njerëz e pengojnë në kafe, ama nuk mjafton veç ky fakt me i qitë jashtë.
Anulimin e votave nga Serbia e ka kërkuar edhe gazetari Rrahman Paqarizi. Ai ditë më parë në një status të postuar në llogarinë e tij në Facebook kishte thënë se votat e diasporës të ardhura me vonese duhet të numërohen, por votat e Serbisë duhet të anulohen.
“Të numërohen votat e diasporës e të anulohen votat e ardhura në mënyrë të parregullt nga Serbia”, kishte shkruar Paqarizi.
Ndërsa gazetari Arben Ahmeti ka thënë se nuk është e vërtetë që gjithmonë kështu është votuar nga Serbia. Ai thotë se ka pasur manipulime edhe në zgjedhjet e mëhershme por atëherë ka pasur një ndërmjetëses në grumbullimin e tyre, OSBE.
“Në zgjedhjet e vetme ku nuk pati OSBE nuk pati nevojë për manipulim nga Serbia. Sepse ishte vetëm një subjekt serb që garonte. Vetëm Lista Serbe. Këto ishin zgjedhjet e vetme kur disa politikan të guximshëm nga radhët e serbëve të Kosovës kandiduan dhe i bënë karshillek serioz listës. Ne dështuam t’i mbrojmë ata dhe t’i japim diçka elementare si gara e drejtë. I lamë nën presion dhe viktima të votave të kontaminuara e të organizuara sipas tekeve të Gjuriqit”, ka thënë Ahmeti.
Kërkesa për anulimin e 5 mijë votave nga Serbia, sipas Ahmetit, nuk ka të bëjë me Limajn, as VV-në e as LDK-në por ka të bëjë me dinjitetin e shtetit.
Anulimin e këtyre votave nuk e ka kërkuar vetëm lideri i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, fati i së cilës varet nga këto vota, por e kanë kërkuar edhe shumë gazetarë të tjerë, juristë e analistë politik.
Discussion about this post