
S’ka dyshim se zgjedhja e kryeparlamentarit nga radhët e VV-së, ka ndryshuar shumë gjëra rreth marrëveshjes Vetëvendosje-LDK.
Në seancën konstituive të sotme, kryeparlamentar i ri i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca.
Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, ka thënë se shihet si tejet befasuese dhe prishje e të gjitha matematikave të mundshme për arritjen e një marrëveshje në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ramadani në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se momentalisht marrëdhëniet në mes të VV-së dhe LDK-së janë në pikën zero.
“Ngjarja e sotme ka qenë më befasuese deri më tani për shkak që është konsideruar që dy partitë në fjalë e kanë krijuar një frymë të mirë të bashkëpunimit dhe janë duke u afruar në përpjekjet e tyre për me gjet një zgjidhje për situatën e krijuar. Por duket se tash jemi në pikën më të ulët të raporteve mes LDK-së edhe VV-së, për shkak që zgjedhja e Konjufcës si kryetar i kuvendit i prish të gjitha matematikat dhe formulat që deri më tani e kanë dominuar dialogun për atë se si do të duket qeveria VV-LDK. Kështu që tash është shumë e vështirë që të pritet se do të zhvillohet një proces krejt i ri me një konfigurim krejt tjetër”, ka thënë Ramadani për lajmi.net.
Për më tepër, Ramadani ka thënë se: “Besoj që më e mundshme është shkuarja në zgjedhje se sa marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së, përveç nëse Vetëvendosje nuk heziton me marrë hap për Qeverinë edhe me llogarit në votat e LDK-së për formimin e saj. Ky është një skenar ende jo i mundshëm por pas veprimit të sotëm gjithçka është e mundur”, theksoi Ramadani./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post