![](https://mejdani.com/wp-content/uploads/2022/05/Fahrettin-Altun-1024x576.jpg)
Drejtori i Komunikimeve të Presidencës reagoi ndaj deklaratës së ministres së Jashtme të Suedisë, Ann Linde, e cila tha se vendi i saj ishte i pari pas Turqisë që e ka listuar PKK-në si organizatë terroriste dhe se ky qëndrim s’ka ndryshuar.
Përmes një serie postimesh nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter”, Fahrettin Altun deklaroi të premten se Suedia nuk bën asgjë për të ndaluar propagandën e vazhdueshme të PKK-së, mbledhjen e fondeve dhe përpjekjet e saj për rekrutim.
“Ky është dezinformim në emër të luftës kundër dezinformacionit. Suedia nuk bën asnjë tentative për të ndaluar propagandën e vazhdueshme të PKK-së, mbledhjen e fondeve dhe përpjekjet për rekrutim. Suedia gjithashtu ka armatosur terroristët që kryejnë sulme vetëvrasëse, mes sulmeve të tjera, në Turqi.
Si të mos mjaftonin këto, Suedia ka shprehur solidaritet me YPG-në, dega siriane e PKK-së, duke i dhënë asaj fonde (për të luftuar) kundër Turqisë, aleatja e parë e NATO-s që vendosi trupa luftarake në Siri për të mposhtur organizatat terroriste, përfshi këtu edhe DAESH-in.
Ndershmëria është politika më e mirë, znj. Ann Linde. Po vazhdoni të gënjeni sy ndër sy. Ju vazhdoni të mbështesni organizatën terroriste, PKK. Nëse Suedia vërtet e konsideron PKK-në një entitet terrorist, ajo duhet të bëjë atë që nevojitet”, shkroi Altun.
Më herët mëngjesin e sotëm, gjithashtu nga llogaria e saj në “Twitter”, Linde bëri këtë postim: “Për shkak të dezinformacioneve të përhapura në masë të madhe rreth Suedisë dhe PKK-së, ne dëshirojmë të kujtojmë se qeveria suedeze e Olof Palme ishte e para pas Turqisë që e klasifikoi PKK-në si organizatë terroriste, qysh në vitin 1984. Bashkimi Evropian e ndoqi këtë shembull në vitin 2002, kur Anna Lindh ishte ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë. Ky pozicion mbetet i pandryshuar.”