Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale – vjedhje, të cilët kishin vjedhur një veturë “Mercedes Benz A200” në qytetin e Pejës.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Njësiti i hetimeve – Stacioni Policor Pejë, pas një pune intensive operativo – hetimore që ka kryer, ka identifikuar të dyshuarit, që më datë 24.09.2019 , gjatë orëve të natës në Pejë kanë vjedhur veturën e tipit “Mercedes Benz A200”, me ngjyrë të kuqe, me targa regjistrimi të Kosovës. Sipas viktimës vlera e veturës ishte rreth 27.000 euro.
Me datën 19.10.2019, nga ora 06:00 Policia e Kosovës, konkretisht, Stacioni Policor Pejë, në bazë te urdhëresës se Gjykatës Themelore – Pejë , në përkrahje edhe të njësiteve tjera, ka realizuar bastisjen dhe kontrollin e shtëpive të personave të dyshuar në pesë lokacione në komunën e Vushtrrisë.
Gjatë bastisjes janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar:
· Y.K. (1978) m / k / shqiptar
· Xh.K. (1981) m / k / shqiptar
· B.H. (1984) m / k / shqiptar
· A.K. (1976) m / k / shqiptar
· A.K. (1997) m / k / shqiptar
· A.M. (1979) m / k / shqiptar
Në shtëpinë e të dyshuarit të parë dhe të dytë, janë gjetur dhe konfiskuar një armë ‘AK47’, një pistoletë dhe 30 fishekë të kal.7.62×39 mm dhe 7.65 mm. Në po të njëjtën shtëpi, është gjetur edhe një jelek antiplumb dhe një peshore për matjen e substancave narkotike.
Gjatë kontrollimit të shtëpisë së të dyshuarit të gjashtë, është gjetur dhe konfiskuar një sasi e narkotikeve që dyshohet se është e llojit marihuanë dhe rasti do të iniciohet nga njësiti përkatës i antidrogës.
Janë intervistuar të dyshuarit e lartcekur dhe pas intervistimit Prokurori i shtetit të gjithë të dyshuarave ju ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
Vetura e viktimës është gjetur dhe konfiskuar dhe e njëjta pas ekzaminimit i është kthyer prapa në posedim pronarit legjitim.
Është përpiluar Kallëzimi Penal kundër të dyshuarëve dhe është proceduar në Prokurorin Themelore Pejë.
Discussion about this post