Nëse do të pyesni sot ekspertët e sigurisë globale për ato pjesë të botës që i mbajnë natën zgjuar, tre të parat do të ishin ndoshta Ukraina dhe Krimea, Gadishulli Korean dhe Evropa Perëndimore pas Brexit-it.
Shkruan: Diana Preston
Rastësisht, problemet me të cilat po përballen që të tri këto rajone, mund të gjurmohen tek një konferencë e shkurtër e ndodhur 75 vjet më parë. Takimi, në resortin turistik të Jaltës në Krime, bëri bashkë tre udhëheqësit kryesorë të forcave aleate, Ruzvelti (Franklin D. Roosevelt), Çërçilli (Winston Churchill) dhe Stalini (Josif). Lufta po mbaronte dhe ata ishin aty për të përcaktuar se çfarë do të ndodhte më pas. Ndër çështjet më të ngutshme, ishin kufijtë dhe liritë e ardhshme demokratike të Polonisë, të cilat Ruzvelti dhe Çërçilli ishin zotuar që t’i mbronin.
Por, në shkurtin e vitit 1945, Ushtria e Kuqe kishte nën kontroll pjesën më të madhe të Evropës Lindore. Stalini thoshte shpesh se “ai që pushton një territor, i imponon atij sistemin e tij shoqëror” dhe Bashkimi Sovjetik ishte thjesht shumë i fuqishëm për t’u rezistuar. Ruzvelti dhe Çërçilli kërkuan me ngulm në të drejtën e vetëvendosjes për Poloninë dhe vendet e tjera të Evropës Lindore. Por, në fund, ata morën vetëm premtime në letër, të cilat Perëndimi nuk kishte asnjë mënyrë për t’i zbatuar dhe që Stalini do t’i shkelte brenda disa javësh.
Polonia ishte arsyeja së përse Britania hyri fillimisht në luftë kundër Gjermanisë, një fakt që Çërçilli nuk e harroi as atë muaj. Madje, sapo u kthye nga Jalta, u kërkoi komandantëve të tij ushtarakë të vlerësonin koston e përdorimit të forcës, për ta detyruar Stalinin t’i jepte Polonisë një marrëveshje të drejtë. Përgjigja ishte 45 divizione anglo-amerikane, disa divizione polake dhe 100 mijë trupa gjermane të riarmatosura. Komandantët i vunë nofkën “Operacioni i Pamendueshëm”, idesë së një lufte kundër Bashkimit Sovjetik, dhe natyrisht ajo ishte një ide e tillë. Një vit më vonë, Çërçilli deklaroi se një “perde e hekurt” kishte zbritur në mes të Evropës. Ndonëse Bashkimi Sovjetik u shemb rreth 30 vjet më parë, ndarja dhe vatrat e konflikti mbetën. Nuk është rastësi që aksi i ndarjes midis Rusisë dhe Perëndimit është mbi Krimenë dhe pjesë të Ukrainës, të aneksuara së fundi nga Vladimir Putini. Ashtu si në vitin 1945, udhëheqësit perëndimorë e dinë se kanë disa mundësi të vlefshme presioni, përtej atij moral, mbi rusët pushtues.
Stalini thoshte dikur: “Nëse keni frikë nga ujqërit, mos hyni në pyll!”. Dhe hyrja në “pyllin” e Putinit duket të jetë jo më pak problematike. Konferenca e Jaltës la trashëgimi të tjera shqetësuese. Një nga objektivat kryesore të Ruzveltit në atë takim ishte të siguronte hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftën kundër Japonisë, për t’i kursyer jetën miliona ushtarëve amerikanë që besohej se do të sakrifikoheshin gjatë pushtimit të ishujve japonezë. Një hyrje në luftë në kohë nga sovjetikët, mund ta detyronte Japoninë të dorëzohej. Prandaj, ai pranoi me lehtësi kërkesat e Stalinit për lëshime territoriale dhe të llojeve të tjera, në kurriz të aleates së Amerikës, Kinës. Stalini kërkoi gjithashtu lëshime të ardhshme nga një Japoni e mposhtur.
Pastaj, vetëm pesë muaj më vonë, tre udhëheqësit aleatë mësuan se Shtetet e Bashkuara kishin testuar një bombë bërthamore dhe pak javë më vonë dy prej tyre u hodhën mbi Japoni. Pasja e një arme të re të fuqishme, më herët sesa dyshonin shumë njerëz, përfshirë Ruzveltin dhe Çërçillin, e bëri të panevojshme ndërhyrjen sovjetike në frontin e Paqësorit. Duke e kuptuar menjëherë këtë, Stalini përshpejtoi planet e tij për të sulmuar Japoninë. Më 9 gusht 1945, tre ditë pas hedhjes së bombës atomike në Hiroshima dhe ditën kur një tjetër bombë u hodh në Nagasaki, Ushtria e Kuqe mësyu në Mançurinë e pushtuar nga japonezët dhe në Korenë e Veriut të pushtuar nga Japonia që nga viti 1910, duke përparuar me shpejtësi drejt paralelit së 38-të.
