
Dy persona janë arrestuar në Pejë të dyshuar për veprën penale “prezantim i rremë si person zyrtar”.
Sipas njoftimit të Policisë, sot është pranuar informacioni nga një person se derisa ishte duke vozitur në rrugën magjistrale Istog – Pejë, në fshatin Vitomiricë, është ndaluar nga një veturë e cila kishte të aktivizuar një alarm (dritë vezulluese).
“Viktima është ndaluar, nga vetura tani e dyshuar kishte dalë njëri nga të dyshuarit dhe ishte prezantuar si person zyrtar (Polic), i cili sipas viktimës kërkon dokumente dhe fillon ti bëjë pyetje a ke diçka të dyshuar, pasi që viktima i drejtohet se unë po ju njoh, pastaj i dyshuari menjëherë i kthen dokumentet viktimës e liron dhe largohet”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Pas identifikimit të personave, ata janë arrestuar dhe nga ta është konfiskuar drita vezulluese të cilën dyshohet se e kanë përdorur për ndalimin e veturës.