Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas heqjes së plotë të taksës nga qeveria Kurti, dhe hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit, të cilat kjo qeveri i kishte paralajmëruar.
Ambasada e SHBA-ve në Kosovë me anë të një reagimi për media, kanë ritheksuar pozicionimin e qartë të tyre se Kosova nuk duhet të krijojë barriera të reja, ngase të njëjtat e lëndojnë dhe e ngufatin ekonominë e Kosovës, shkruan lajmi.net.
SHBA-të e kanë kundërshtuar hapur zbatimin e masave të reciprocitetit, dhe sipas tyre ato masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të janë në përpjekje për krijimin e kushteve për një dialog të suksesshëm.
Komunikata e plotë nga Ambasada Amerikane:
Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm.