Në “siklet” për formimin e Qeverisë së re të Kosovës kanë ra më së shumti Hashim Thaci e Isa Mustafa se sa vet Albin Kurti i cili është në presion të dorëzimit të detyrës. Arsyeja e këtij vrapi të Thacit duket sheshit por ngutia e LDK-së është befasuese dhe shqetësuese.
Kur them këtë kam parasysh këto fakte:
E para ende nuk janë shtjerrë të gjitha mundësitë legjislative e kushtetuese të partisë së parë, pra të VV-së për rikandidim të një mandati të dytë. Së paku deri më tash nuk kemi parë njjë rëfuzim të VV-së e të Kurtit për një mandat të ri. Aq më tepër kemi lexuar dhe dëgjuar përgjigje në letrat e Kurtit dhe të zyrtarëve të tjerë të LDK-së, Nagavci etj, se VV- ja në një moment të përshtatshëm do të dorëzojë emrin e mandatarit të ri të Qeerisë.
E dyta, në të gjitha interpretimet e deritashme të Kushtetutës, nga njohës e madje edhe nga hartues të Kushtetutës kemi dëgjuar e lexuar mendime të ndryshme por gati të gjithë janë të një zëri se Kushtetuta nuk parasheh ndonjë afat kohor se kur duhe të dorëzojë emrin e mandatarit te Presidenti, partia fituese. Pra, kjo i jep mundësi ligjore e kushtetuese VV-së që të vonojë deri në pa kufi dorëzimin e emrit të mandatarit të ri.
E treta, LDK megjithëse po tregon gatishmëri për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të Qeverisë së re të Kosovës, kjo parti as nuk i ka numrat e as nuk ka një marrëveshje paraprake me AAK-në, Nismën e minoritetet. Në këtë drejtim shtrohen këto pyetje:
Cka nëse AAK kërkon postin e Kryeministrit?
A do t’i nënshtrohet LDK edhe njëherë AAK-së, tash në një pozitë edhe më të pafavorshme, si parti e dytë parlamentare?
Cka do të bëjë LDK nëse VV arrin marrëveshje me PDK-në për bashkëqeverisje? Pjesëmarrja e Memli Krasniqit në mbledhjen e sotme të thirrur nga Albin Kurti dhe “heshtja” e Nismës janë sinjale se koalicioni VV-PDK-Nisma është i mundshëm.
Dhe në fund, si do të arsyetohet LDK në opinion dhe te anëtarësia e vet nëse vendi do të shkonte në zgjedhjet të detyrueshme të jashtëzakonshme në rast të dështimit të koalicionit LDK-AAK -Nisma e minoritetet?
Fundja për Thacin edhe nëse dështon koalicioni LDK AAK Nisma e minoritetet ai nuk merr përgjegjësinë e as nuk hyn në proces elektoral!
LDK do ta paguajë “tarifën” e një dështimi të tillë!
Krejt këto dhe pyetje të tjera shtojnë dyshimet në vrapin e Presidentit Thaci për të nominuar një kandidat tjetër për mandatar përvec Albin Kurtit ndërkaq është befasuese dhe shqetësuese gatishmëria kaq e pasigurtë e LDK-së për të marrë një përgjegjësi të tillë, të cilën nuk e ka marrë më 6 Tetor, e për cka mund të bëhet kryefajtore për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në kohë pandemie.
Ndaj LDK nuk duhet të ngutet sepse krejt kjo mund të jetë një “grackë” e Thacit ku të gjithë mund të shpëtojnë disi e vetëm LDK do të “digjet” më së shumti!