Britania e Madhe ka dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor dhe dy të tjerë të lënduar.
Në reagimin e kësaj ambasade është bërë thirrje për zgjidhje paqësore të situatës, teksa është shtuar se autoritetet kosovare duhet të lejohen të hetojnë dhe identifikojnë autorët e krimit.
“Institucionet e Kosovës duhet të lejohen të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e këtij sulmi të tmerrshëm, në mënyrë që ata të sillen para drejtësisë në përputhje me sundimin e ligjit. E mirëpresim bashkërendimin e ngushtë të Policisë së Kosovës, si reagues i parë, me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.
Ndërsa, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës, duke thënë se përgjegjësit për aksionin e vrasjes duhet të sillen para drejtësisë.