Këtë shkrim po e titulloj kështu për analogji me titullin e librit të Michel Heller “70 ans qui ebranlerent le monde. Histoire politique de l‘Union Sovietique” (“Shtatëdhjetë vjet që tronditën botën. Historia politike e Bashkimit Sovjetik”), botuar në vitin 1987, ku përshkruhen dhe analizohen gjashtë etapat e historisë politike sovjetike pas revolucionit të tetorit 1917 (nga Lenini tek Gorbaçovi).
Shkruan: Abdi Baleta
Në fillim të viteve 1990-të ajo “Histori” e atij Bashkimi Sovjetik, që trondiste frikshëm botën, do të mbyllej shëmtueshëm me shembjen e sundimit komunist dhe zhbërjen e perandorisë sovjetike. Në skenën e historisë do të dilte një “Rusi e Jelcinit”, tejet e drobitur, dhe 15 shtete të tjera të pavarura e të çorientuara, midis të cilave me më shumë peshë ishte Ukraina.
Por, në të njëjtën kohë u rishfaq fantazma hakmarrëse e misticizmit filosllav të fjetur për 7 dekada nën koracën e komunizmit dhe mori vrull të ri pansllavizmi rusomadh i modelit bolshevik. “Rusia e Jelcinit” ishte e paaftë të luante rolin e superfuqisë deri në fillim të shekullit XXI. Ajo nisi të rimëkëmbej si “Rusia e Putinit” dhe u shndërrua gjatë një çerekshekulli, para syve të mjegulluar të të gjithë botës demokratike, si një fuqi me pretendime imperiale e natyrë militariste agresive, të sintetizuara e shprehura në “doktrinën e putinizmit” gjeopolitik. Thelbin e kësaj doktrine, të pjesëmarrjes së Rusisë në krijimin e një rendi të ri të sundimit të botës nga disa qendra, ideologu kryesor i “doktrinës së putinizmit”, Aleksandër Dugin (njëherazi autori më në zë i projektit për njësinë gjigande shtetërore të “Euro-Azisë nga Lisbona në Vladivostok me epiqendër Rusinë”) e ka paraqitur fare thjesht me një fjali: “Janë tre elementë që duhen lidhur në revoltën kundër botës moderne, Roma e Tretë, Rajhu i Tretë dhe Internacionalja e Tretë” (cituar sipas librit të gazetarit francez Nicolas Henin “La France Russe”, 2016, f.36).
Pra, “putinizmi” është shkrirje në një doktrinë të vetme gjeopolitike e gjeostrategjike e trashëgimive më të këqija nga historia e njerëzimit: sundimit imperial, despotizmit e totalitarizmit në ushtrimin e pushtetit sundues dhe misionarizmit ideologjiko-fetar internacionalist në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për fizionominë agresive dhe absurde të “putinizmit” mund të mësohet shumë edhe duke lexuar fare pak, si p.sh. përmbledhjen me pretendime e skema shkencore të shkrimeve të Duginit “Euroasian Mission. An Introduction to Neo-Eurasianism” ose “Libri i zi i Zhirinovskit”, ku Graham Frazer dhe George Lancell komentojnë idetë megalomane e deklaratat arrogante të politikanit më kontravers të Rusisë, që u nda nga jeta pak kohë më parë dhe Putini e nderoi me praninë e tij në ceremoninë e përmortshme. Putinizëm, pra, do të thotë “shantazh mbi demokracinë” në përgjithësi dhe nënshtrim i gjithë njerëzimit nëpërmjet kërcënimit të vazhdueshëm me shpërthimin e një lufte botërore bërthamore.
Kur u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik, bota e njerëzimi filluan të merrnin frymë më lirisht, sepse lindi shpresa dhe u ushqye me vrull ideja se mbaroi “Lufta e Ftohtë”. Në mënyrë të veçantë e ndjeu veten të lehtësuar pjesa demokratike dhe me nivel të lartë jetese e kontinentit europian, qën dodhej drejtpërsëdrejti përballë zilisë e lakmisë së Rusisë më varfanjake, por të armatosur rëndë. Kjo i nxiti demokracitë perëndimore të rindërtonin e orientonin më butë drejt Lindjes strategjitë e tyre politiko-diplomatike, duke besuar se zhvillimet e reja do ta largonin për një kohë të gjatë frikën dhe nevojën për vigjilencë të lartë. Por me fillimin e “epokës Putin” e të putinizmit politik, në sjelljet e Rusisë pak nga pak filluan të duken instinktet e vjetra kërcënuese të “ariut mitik” rus, që synonte të ishte përsëri “mbret” në gjithë hapësirat ish-sovjetike në Europë, madje dhe mbi hapësirat e ish-kampit socialist e të ish-Traktatit politiko-ushtarak të Varshavës.
