Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar sërish lidhur me sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku së fundi u publikuan edhe pamjet ku shfaqin nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq në mesin e terroristëve.
“Kur më në fund do të filloni t’i sanksiononi këta djem këtu? Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka edhe disa kriminelë të tjerë), që udhëtojnë në vendet e BE-së? Ky do të ishte të paktën një fillim siç bëri SHBA-ja disa kohë më parë”, thekson ajo në postimin e bërë në “X”.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar sot pamje të reja nga sulmi i terroristëve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, deklaroi ministri sot.
Sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës ndodhën më 24 shtator.