Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi është pritur në ambasadën e Izraelit në Paris nga ambasadori Daniel Saada i ngarkuar me punë i shtetit të Izraelit në këtë shtet.
Gashi ka shkruar në Twitter se ka pasur një mikpritje të ngrohtë nga ambasadori Saada, me të cilin kanë diskutuar për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Një mirëseardhje e ngrohtë nga ambasadori Danie Saada, i ngarkuari me punë i Izraelit në Francë. Pata kënaqësinë të bisedoj më të, një ditë pas hapjes historike të ambasadës tonë në Jerusalem”, ka shkruar Gashi.
Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, të dielën, më 14 mars.
Ambsada e Kosovës në Jerusalem gjendet 500 metra larg Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael Ines Demiri, më 26 shkurt njoftoi përmes Tëitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Hapjen e Amasadës së Kosovës në Jerusalem e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.
Kundërshti kishte shprehur edhe Ambasada turke në Prishtinë si dhe Liga Arabe. Kjo e fundit, i kishte bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim, dhe t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.