Ministrat e Punëve të Jashtme të Ligës Arabe u mblodhën të martën me agjendë të jashtëzakonshme në kryeqytetin Kajro të Egjiptit pas deklaratës së Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, se do t’i aneksojë vendit të tij Luginën e Jordanit.
Në komunikatën e shkruar që u publikua pas takimit, deklarata e Netanyahut u dënua me forcë duke u vlerësuar si një zhvillim shumë i rrezikshëm.
Pasi theksohet se kjo qasje do të reduktojë një shans të mundshëm përparimi dhe shkatërrojë të gjitha themelet në procesin e paqes, në komunikatën e Ligës Arabe vihet në pah se do të ndiqen deri në fund këto deklarata agresive të Izraelit dhe se do të bëhen përpjekje që të merren të gjitha masat ligjore të nevojshme për t’iu kundërvënë politikës së njëanshme në fjalë.
“Këto premtime janë të papërgjegjshme, të jashtëligjshme dhe të rrezikshme”, shton komunikata dhe potencon se përgjegjëse për pasojat dhe pasqyrimet e tyre është dhe do të jetë qeveria izraelite.
Netanyahu pretendoi gjatë një konference për shtyp të martën se plani që është hartuar nga Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që cilësohet si “Marrëveshja e Shekullit”, është “një shans unik” për “t’i aneksuar Izraelit” njësitë e jashtëligjshme çifute të banimit në Bregun Perëndimor.
Ai premtoi gjithashtu se në rast të rizgjedhjes së tij në krye të qeverisë izraelite, brenda një kohe të shkurtër dhe në koordinim me administratën amerikane do të aneksojë edhe Luginën e Jordanit, territor në Bregun Perëndimor të pushtuar./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post