Prandaj nuk është për t’u habitur që nga 23 shkurti 2022 Ukraina është bërë viktima e parë e madhe e një lufte totale gjenocidale ndërmjet Europës, duke krijuar rreziqe serioze për liritë e vlerat demokratike, që Europa besonte që i kishte garantuar përfundimisht. Edhe pse lufta me armë ka mbetur ende e kufizuar, vetëm në hapësirat e Ukrainës, luftëra ekonomike e propagandistike kanë tronditur tashmë botën mbarë.
Më e dëmtuara nga gjithë këto zhvillime pas Ukrainës ka dalë Europa, e cila gjatë dy muajve të agresionit ushtarak rus nuk ka arritur ta mbledhë si duhet mendjen e potencialet e saj për t’u përballur me të keqen që kërcënon të shtrihet më tej drejt Perëndimit. Ndryshe nga SHBA-ja, kjo Europë e përgjumur nuk e pikasi rrezikun ose nuk deshi të shfaqte që në fillim reagimin e saj të vendosur ndaj agresionit rus në Ukrainë. Europa u mundua ta kapërcente të keqen e kësaj situate të turbulluar me një shprehje kënaqësie të madhe se kishte dështuar “lufta rrufe” e Rusisë dhe me vetëngushëllimin se Europa e kishte treguar më fort se kurrë kompaktësinë e saj në një çështje madhore gjeopolitike e gjeostrategjike, si mbështetja për Ukrainën përballë agresionit rus.
Por, ky trajtim propagandistik i thelbit të problemit asnjëherë nuk u quajt i mjaftueshëm për të qetësuar ndjesitë e nervat e tendosura dhe ankesat qortuese të përsëritura të udhëheqësve të Ukrainës. Ata nuk pajtoheshin me ngadalësinë perëndimore në përshkallëzimin e sanksioneve kundër Rusisë e me furnizimin e pamjaftueshëm e të vonuar të ushtrisë ukrainase me armët e duhura moderne. Ata kanë kundërshtuar sidomos financimin perëndimor të agresionit rus kundër Ukrainës nëpërmjet vazhdimit të blerjeve të lëndëve të para strategjike nga Rusia. Ukraina është ankuar hapur se disa vende perëndimore po binin në lojën që i leverdiste Putinit. U desh të kalonin dy muaj lufte shkatërruese në Ukrainë dhe hapash të pavendosur që, më 20 prill 2022, të dëgjohej më qartë zëri i Kryetarit të Këshillit të Europës gjatë një vizite në Kiev, se “Europa e do fitoren e Ukrainës në përballjen me agresionin rus dhe do të ndihmojë që Ukraina ta arrijë këtë fitore”. Pas këtyre fjalëve Putini nuk e pranoi atë të shkonte për bisedime në Moskë.
Tani ka dalë e saktë përshtypja dhe vlerësimet se shumë vende anëtarë të BE-së e të NATO-s më tepër u kujdesën të ruanin parametrat e vendosur gjatë disa dekadash në marrëdhëniet me Rusinë dhe të mos e ngacmonin atë tej një kufiri të caktuar e të pranuar në heshtje, të mos ushtronin trysni të vërtetë për të ndalur vazhdimin e agresionit. Europa Perëndimore u gjend në pozitat më të ndërlikuara se vendet nga rajone të tjera të botës, sepse nuk mund ta ketë luksin e një fuqie të madhe demografike e ekonomike në rritje, si Kina apo India, që të vështrojë nga larg e të hyjë në lojë vetëm për të përfituar nga afër në katrahurën europiane. Europa nuk u shpreh dot shpejt si Amerika dhe Anglia, që e gjetën qysh në fillim guximin dhe qartësinë e vlerësimit të situatës për të vepruar me vendosmëri në mbështetje të Ukrainës. Vendet e Europës Perëndimore nuk mund t’i nënshtroheshin as arsyetimit nëse e shihnin apo jo pozitën e tyre pa rrugëdalje nga kontakti i drejtpërdrejtë gjeografik me Ukraninën për t’u vënë pa vonesë në mbështetje të saj. Prandaj, këto vende parapëlqyen më shumë taktikat zvarritëse dhe, madje, kaluan në gërricje midis tyre. Natyrisht, vendet perëndimore të BE-së e NATO-s, për prestigjin dhe për domosdoshmërinë e rolit të tyre në skenën ndërkombëtare nuk mund të bënin dredhi si Hungaria e Serbia, me argumentin se e dikton mbrojtja e interesit kombëtar të mos bashkohen me fushatën e sanksioneve kundër Rusisë.
