Pas letrës së presidentit turk, Recep Tayip Erdogan dërguar kryeministrit Albin Kurti rreth shqetësimeve të tij për vendosjen e Ambasadës në Jeruzalem, u shtuan zërat se Partia Demokratike Turke e Kosovës, mund ta kushtëzojë votimin e Vjosa Osmanit për presidente.
Mirëpo nga KDTP kanë mohuar se do ta kushtëzojë votimin e Vjosa Osmanit për presidente më çështjen e rishikimit të ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.
Kështu ka thënë për lajmi.net, deputeti i kësaj partie, Fikrim Damka.
“Nuk do të kemi asnjë kushtëzim për votën e presidentit”, ka thënë shkurt Damka për lajmi.net.
Ndërkohë, javën e kaluar, presidenti turk, Recep Tayip Erdogan i ka dërguar letër kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, ku ndër të tjera ia ka përmendur edhe çështjen e ambasadës në Jeruzalem.
Ai i është drejtuar shefit të qeverisë së Kosovës duke i thënë se e di që është i shqetësuar në lidhje me vendosjen e ambasadës në Jeruzalem , duke i kërkuar që ta rishikojë këtë vendim.
Në letrën e tij, Erdogan ka përmendur edhe përfshirjen e Partisë Demokratike Turke të Kosovës në Qeverinë Kurti, për të cilën ka thënë se e konsideron si një tregues që Kurti do t’i kushtojë vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk në Kosovë.
Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vendosur të marrë pjesë në procesin zgjedhor për një president të ri. Derisa Partia Demokratike e Kosovës janë nuk do të marrin pjesë në votimin e Vjosa Osmanit presidente.
Kurse kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një konference për media ka thënë sot se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket çështjes së presidentit. Ai ka thënë se nuk kanë marrë ftesë nga kryeministri Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani për një marrëveshje politike për të votuar presidenten.