Rreth 120 familje në këtë kompleks banesor në kryeqytet kanë mbetur të bllokuar, pa asnjë rrugëdalje, qoftë në “Rrugën B”, apo rrugë tjera.
Kjo pasi në pjesën e pasme të kompleksit nuk kanë rrugë, e rruga e pashtruar, të cilën e shfrytëzonin për t’u lidhur me “Rrugën B”, kalon përmes parcelës së një pronari tjetër privat, i cili, sipas banorëve, nuk dëshiron që prona e tij të shfrytëzohet si rrugë, raporton KTV.
Të premten pasdite, ata kanë protestuar në kërkim të një zgjidhjeje nga Komuna e Prishtinës, të cilën e akuzojnë se ka lëshuar leje ndërtimi për kompleksin ku jetojnë pa i ofruar qasje në rrugë.
Ata thonë se janë të mashtruar, pasi kur i kanë blerë banesat para 8 vjetësh, nuk u ishte treguar se rruga kalon në pronë private.
Përfaqësuesi i banorëve, Afrim Gashi, thotë se nuk dëshirojnë probleme me pronarin e tokës dhe se kërkojnë vetëm një rrugë për të mos mbetur të bllokuar.
Ata i kanë vënë ultimatum Komunës së Prishtinës që t’u ofrojë zgjidhje brenda javës.
Në një përgjigje të shkurtër përmes telefonit, drejtori i Investimeve Kapitale në këtë komunë, Gëzim Mehmeti, tha se i kupton shqetësimet e banorëve, por për shkak të vjetërsisë dhe ndërlikueshmërisë së rastit, zgjidhja nuk mund të bëhet brenda ditës.
Discussion about this post