Janë rreth 74 mijë persona të regjistruar në Kosovë si persona me aftësi të kufizuar, e vetëm 26 mijë prej tyre përfitojnë mbështetje financiare. Shoqata që përfaqëson të drejtat e tyre thotë se është obligim i shtetit që t’iu ofrojë mbështetje dhe qasje në punësim.
Kështu u tha në takimin mes kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj me anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës, HANDIKOS.
Haradinaj tha se ka ende shumë për të bërë për këta persona, si zbatimi i ligjit për punësim, sigurimi i mbështetjes për organizatat dhe funksionalizimi i këshillit nacional për drejtat e këtyre personave.
Krahas kësaj, drejtori i Handikos-it Afrim Maliqi tha se organizatat janë krijuar si reagim i gjendjes së vështirë, me të cilat personat me aftësi të kufizuar përballen. Sipas tij, janë 15 për qind e popullatës që janë të prekur me çfarëdo kufizimi.
Sipas tij, personat me aftësi të kufizuar kanë të drejtë të jenë të barabartë me gjithë qytetarët të tjerë, duke pasur qasje në punësim, edukim dhe sfera të tjera. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post