Ish-deputeti i Nismës, Zafir Berisha ka përkrahur zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ai vie nga një familje që meriton respekt, mirëpo ka kritikuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, duke thënë se ai ka terrorizuar vendin duke legalizuar ardhjen në krye të Qeverisë me dhunë.
Berisha në një lidhje direkte në Frontal në T7 me Arsim Lanin, është shprehur skeptik për funksionimin e Qeverisë së re.
“Unë mendoj që Glauku është njeri i vetëm aty që e ka një simbolik të vazhdimësisë politike që nga paralufta, mendoj që edhe vota e Xhavit Halitit ka një domethënie. Glauku rrjedh nga një familje që meriton një respekt. Por nuk mundem me pas mendimin si të Glaukut për Albinin, ai e ka terrorizuar Kosovën dhe e ka legalizuar ardhjen në pushtet përmes dhunës. Kam shumë skepticizëm që këto institucione do të kenë rrjedh normale”, ka deklaruar ai.
Berisha ka krahasuar motin e sotëm me Qeverinë e re, duke thënë se rrugët sot janë të bllokuara, ashtu si pret të jetë legjislatura e re.
Unë si qytetarë dhe person i jetës publike kam të drejtën të dyshojë në sukseset e institucioneve dhe zgjidhjeve të problemeve që ka Kosova përpara. Edhe moti po tregon se është kohë e vështirë e me bllokime të rrugëve, ashtu si e presin edhe këtë legjislaturë dhe institucionet tjera”, ka shtuar ai.