Prandaj fillimisht vendeve kryesore të Europës Perëndimore, sidomos Gjermanisë, Francës e Italisë, u pëlqeu më shumë qëndrimi i dyzuar: shprehje e solidariteti parimor ose racional ndaj Ukrainës, vetëpërmbajtje racionale e pragmatiste në reagimet ndaj Rusisë, për të mos prishur pa riparim urat e ndërtuara deri tani të bashkëpunimit dhe me shpresën e një “paqeje të shpejtë” për të dalë gradualisht nga gjendja e ndërlikuar ku u gjendën. Europa ka vite që e ka ndjerë më shumë se të gjithë vendet e tjera demokratike vartësinë e dyfishtë nga dy krahët e saj, nga bashkëpunimi me Rusinë në fushën ekonomike (furnizimi me lëndë të para energjetike etj.) dhe nga SHBA-ja në fushën e mbrojtjes ushtarake. Vartësive të tilla nuk u jep dot fund shpejt edhe sikur të marrësh një vendim të menjëhershëm në kahjen më të pastër sovraniste. Por, vendet e BE-së e NATO-s kanë dhënë shenja se kanë perceptime të ndryshme për shumë çështje, duke përfshirë edhe qëndrimet ndaj luftës në Ukrainë. Prandaj po profilohen e kristalizohen grupime më të ngushta me qasje të veçanta në disa raste.
Lufta në Ukrainë nxori, gjithashtu, në dukje se politikat e shteteve të Europës Perëndimore në drejtim të Ukrainës janë pengje dyvartësish edhe brenda territoreve të tyre. Këto dallime kohëve të fundit i kemi vënë re sidomos në Itali, Gjermani, Francë, ku pushtetarët e politikanët asnjëherë nuk kanë qenë krejt të qartë e në unison në vlerësimet e qëndrimet e tyre, ashtu siç janë presidenti dhe administrata amerikane, për problemin e mprehtë të Ukrainës. Pushtetarët e politikanët perëndimorë ndeshen me një opinion të gjerë e të larmishëm publik, akademik e propagandistik, shpesh negativist ose kundërshtues, ndaj qëndrimeve që qeveritë, për “Reason d’Etat”, janë të detyruara të mbajnë ndaj problemit të Ukrainës. Tre nga kandidatët kryesorë (të majtë e të djathë) në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë prej kohësh janë cilësuar si të ndikuar shumë nga Rusia e Putini. Edhe gjatë debatit përfundimtar midis kandidatëve të raundit të dytë, më 21 prill 2022, u shkëmbyen replika të forta midis Makronit e Le Penit se cili prej tyre po bën më shumë lojën e Rusisë në Francë.
Në librin e Nicolas Henin “La France Russe” (2016) ka të dhëna e analiza që dëshmojnë se viruset e politikës putiniste i kanë infektuar të gjitha indet politike, akademike, kulturore, ushtarake, propagandistike e shoqërinë civile në Francë. Atje ka të dhëna se këto infeksione janë përhapur dhe në Gjermani, ku nga burime të tjera përmenden deri emra pushtetarësh të nivelit më të lartë të kohëve të ndryshme si favorizues të marrëdhënieve të ndërvartësisë paralizuese të Gjermanisë nga Rusia. Presidenti i Ukrainës, me motivime të tilla, e refuzoi vizitën solidarizuese që deshi ta bënte në Kiev presidenti i tanishëm i Gjermanisë dhe ka shprehur pakënaqësi edhe për ngurrimin e qeverisë gjermane për t’iu përgjigjur në kohë disa kërkesave ukrainase për armatime. Në Itali është përgojuar një ish-kryeministër i viteve të fundit se ka pasur sjellje pro-putiniane. Por, kryeministri i sotëm italian dhe, pas tij, presidenti i vendit e kanë qartësuar se Italia, si shtet, nuk mund të ketë qëndrime dykuptimëshe në lidhje me përkrahjen ndaj Ukrainës, pasi ky është vend që ka pësuar një agresion të jashtëm dhe po lufton kundër një agresori të fuqishëm.
