Policia e Kosovës ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka pranuar informacione që një veturë është duke u djegur në Leposaviq.
“Me datë 28.01.2024, rreth orës 04:20 Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në Leposaviq një veturë është duke u djegur. Menjëherë njësitet kompetente policore , përfshirë hetuesinë ju kanë përgjigjur informatës dhe kanë dal në vendin e ngjarjes.”
Policia ka thënë se vetura është e kryetarit të kuvendit komunal në Leposaviq.
“Sipas informative fillestare cak i djegies ka qenë vetura e tipit Fiat Punto, me targa të Republikës së Kosovës. Në këtë rast raportohet që ankuesi është mashkull serb (Kryetar i Kuvendit në Kuvendin Komunal në Leposaviq.”
Në afërsi të veturës, te motori është gjetur një shishe plastike dhe një leckë e cila kundërmon në benzinë e që dyshohet se është vendosur si ndezës për ta djegur veturën.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të t ‘cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin profesional dhe zbardhjen e rasteve të tilla të qëllimshme dhe vazhdon me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, si dhe sjelljen e kryesve të këtyre veprave kriminale para organeve të drejtësisë.”