Analisti politik, Rrahman Paçarizi ka thënë se votat me kusht dhe ato të mërgata nuk janë të mjaftueshme për të shkaktuar ndonjë ndryshim të rezultatit zgjedhor nga ai preliminar i KQZ-së.
“Janë diku rreth 20 mijë vota që pritet të vijnë nga diaspora dhe po aq janë me kusht. Këto vota nuk janë të mjaftueshme për ta përmbysur ndonjë rezultat. Dihet se LVV ka qenë më e organizuare sesa LDK sa u përket votave të diasporës dhe duket që LDK të jetë pajtuar me këtë rezultat ndonëse e ka kontestuar”.
“Ndryshim mund të përbënte për koalicionin Nisma-AKR-PD një numër i votave që priten nga diaspora – rreth 3 mijë vota. Do të ishte mirë për demokracinë sikur Nisma ta kalonte pragun”, ka thënë Paçarizi, njofton Klan Kosova.
Sa i përket deklarimit të sotëm të Ramush Haradinajt ai ka thënë se nuk e sheh si ofertë të bërë për fituesin e zgjedhjeve.
“Me veprimet që ka bërë ka theksuar se do ta fitojë besimin e sovranit dhe e ka parë që nuk ka arrit diçka të tillë. Haradinaj dëshiron të mbetet në opozitë dhe ta rishikojë partinë. Pozicionimi në opozitë është në rregull po por jo me cilësime se Kurti është mashtrues. Kurti i ka fituar zgjedhjet. Nëse edhe LDK pajtohet që Kurti i ka fituar zgjedhjet dikush tjetër nuk mund ta kontestojë”, ka thënë ai duke folur për kërkesën për rinumërim.
“Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së ka dështuar për shkak të këmbënguljes së LDK që ta ketë Kryeministër. LDK e ka nominuar Osmanin në mes të bisedimeve me këtë kanë kallxuar se nuk do të heqin dorë shumë lehtë nga pozita e Kryeministrit. Oferta ka qenë edhe përpara dhe LDK nuk e ka dashur këtë ofertë. Mandatari i takon partisë më të madhe që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje. Kurti do të duhet t’i niste negociatat për këtë”.
Discussion about this post