Ndërkaq në opinionin publik në Itali çdo ditë bëhen beteja të pandërprera me fjalë pro e kundër qëndresës ukrainase. Në plot raste kemi dëgjuar mendime skandaloze (sidomos nga të quajturit pacifistë), që praktikisht marrin në mbrojtje agresionin rus dhe fajësojnë qëndresën heroike të ukrainasve, të cilëve u kërkojnë të bëjnë vetëm një gjë: të pranojnë kapitullimin para agresionit rus, që të “rikthehet paqja” e të mos ketë luftë të përgjithshme, që Perëndimi të mos jetë më i detyruar të ndjekë rrugën e sanksioneve se këto ulin nivelin e jetesës edhe atje ku nuk bëhet luftë. Kështu politikat në vendet demokratike perëndimore janë në një vartësi dëmprurëse të brendshme për sa i përket mbështetjes së Ukrainës.
Ndonëse në ditët e para të “operacioneve speciale” ruse u ngritën valë të fuqishme zemërimi në mbarë Europën Perëndimore dhe u krijua një atmosferë e re kundërshtimi ndaj politikës pushtuese të Rusisë, Europa i dha shenjat se do të vuante sërish nga dukuria që shfaqi gjatë pandemisë së “COVID-19”, kur bashkërendimi i veprimeve e masave që duheshin marrë u dobësuan nga nxjerrja në krye e interesave partikulariste të shteteve të veçantë, nga çoroditjet e thella ideore e shpirtërore të njerëzve, që janë mbjellë e kultivuar në botën demokratike perëndimore gjatë disa dekada suksesesh ekonomike e politike pas Luftës së Dytë Botërore. Më me dhimbje këtë atmosferë e kanë kuptuar e ndjerë presidenti dhe pushtetarët ukrainas, që e kanë qortuar dhe publikisht përshkallëzimin përtac të fushatës së sanksioneve ekonomike-financiare perëndimore ndaj Rusisë dhe ngadalësinë e furnizimeve të Ukrainës me armë të rënda e moderne perëndimore.
Rusia di t’i shfrytëzojë të gjitha këto rrethana për synimet e saj dhe demagogjinë e saj, sepse, siç venë në dukje vëzhgues të shumtë perëndimorë, Rusia e ka studiuar dhe e njeh Perëndimin shumë më mirë se Perëndimi Rusinë. Luftën agresive kundër Ukrainës Putini e pagëzoi me ironi e cinizëm si “operacion special” për të çrrënjosur “nazizmin”, sikur Europa të ishte ende në vitin 1945. Rusia tani kërcënon se modelin ukrainas të diplomacisë së saj të armatosur mund ta përdorë edhe kundër shteteve të tjerë, sikur këto të ishin vasalë të saj. “Doktrinën Brezhnjev” të vitit 1968, mbi “sovranitetin e kufizuar” të vendeve socialiste, Putini kërkon ta shtrijë edhe mbi vende si Suedia e Finlanda në rast se këto afrohen me NATO-n. Putini vazhdon të mashtrojë shtetasit e tij dhe opinionin publik europian e botëror se nuk i kishte mbetur zgjedhje tjetër, përpos përdorimit të armëve në shkallë të gjerë (sipas konceptit famëkeq të “war of no choice”).
Kjo demagogji deri tani e ka dhënë efektin e vet të keq për ta bërë opinionin publik në Rusi të pandjeshëm ndaj padrejtësisë e tmerreve të kësaj lufte. Ishte shumë domethënëse shprehja sarkastike e peshkopit katolik të Odesës, ditën e Pashkëve më 17 prill 2022, se: “N nuk po përballemi thjesht me Putinin, por me 140 milionë putinë të Rusisë, që shkojnë pas tij”. Bashkëpunëtori më i afërt i presidentit rus, Medvediev, e shtoi dozën e blofeve shantazhuese se do të jenë vendet e Europës që do të pësojnë të parët falimentim ekonomik për shkak të sanksioneve që ata i kanë vënë Rusisë. Propagandistët më të zellshëm të Putinit shpallin se Ukraina duhet të mbetet nën pushtimin rus me dekada, derisa të zhduket ndjesia se ka ekzistuar e duhet të ekzistojë “identiteti Ukrainë si vend e si popull”. Është krejt i saktë vlerësimi i presidentit amerikan se Putini, përveç krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, duhet të bëhet përgjegjës edhe për krimin e gjenocidit, sepse ushtria ruse në Ukrainë po kryen realisht gjenocid në disa forma të njohura, si spastrimi etnik masiv, “urbicidi” (rrafshimi i qyteteve e vendbanimeve të shumta), “kulturocidi” (dëmtimi i monumenteve kulturore e të kujtesës historike) të Ukrainës. Presidenti amerikan kishte arsye të mjaftueshme për të propozuar që Rusia të shënohet në listën e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin ndërkombëtar.
