Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë pa vendosur parakushte.
Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.
Ai nuk është optimist për ndonjë rezultat të shpejtë në dialog, për shkak të pozicionit aktual të palëve. Madje, thotë se bazuar në situatën e tanishme, ekziston mundësia që dialogu të zgjasë pa fund, siç po ndodh në rastin e Qipros apo mes izraelitëve dhe palestinezëve.
“Pyetja është nëse do të ketë dialog. Mendoj se ka presion në (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin dhe në Serbinë që të rifillojnë negociatat. Mendoj se ka mundësi që të mbahen prapë, por nuk jam shumë optimist për rezultatin që mund të prodhojnë. Në fakt, Kurti ka ulur nivelin e pritjes, pasi ka sugjeruar se nuk është realiste të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve. Mendoj se ky është një drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore”.
Caplan është përgjigjur edhe në atë se kryeministri Kurti insiston në disa principe që duhet përmbushur në mënyrë që të vazhdojë dialogu, ndër të cilat është edhe kërkimfalja nga Serbia dhe njohja e Kosovës.
“Duke e ditur pozicionin e Kurtit dhe të partisë së tij, unë nuk jam i befasuar me këto parime. Ai iu thotë parime, por në të vërtetë ato janë parakushte. Unë mendoj se ju duhet të shkoni në dialog pa parakushte. Mendoj se është e rëndësishme që të fillohet, të ketë bisedime dhe dialog. Këto parakushte nuk do të plotësohen nga ana e Serbisë, pasi ky vend nuk do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka kërkuar Kurti”, thotë Caplan.
Se cilat janë pasojat për të dyja vendet nëse nuk angazhohen në dialog, ai tha se është ngecje dhe mendoj se kjo situatë mund të zgjasë pafund.
“Ju keni shembuj të situatave të tilla, për shembull negociatat në Qipro mes qipriotëve turq dhe atyre grekë. Negociatat e tyre po zgjasin me dekada. Pastaj, negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat gjithashtu po zgjasin me dekada. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe ky dialog (Kosovë-Serbi) të zgjasë pafundësisht në të ardhmen.
Megjithatë, mendoj se dallimi në këtë rast është se do të ketë shumë presion ndaj palëve që të shënojnë përparim. Një aspekt për të cilin të gjithë shpresojnë se mund të bëjë dallimin është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kushti ndaj saj që të normalizojë marrëdhënien me Kosovën. Kjo mund të ishte një pikë kthese. Por, për momentin kur shikoj të ardhmen, nuk jam shumë optimist”
Ai tha se do të ketë shumë presion ndaj Kurtit të tërhiqet nga kushtet sepse këto janë kushte të reja, nuk janë vënë më parë nga liderët e Kosovës për të zhvilluar dialogun me Serbinë. “Pra, po mendoj se do të ketë presion ndaj Kurtit nga ana e Bashkimit Evropian dhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden që të vazhdojë dialogun pa parakushte”.
Caplan ka folur edhe rreth asaj se administrata e re amerikane ka treguar sinjale të një bashkëpunimi më të afërt me Bashkimin Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
“Unë mendoj se koordinimi më i mirë do të jetë rezultat i këtij bashkëpunimi. Nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm ndërmjet administratës së ish-presidentit, Donald Trump dhe Bashkimit Evropian. Në disa aspekte administrata e Trumpit ka vepruar njëanshëm – por jo kundër – objektivave dhe qëllimeve të Bashkimit Evropian.