
Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për medie ka thënë se ka kërkuar nga organet gjegjëse të ministrisë që të shikojë procedurat për anulimin e tenderit për ndërtimin e autostradës për Gjilan.
Vlera e paraparë e këtij tenderi ka qenë 110 milionë euro.
“Nga sot kam iniciuar procedurat ligjore për anulimin e këtij tenderi. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat ligjore, unë i kam marrë masat në këtë drejtim që të ndodhë sa më shpejt. Ne e kemi pjesë të programit qeverisës, por nuk guxojmë që të fusim shtetin dhe qeverin në obligime financiare pa pasur buxhet të aprovuar. Fillimisht duhet të kalohet nëpërmjet leximit të parë dhe të dytë të buxhetit, dhe të dihet shuma e shuma financiare dhe më pas në bazë të buxhetit në fjalë do të bëjmë tenderime”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se ky projekt do të mund të realizohet vetëm pas miratimit të buxhetit dhe pasi që të shohin se sa është buxheti për Infrastrukturë.
Abdixhiku ka folur edhe për çështjen Badovci.“Ideja ime e parë është se duhet të anulohet, mirëpo duhet t`i kontaktojë palët e interesit. Pastaj të marrim ndonjë vendim për projektin në fjalë”, deklaroi ai.