Udhëheqësi komunist korean, Kim Il-Sung, mbërriti në Piongiang me uniformën e një majori të Ushtrisë së Kuqe dhe me mbështetjen e Moskës mori pushtetin në veri. Ishte krijuar terreni për krijimin e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, për shpërthimin e Luftës Koreane dhe për ndarjen dhe për destabilitetin e vazhdueshëm që vjen ende sot nga dinastia Kim.
Një trashëgimi tjetër ndoshta më pak e dukshme e Konferencës së Jaltës, është marrëdhënia shpesh problematike mes Britanisë dhe Francës, dhe mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian. Gjenerali de Gol (Charles de Gaulle), udhëheqësi i forcës Francezët e Lirë, këmbënguli të kishte një ftesë në atë konferencë, por Ruzvelti, Çërçilli dhe Stalini e refuzuan. Aq i madh ishte zemërimi i de Golit, saqë gjatë konferencës u drejtoi një mesazh francezëve, duke u thënë se nuk do t’i bindej asnjërit prej vendimeve të konferencës, porse do të ndiqte një linjë të pavarur. Përjashtimi i de Golit nga Jalta, ushqeu mosbesimin e tij në rritje ndaj asaj që ai shihte si një hegjemoni anglo-amerikane, pas luftës. Në vitet 1963 dhe 1967, ai e vuri veton ndaj anëtarësimit të Britanisë në Komunitetin Evropian. Në vitin 1966, e tërhoqi Francën nga struktura aktive e komandës së NATO-s. Britania iu bashkua BE-së tek në vitin 1973. Po ta kishte bërë këtë më herët, mund të ishte integruar më mirë në bllok.
Edhe pse është e pamundur të dihet me siguri, referendumi i Brexit-it, 43 vjet më vonë, mund të mos kishte ndodhur kurrë. Shumë historianë e konsiderojnë Jaltën si një konferencë pazaresh, madje edhe tradhtish. Në vitin 2005, presidenti amerikan Bush (George W. Bush), i krahasoi rezultatet e Jaltës me ato të Marrëveshjes famëkeqe të Munihut të vitit 1938: një pazar skandaloz me një diktaturë. Jalta i la, padyshim, popujt e Evropës Lindore nën kthetrat e Bashkimin Sovjetik për gati gjysmë shekulli. Por, udhëheqësit perëndimorë kishin shumë pak ndikim ndaj Stalinit, sidomos për shkak se Bashkimi Sovjetik kishte një pretendim të fortë moral për përfitimet e pasluftës, pasi kishte pësuar më shumë dëme gjatë luftës.
Edhe pse diku tjetër, aleatët perëndimorë realizuan shumicën e objektivave të tyre. Kështu, Ruzvelti siguroi një marrëveshje për ëndrrën e tij të dashur të themelimit të Kombeve të Bashkuara. Megjithëse mekanizmi i vetos, për të cilin u ra dakord në Jaltë e dëmton shpesh punën e Këshillit të Sigurimit në adresimin e mosmarrëveshjeve midis fuqive të mëdha, organizata është një forcë efektive e ruajtjes së paqes në botë dhe shumë agjenci të saj, si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Komisionari i Lartë për Refugjatët, bëjnë një punë me shumë vlerë. Edhe Çërçilli e arriti synimin e tij – megjithëse për një kohë të shkurtër – për të ruajtur Perandorinë Britanike.
Transkriptet e Konferencës së Jaltës zbulojnë shumë mbi personalitetet e tre liderëve, por edhe mbi politikën e tyre. Të çarat në marrëdhënien dikur të ngushtë midis presidentit të ftohtë dhe të diatancuar amerikan dhe kryeministrit britanik shpesh emocional ishin të dukshme. Për Ruzveltin ishte shfaqja e fundit në skenën botërore. Pas një rënie të dukshme fizike, vdiq dy muaj më vonë. Çërçilli mori pjesë në konferencën tjetër të aleatëve në Potsdam të Gjermanisë, por u zëvendësua pas disa ditësh nga kryeministri i ri, Etli (Clement Attlee). Në fund mbeti vetëm Stalini.
Bisedimet gjeopolitike sillen gjithmonë rreth personaliteteve dhe strategjive të njerëzve të përfshirë në to. Më në avantazh janë ata që kanë objektivat më të pakompromista dhe vizionin e vendosmërinë për t’i arritur ato. Në Jaltë ai ishte mjeshtër i detajeve, dëshmoi vendosmëri dhe pati aftësinë e zbulimit dhe shfrytëzimit të dobësive të të tjerëve. Një zyrtar i lartë britanik e konsideroi atë si “më mbresëlënësin nga të tre burrat”, duke qenë “shumë i qetë dhe i përmbajtur”.
Treçerek shekulli më vonë, trashëgimia e Stalinit po dikton ende çështjet globale. /Burimi: New York Times/Në shqip nga: Bota.al/
(Diana Preston është autore e librit “Eight Days at Yalta: How Churchill, Roosevelt, and Stalin Shaped the Post-War World”/”Tetë ditë në Jaltë: Si e ndryshuan botën e pasluftës, Çërçilli, Ruzvelti dhe Stalini”)