Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me atë që deklaroi në Bruksel se do të ketë takim me opozitën për tu dakorduar rreth dialogut.
Tahiri tha se ende nuk kanë pranuar asnjë ftesë për takim nga Kurti. Ai shtoi se kryeministri nuk është serioz sa i përket këtij procesi.
“Mendoj se në rast se do ta kishte seriozisht koordinimin me opozitën do të duhej ta bënte para se të udhëtonte për në Bruksel. Kjo vizitë i ka shërbyer kryekëput dialogut. Një seancë parlamentare e tillë do të duhej të ndodhte paraprakisht. Kurti duhet ta bëjë të ditur agjendën e tij, platformën dhe cilat janë temat që Qeveria do ti prezantoj në Bruksel që do të diskutohen në takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-ve. Nuk po shohim një transparencë, një seriozitet dhe sinqeritet nga Kurti në këtë proces”, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se vendi i vetëm ku duhet të ndodhin takime të tilla dhe diskutime është Kuvendi, janë seancat parlamentare dhe nuk mendoj që ka vend për takime të ngushta mes dy tre vetëve që ndodhin nëpër restorante.
Ai madje tha se është dëm i madh që kryeministri shkon në Bruksel për t’i mësuar punët e shtëpisë së tij.
“Ajo që kryeministri shkon në Bruksel mi mësu punët e shtëpisë tij, është dëmi më i madh që mund ti bëhet Kosovës. Me poshtëri shtëpinë deri në atë formë është e papranueshme”, tha Tahiri.