“Për pikë të qejfit”. Kështu u përgjigj Xhavit Haliti, kur u pyet pse e votoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit. Për shumë kë, vota pro e Xhavitit ishte e befasishme, duke ditur se PDK ka marr vendim që mos të votojë as kryetarin e Kuvendit, as kryeministrin dhe as presidentin e vendit.
Shkruan: Faton Mehmeti
U shtruan shumë dilema pse Xhavit Haliti votoi pro, derisa vet protagonisti dha një shpjegim fëmijëror “për pikë të qejfit”. Epo, për pikë të qejfit këta e kanë “hëngër” edhe Kosovën tani e 20 vjet pas lufte. Kanë zhvatur, s’kanë lënë gjëmë pa i bërë këtij vendi, që lëngon nga dhimbjet, nga zhvatja, nga hajnia e tipit të Xhavitit, që nuk ka asnjë përgjegjësi për votuesit.
Nuk e kanë as ndjeshmërinë, obligimin sado moral ndaj atyre votuesve që i kanë dhënë votën për të përfaqësuar interesat, kërkesat e tyre, e të cilat nuk janë të qejfit, besoj. Eh, pikërisht se asnjëherë nuk e përfillën vullnetin e qytetarëve duke e keqpërdorur atë për “pikë të qejfit” sot kanë arritur këtu ku janë, në opozitë, në të cilën duhet të mësohen të rrinë gjatë. Kurrkush nuk rri në opozitë për “pikë të qejfit”, veç prej zorit dhe pamundësisë për të qenë në qeveri. Njerëzit e papërgjegjshëm e shohin pushtetin si qejf, si luks për t’i arritur qëllimet e tyre, babëzitë e tyre, grykësitë e tyre të sëmura për pushtet dhe famë. E të tillët, që janë soji i Xhavit Halitit, e kanë sjellë gjendjen e qytetarëve të vendit në mjerimin më të madh të mundshëm. Kur e dëgjon njeriu në opozitë Xhavitin, duke bërë deklarata të tilla e kupton më së miri se kush ka qeverisur me këtë vend, e kush ka qenë në pushtet, tanimë shumë se kurrë e kuptojmë rëndësinë e dështimit të PDK .
Njerëz të papërgjegjshëm, që nuk e dinë pse janë në kuvend, çfarë përfaqësojnë dhe as kë e përfaqësojnë, janë të shumtë fatkeqësisht. Ka plot Xhavita, jo vetëm në PDK, në të gjitha partitë politike, e të cilët pushtetin e shohin vetëm si mjet për rehatinë e tyre personale, për të bërë qejfe. Eh, mjerë Kosova çfarë ka brenda kuvendit. Në çdo vend të botës ka njerëz të papërgjegjshëm, por atyre nuk iu mundësohet që të zgjidhen deputet, vetëm këtu ndodh që soji i Xhavitit bëhet deputet.
Derisa Xhaviti me jarana e kanë hëngër Kosovën që 20 vjet, ne qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, jo prej qejfit i kemi ndëshkuar me votë. Ju kemi ndëshkuar për zhvatje, hajninë, monopolin e të gjitha të këqijat që ia keni bërë këtij vendit. Derisa Xhaviti bënte jetë qejfi nëpër hotele të shtrenjta, ne duhej zgjuar herët, për të punuar tërë ditën për një kafshatë bukë. Si qytetar, por edhe si gazetar i Kosovës ndjehem i turpëruar që Xhavit Haliti është deputet i Kuvendit të shtetit tim. Më ngushëllon fakti se nuk janë në pushtet, besa edhe ndonjë ditë s’do jenë më as deputet, “për pikë të qejfit”.