Deputetja britanike, Alicia Kearns ka reaguar pas sulmit terrorist në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës, gjersa theksoi se trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Aleksandar Vuçiqit, gjithnjë e më autokratik po çon në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje.
Deputetja britanike e cila kohë më parë paralajmëroi për armatosjen në veri të Kosovës tha se duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan.
Trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Vuçiqit gjithnjë e më autokratik po na çon më thellë në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje, ndërsa drita në fund të tunelit e normalizimit dhe anëtarësimit në BE për të dy vendet errësohet gjithnjë e më shumë”, tha ajo.
Deputetja britanike thotë më tej Policia e Kosovës do të hetojë grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku.
Por, Kearns shtron pyetjen se si financohen, armatosen dhe si kanë transportuar armë në/përreth Kosovës dhe nga kush i marrin udhëzimet e tyre.
Ajo po ashtu thekson se Mbretëria e Bashkuar, si anëtare e QUINT-it duhet të marrë një rol më aktiv në dialogun e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjersa nga KFOR-i kërkon shtimin e trupave në Kosovë.
Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë kërkoi që të angazhohet për normalizim dhe t’i japë fund përdorimit të retorikës radikalizuese dhe armatimit, e të ndarjeve etnike që nxisin urrejtje.
Kearns po ashtu i drejtohet BE-së dhe SHBA-së, nga të cilat kërkon të mos i mbyllin më sytë ndaj intransigjentes nga Serbia.
Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës thotë se duhet të potencohet përkushtimi për të mbështetur komunitetet serbo-kosovare, duke siguruar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në demokraci…
“Mbretëria e Bashkuar duhet të udhëheqë përpjekjet për një aleancë të sigurisë ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe, vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Kosovës, derisa Kosova të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO. Një marrëveshje e tillë do të adresonte shqetësimet e menjëhershme të sigurisë dhe do të hapte rrugën për stabilitet afatgjatë në rajon.
Dështimi nuk është një opsion. Parandalimi në Ballkan duhet të jetë një prioritet për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën.
Duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan”, thotë ajo.