Komisioni Evropian njoftoi se është miratuar propozimi për ndihmën financiare për dhjetë vende me qëllim të parandalimit të ndikimit të COVID-19 në ekonomitë e tyre
Bashkimi Evropian (BE) po përgatitet të sigurojë tre miliardë euro ndihmë makro-financiare për dhjetë vende, përfshirë edhe vendet nga Ballkani Perëndimor, në vazhdën e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Evropian njoftoi se është miratuar propozimi për ndihmën financiare për dhjetë vende me qëllim të parandalimit të ndikimit të COVID-19 në ekonomitë e tyre.
Sipas këtij vendimi, Shqipëria pritet të marrë 180 milionë euro ndihma, Kosova 100 milionë euro, Maqedonia e Veriut 160 milionë euro, Bosnja e Hercegovina 250 milionë euro, Mali i Zi 60 milionë euro, ndërsa vende tjera që përfshihen nga propozimi janë Gjeorgjia, e cila do të marrë 150 milionë euro, Jordania 200 milionë euro, Moldavia 100 milionë euro dhe Tunizia 600 milionë euro.
Ndihma më e madhe do të shkojë në Ukrainë, në shumën prej 1.2 miliardë euro. Pritet të miratohet mbështetja e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian.