Nuk është nder për Kosovën të jetë shteti i parë me shumicë myslimane që e hap Ambasadën në Jerusalem.
Shkruan: Oraib Rantawi
E dimë se vendimi u mor në kohën e Trumpit dhe nën presion të administratës së tij për disa zotime me Serbinë, me çka Kosova deshi t’i japë fund “mohimit” serb të ekzistencës së saj si shtet i ri. Po ashtu, e dimë se nga lufta e fundit në Ballkan, Washingtoni ka influencë të madhe në këtë shtet që nuk krahasohet me asnjë influencë tjetër evropiane, turke ose arabe.
Është një dëshpërim politik që u shpreh me reagimet palestineze, jordaneze e arabe, në kohën kur flitet për një iniciativë turke-evropiane që ta shtyjnë kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti, për ta ndryshuar vendimin. Mirëpo, mendoj se tani është vonë, ambasada tani u hap dhe vështirë që Kosova të veprojë si Paraguai, pra ta kthejë Ambasadën në Tel Aviv, pasi që e hapi në Jerusalem.
Në shkurt të 2008-s, Kosova e shpalli pavarësinë prej Serbisë, e në korrik të po atij viti organizuam ne (Qendra al-Kuds për studimet politike), bashkë me partnerët tanë kosovarë një konferencë rajonale në Aman, për ta përshëndetur shtetin e ri e për t’i nxitur shtetet arabe që ta njohin Kosovën. Atëherë, në këtë konferencë morën pjesë personalitete politike, parlamentare e akademike me peshë prej Jordanisë, Palestinës, Irakut, Egjiptit e Libanit, të cilët diskutuan të dhënat, vlerësimet dhe analizat për atë se ç’mund të bëjmë për shtetin e ri.
Pas katër muajsh u nisa nga Amani për një konferencë tjetër në Prishtinë me deputetë jordanezë, palestinezë, irakianë e egjiptianë, për të njëjtin qëllim. Atje u takuam me presidentin, kryeministrin e ministrin e Punëve të Jashtme, ku pjesëmarrësit arabë shprehën solidaritetin ndaj shtetit mik dhe gatishmërinë që të bëjnë ç’është e mundur për ta përshpejtuar njohjen nga shtetet arabe.
Pasi që u krye konferenca në Prishtinë, Muhamed Mufaku më shoqëroi deri në Tiranë për një takim me kryeministrin e fortë atëherë, Sali Berisha. Po ashtu, takuam atje figura politike e akademike dhe të gjitha bisedat u përqendruam rreth njohjes së shtetit të ri.
Më t’u kthyer në Aman u angazhuam me ardhjen e çdo delegacioni kosovar atje, duke e pritur atë në qendrën tonë e duke i krijuar mundësi që të takohet me personalitete politike e intelektuale për ta prezantuar kauzën e vendit, e për të kërkuar aspekte të mundshme për bashkëpunim.
Padyshim, arabët nuk vepruan krejt njësoj, qoftë për shkak të Moskës, qoftë për shkak që nuk e morën seriozisht, ose për shkak të Serbisë. Sepse nga Serbia niseshin dërgesa të paligjshme të armeve për vendet në konflikt dhe atje është vendi për pastrimin e parave. Po ashtu, Serbia paraqiste vetën trashëgimtare të Jugosllavisë.
Kur disa arabë vendosën ta ndihmojnë Kosovën gjatë luftërave të Ballkanit, dërguan atje xhihadistët selefistë – që e prishin vendin – dhe gati e nxorën “Islamin evropian” prej binarëve të modernitetit, të kohës dhe shpirtit të Kopenhagenit me kriteret e tij. Më kujtohet se myftiu i moderuar i Kosovës m’u ankua shumë atëherë prej atyre që duan ta kthejnë Kosovën në kohën e errët.
Tani, sidoqoftë, kjo kaloi. Kosova ka mundur të jetë “më e matur” në marrëdhëniet e saj me Izraelin, pra të mos kërkojmë prej saj më shumë nga ç’kërkojmë prej Jordanisë, Egjiptit, Emirateve Arabe dhe Bahrainit. Mirëpo, hapja e Ambasadës në Jerusalem dhe njohja e tij si kryeqytet të Izraelit është një shuplakë për të gjithë palestinezët, arabët dhe myslimanët, përveç atij aspektit “personal” të autorit të këtyre rreshtave.
(Autori është themelues dhe drejtor i qendrës al-Kuds për studimet politike në Aman, Jordani, prej vitit 2000, e cila është një tank-think aktiv, si dhe opinionist me jehonë që paraqitet rregullisht në gazetën jordaneze al-Dustur, ku u botua ky vështrim më 18 mars 2021)