Pas më shumë se një orë mbledhjeje, Kryesia e LDK-së ka shkuar në pauzë.
Aty është duke u diskutuar për emrin e kandidatit për kryeministër nga kjo parti, shkruan lajmi.net.
Nga zhvillimet e fundit brenda Kryesisë, merret vesh se kryetari i partisë, Isa Mustafa ka hequr dorë nga mundësia që ai të jetë kandidat për të parin e qeverisë.
Aktualisht, janë edhe dy emra të cilët janë shumë të mundshëm që njëri prej tyre të jetë në kandidaturë për kryeministër.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, dhe Avdullah Hoti, ish-zëvendëskryeministër janë emrat më të mundshëm, ku pas pauzës në Kryesi, pritet që njëri nga ta të zgjidhet edhe zyrtarisht.
Sidoqoftë, nga rrjedha e deritanishme, pritet që Avdullah Hoti të jetë edhe zyrtarisht kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Hoti edhe në të kaluarën kishte qenë kandidat për kryeministër si bartës i listës së LDK-së.
Emri i tij, si kandidat për kryeministër në qeverinë e re, ishte përfolur në publik qysh pas rrëzimit të Kurtit.
Në mandatin e fundit, Hoti ishte shkarkuar nga pozita e zëvendëskryeministrit nga i pari i qeverisë, Albin Kurti.