Ka përfunduar takimi mes të parit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe sekretarin e kësaj partie, Uran Ismaili.
Hoxhaj pas përfundimit të takimit foli për mediat, duke thënë që PDK-ja i ka qëndrimet e qarta, ndërsa tregoi se çka kanë kërkuar nga Kurti.
“Temë kryesore ishte bashkëpunimi për temat e jashtme, ne kemi kërkuar nga Kurti dhe Osmani qartësi për qasjen e tyre me politikën e jashtme, meqë presidenti ka rol në përfaqësimin e Republikës, qeveria ka rol të madh në përfaqësimin e politikës së jashtme, prandaj edhe sjellja jonë në raport me krijimin e institucioneve, para se ta marrim vendimin në organet e PDK-së, varet prej 10 qëndrimeve që i kemi ngrit në takim”, tha Hoxhaj.
I pari i PDK-së zbuloi 10 qëndrimet e partisë së tij, që kërkuan qartësim edhe nga Kurti e Osmani në takim.
“Së pari, sa herë ka pas zgjedhje të qeverisë apo presidentit, ju e dini që institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është ushtruar dhunë tyre, në seancë duke hedh gazë dhe së fundmi kur e kemi zgjedh presidentin, është godit vet godina. Ne e kemi pyet Kurtin a distancohet nga kjo dhunë politike. Së dyti meqë dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve, Kurti dhe VV-ja kanë thënë se pa kërkuar falje dhe pa i gjetur të gjithë të pagjeturit nuk do të ulen në tavolinë me Serbinë. Së treti kanë pas qëndrim se do ta anulojnë Asocacionin e komunave serbe. Së katërti e kam ngrit si çështje demarkimin e kufijve me Malin e Zi, a do ta kthejë kufirin në Zhleb dhe Çakorr, një temë që është përdor për politikat e brendshme dhe ka qenë e jashtme. A e respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit në tërësi dhe në këtë drejtim cili është qëndrimi i tyre për mini-shengenin, që e kemi kundërshtuar ne dhe vet Kurti. Gjatë qeverisë Hoti është suspenduar politika e jashtme përmes moratoriumi duke hequr dorë nga anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, cili është qëndrimi i tyre. A do të vendosë qeveria e ardhshme reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kemi ngrit një listë të temave, sesi e shohim raportin tonë si opozitë në raport me institucionet që do të krijohen”, deklaroi Hoxhaj.