Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj një deklarate të bërë dje nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli i cili ka thënë se koalicioni LDK-VV do të jetë koalicioni i korrupsionit dhe i izolimit të Kosovës.
Mustafa ka thënë se, sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, konsideroj se gjasat janë shumë reale.
Postimi i plotë i Mustafës:
Qytetarë të nderuar,
Koalicioni PAN, i drejtuar nga PDK, me Qeverinë Haradinaj, rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe SHBA-të.
Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, dje në Shtërpce dhe Ferizaj konfirmoi dy gjera me rëndësi. E para, se po fiton LDK-ja dhe, e dyta, se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në.
Deklarata se Koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij.
Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, konsideroj se gjasat janë shumë reale. Ky koalicion i drejtuar nga LDK mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Këtë e dëshmon fakti se në qeverisjen e LDK-së nuk ka pasur asnjë aferë korruptive dhe asnjë ministër me aktakuzë dhe se në atë periudhë është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshja për Stabilizim-Asocim.
Me fitoren e LDK-së më 6 tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do ti ketë dyertë e hapura në Bruksel dhe Washington.
Discussion about this post