
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur një takim të përbashkët me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Chryssoula Alifer, të ngarkuarin me punë i ambasadës Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Daniel Onişor, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilník dhe ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.
Në njoftimin e bërë për media nga zyra e kryeministrit thuhet se Kurti i njoftoi ata mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19, masat e ndërmarra deri më tani nga Qeveria dhe se theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga Qeveria në detyrë.

“Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID- 19, dhe në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se Kurti shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtarë po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët./Gazeta Mejdani/