Regrutimi i agjenturës është një prej objektivave kryesorë të të gjitha shërbimeve inteligjente të botës. Shërbimi inteligjent pa agjenturë është portal i thjeshtë. Me një falë: ajo që i jep shpirt një shërbimi inteligjent është agjentura apo spiunët në kampin kundërshtar.
Shkruan: Fadil Kajtazi
Rekrutimi i spiunëve është art në vete, meqë synohet që spiuni të rekrutohet në rangje sa më të larta të strukturave shtetërore të kundërshtarit. Kjo duket absurde, por gjatë historisë ka shembuj që regrutimi ka arritur deri në nivele kryeministrash. Halili, kryeministri (kryeveziri) i kohës së Sulltan Mehmetit, ishte rekrutuar nga shërbimi inteligjent bizantin dhe për shkak të rrethanave të pafavorshme të Bizantit ai gjatë gjithë kohës ka sabotuar planet mësymëse të Mehmetit, duke mbajtur gjendjen status quos me Bizantin. Kundërzbulimi osman i kishte rënë në gjurmë dhe kishte dokumentuar këmbimin e “postës” me një “postier” të shërbimit bizantin, të kamufluar në tregtar të peshkut. Menjëherë pas pushtimit të Kostandinopojën, Mehmeti jep urdhrin për ekzekutimin e Halilit.
Se cila në të vërtetë është vlera e një spiuni në kampin kundërshtar këtë e përshkruan Sun Xu që në shekullin IV p.e.s. kur thotë: “Sovranët e kulturuar dhe strategët e urtë veprojnë dhe fitojnë, kryejnë heroizmat që ua kalojnë të gjithëve, sepse gjithçka e kanë ditur që më parë … njohja e gjendjes së kundërshtarit mund të realizohet vetëm më anë të njerëzve … kjo bëhet vetëm me përdorimin e spiunëve”.
Tërheqja në bashkëpunim e spiunëve (bashkëpunëtorëve, agjentëve, informatorëve) është metodologji standarde e cila bëhet në baza patriotike-ideologjike, për përfitime materiale e morale dhe tërheqje e dhunshme-detyrueshme.
Të shtetet që kanë në konsideratë ligjet dhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, metoda e rekrutimit me dhune është më e vështirë, pasi e vetmja mënyrë për ta rekrutuar një spiun në këtë formë mbetet sigurimi i materialit komprometues përmes të cilit i bëhet presion personit (subjektit në këtë rast) të zgjedhur. Kjo gjithherë nuk ka sukses dhe është rrugë e mundimshme dhe e gjatë.
Te shtetet totalitare dhe te demokracitë e reja ku respektimi i të drejtave të njeriut nuk ka ndonjë nivel, regrutimi i dhunshëm në bashkëpunim është njëra prej metodave të aplikuara në mënyrë masive. Shteti jugosllav dhe serb, këtë metodë e ka aplikuar që nga instalimi i tij në hapësirat shqiptare me 1912. Në shtetin e Sllobodan Millosheviqit, shërbimi i tyre inteligjent RDB dhe ai ushtarak SSBVJ, kanë pasur të gjitha kapacitetet për ta bërë këtë punë, ku rekrutimi me detyrim në burgje është njëra prej metodave që lehtëson punën me “subjektin”.
Situata në burg krijon mundësi të ndikimit psikologjik që personi i zgjedhur ta pranoj ofertën. Mbajtja në izolim – në kushtet çfarë kanë qenë në burgjet jugosllave e serbe – te një pjesë e njerëzve ka krijuar gjendje tjetër psikologjike. Në kushtet ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, shërbimi inteligjent, së bashku me autoritetet e burgut, te i burgosuri krijon rrethana që ai të ketë nevoja ushqimore, të higjienës, të sigurisë, seksuale, të mbrojtjes nga dhuna fizike etj. Kështu, ai shtron ankesat para autoriteteve të burgut dhe ata, në këmbim të përmirësimit të jetës së tij, e japin ofertën e bashkëpunimit.
