Edhe pse procesi zgjedhor i 14 shkurtit u pa si një nga proceset më të rregullta dhe demokratike të të gjitha zgjedhjeve të zhvilluara në vend, një gjë e tillë po del të mos jetë kësisoj.
Gjatë ditëve të fundit një publikim i video-incizimit ku dyshohet për manipulim të votave për kandidatët për deputet bëri që vëmendja të kthehet e gjitha sërish në procesin zgjedhor dhe në atë se kush në të vërtetë mori vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Publikimi i video-incizimit ku kuptohet manipulimi që u bë me votat për kandidaten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla bëri që të ketë edhe reagime nga më të ndryshmet.
Por nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë deklaruar se i kanë ofruar bashkëpunim Prokurorisë së Shtetit të Kosovës lidhur me dyshimet për manipulim të votave me rastin e Meliza Haradinaj-Stublla.
Në një përgjigje dhënë për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi se menjëherë pas transmetimit në media të këtij lajmi, Komisioni Qendror Zgjedhor ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme lidhur me hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit.
“Menjëherë pas transmetimit në media të lajmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit”, tha Elezi.
Ndryshe në videon e publikuar së fundi i kyçur në rast është bashkëshorti Meliza Haradinaj-Stublla, Dardan Stublla, i dyshuar për manipulim të votave.
Dyshohet se Stublla bleu me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve të tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe të njëjtat i kanë regjistruar në adresë të Haradinaj-Stubllas, për t’ia mundësuar asaj që të ketë dhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.
Pas këtyre publikimeve së fundi ka reaguar edhe vetë Dardan Stublla, i cili tha se ky rast është inskenuar dhe se tashmë rastin e ka publikuar në organet e rendit.
“Kjo video është komplet e inskenuar nga grupet kriminale që funksionojnë në shërbim të interesave të ngushta e personale, që kanë prapa persona të caktuar në përkrahje ‘të sapo aderuarve’ në listën për deputetë në AAK…”, tha Dardan Stublla.
E pas publikimeve të fundit pa reaguar nuk mbetën as kandidatët e partive të tjera që ishin pjesë e listave të zgjedhjeve nacionale të zhvilluara më 14 shkurt.
Lirije Kajtazi, Jetlir Zyberaj e Faton Bislimi janë vetëm disa prej emrave të cilët reaguan për këtë.
E ngjashëm veproi edhe ish-ministrja e Financave, njëherësh kandidate për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Bajrami theksoi se KQZ duhet të rinumërojë votat e zgjedhjeve të 14 shkurtit e madje këtë duhet ta bëjë në një lidhje direkte, përmes televizioneve nacionale.
Se çfarë saktësisht do të vendoset pas këtyre publikimeve lidhur me rinumërimin e mundshëm të votave, mbetet të shihet në veprimet e ardhshme nga organet përgjegjëse.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet përfundimtare ditën e enjte, e fitues nga këto zgjedhje doli të jetë Lëvizja Vetëvendosje që mori 49.95% të votave dhe kësisoj në Parlamentin e Kosovë do të ketë gjithsej 58 deputetë.