Lufta në Ukrainë do të lërë pasoja të rënda e rreziqe të mëdha për Europën e botën. Ndër rajonet më të rrezikuar është Ballkani dhe sidomos kombi e shtetet shqiptarë. Nga Rusia në drejtim të shqiptarëve lëshohen vetëm fjalë fyese e mesazhe kërcënuese. Ministri i Jashtëm rus, Llavrov, këtë e ka bërë një ritual të tij diplomatik. Zëvendësi i Putinit në krye të strukturave pushtetore e partiake ruse, Medvediev, e kërcënoi Europën me fjalët se “refugjatët ukrainas që po pranon do të çojnë atje një kriminalitet edhe më të madh se ai në rastin e shqiptarëve”. Frymëzuesi politologjik i Putinit, Aleksandër Dugin është shprehur: “I kemi borxh Serbisë t’ia kthejmë Kosovën”. Dhe, “Rusia ballkanase”, Serbia, pasi dëgjon fjalë të tilla intensifikon provokimet ndaj shqiptarëve në Kosovë e shpall se më shumë i intereson miqësia me Rusinë se qëndrimet e BE-së e NATO-s për të ndihmuar Ukrainën. Serbia vazhdon të japë prova se çfarë mendjelehtësie është për shqiptarët të merren edhe më tej me projektin e “Ballkanit të hapur” apo çfarë paradoksi është që diplomacia gjermane të përpiqet ta ringjallë “Nismën e Berlinit”!
Kur na shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në këtë gjendje, duhet dhënë një përgjigje fare e thjeshtë: duhet të dëshmojnë më shumë dinjitet në paraqitjen e problemeve të tyre para botës, të tregojnë më shumë seriozitet në vlerësimin e zhvillimeve në botë para qytetarëve të tyre dhe të mos vërdallisen më tej kuturu në një mjegull iluzionesh se të gjitha punët e hallet do t’ua rregullojnë të tjerët. Pozita e Shqipërisë është e përcaktuar qartë si anëtare e NATO-s, por shqiptarët duhet t’i forcojnë e përparojnë vetë dy shtetet shqiptarë, të ardhmen e kombit shqiptar duhet ta projektojnë në radhë të parë vetë shqiptarët.
Nga ngjarjet në Ukrainë shqiptarët kanë për të mësuar shumë gjëra dhe për të përvetësuar frymë atdhetare. Kur ish-presidentes së Ukrainës, Julia Timoshenko, gjatë një interviste ia kujtuan se me presidentin Zelenski kanë qenë rivalë të ashpër në garën për pushtet, ajo u përgjigj: “Që kur në truallin e Ukrainës ra raketa e parë ruse këtu nuk ka më pushtetarë e opozitarë, ka vetëm një zemër, një skuadër dhe jam tërësisht në mbështetje të Zelenskit”. Edhe ish-presidentë të tjerë të Ukrainës kanë mbajtur këtë qëndrim (me përjashtim të Janukoviçit të dëbuar nga demonstratat në Maidan në vitin 2014, që edhe tani predikoi kapitullimin e Ukrainës para Rusisë). Por, nga politikanët e pushtetarët e Shqipërisë të 30 vjetëve të demokracisë nuk duhet pritur që të arrijnë deri tek filozofia politike kombëtare e Timoshenkos. Prandaj Shqipërisë e shqiptarëve u duhet politikë e re kombëtariste dhe politikanë e pushtetarë të rinj atdhetarë. Për fat të keq, në këto kohë të vështira politika dhe diplomacia e Shqipërisë mbeten në nivelin e më të trullosurve në Europë.