Natyrisht se oferta nuk i bëhet gjithsecilit; së pari sigurohet një rrethanë komprometuese gjatë jetës civile të të burgosurit që dëmton personalitetin e tij (aferë seksuale, të korrupsionit, të konsumimit të narkotikëve, të falsifikimit etj.). Pastaj, personi i zgjedhur duhet të posedojë kualitete për shfrytëzim në perspektivë në jetën civile, të angazhimeve publike.
Shërbimi, me qëllim të mbulimit të këtij aktiviteti, ofertën për bashkëpunim e bën në mënyrë të reduktuar; e bën vetëm te ata persona për të cilët ka elemente bindëse se do ta pranojnë bashkëpunimin. Në anën tjetër, marrja në pyetje fillimisht realizohet duke e vendosur personin në vetmi, nën pretekstin e ndëshkimit, duke e izoluar nga të burgosurit e tjerë me qëllim që ata të mos vërejnë kontaktet e tij me shërbimin dhe për të krijuar idenë se ai po ndëshkohet (ndërkohë që ai mundë të jetë në një objekt me kushte ideale të jetesës, ku monitorohet fshehtas në mënyrë fonovizive). Nëse personi gjatë kësaj kohe pranon bashkëpunimin, pastaj dërgohet në dhomat kolektive të burgut dhe nga aty merret në pyetje për të simuluar dhunën ndaj tij, për t’u dukur si njeri i rëndësishëm dhe i rezistueshëm.
Kjo është metodologjia e aplikuar, por e cila çdo herë nuk ka sukses. Kam parë dokumentacionin e një të burgosuri nga Anamorava (M.A), i cili ka qenë i burgosur në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, si djalë i ri, dhe ekipi special i rekrutimit i SDB-së ka punuar me muaj për ta rekrutuar e në fund nuk ia doli. Ai është dënuar me burg të rendë (nëntë vjet nëse nuk gaboi). Po ashtu, në kuadër të punës sime, në vitet e nëntëdhjeta kam kontaktuar një oficer të ish-KOS-it nga Bosnja, i cili më ka treguar se sa ka punuar në KOS në vitet e tetëdhjeta, ka “punuar” për muaj të tërë me një ushtar nga Ferizaj i cili shërbente në Mostar. “Pas një pune të lodhshme me të, kur prisja që ai të pranonte bashkëpunimin, më tha: Kosova Republikë dhe u dënua me tetë vjet burg”. Pra, jo çdo herë kjo metodë funksionon, por në të shumtën e rasteve po. Ka pasë raste kur personi është dënuar me nëntë vjet. Gjatë mbajtjes së burgut ka pranuar bashkëpunimin dhe ka vazhduar edhe pas burgut.
Në anën tjetër, burgu, nga shërbimi inteligjent jugosllav është shfrytëzuar edhe për rritjen e gradave patriotike të personave të caktuar. Ata, pasi janë rekrutuar në jetën civile dhe janë infiltruar në ndonjë organizatë me rëndësi për shërbimin, pasi e kanë dekonspiruar organizatën, janë dërguar në burg ose i është dhënë mundësia që të ikën në Perëndim. Me këta që janë futur në burg është inskenuar tortura dhe persekutimi, pastaj, pas një kohe, ose është liruar në mungesë të fakteve ose është dënuar, mirëpo “për sjellje të mirë gjatë vuajtjes së dënimit” është amnistuar.
Pjesa e të “ikurve” janë stimuluar edhe me pagesë; p.sh. kur “iknin” për udhëtim, SDB-ja ju jepte edhe 500 marka me vete. Ata kanë qenë burim i informacioneve me rëndësi meqë e kanë fituar besimin te mërgimtarët, janë futur në organizata politike që kanë vepruar në Perëndim dhe përpos për informacion janë shfrytëzuar edhe për sabotim, propagandë e logjistikë.