Ndotja e ambientit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që është duke ndodhur vazhdimisht, veçanërisht tymi i zi si një vullkan që ndodhi para dy ditësh në bllokun A3, është bërë i pa durueshëm për qytetarët, ambientalistët dhe drejtuesit e Komunës së Obiliqit.
Ambientalistët shprehen se veprimet e menaxhmentit të KEK-ut po krijojnë pasiguri dhe rrezikshmëri për shëndetin e banorëve të Obiliqit dhe të rrethinës.
Ambientalisti Daut Maloku thotë për KosovaPress, se djegia e naftës në sasi të mëdha nga KEK-u prej 50 tonë në orë është sasi e madhe dhe parqet pasoja për shëndetin e qytetareve dhe në agrokulturë.
Maloku deklaron se tmerri me ambientin që ndodhi të hënën paradite në KEK, tregon se institucionet e shtetit fatkeqësisht nuk janë duke i zbatuar ligjet në fuqi, teksa shton se për çudi nuk mbrohet ambienti me ligj.
Shqetësim për këto veprime të KEK-ut, kanë shprehur edhe drejtues të Komunës së Obilqit, ku kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi thotë për KosovaPress, se Korporata Energjetike e Kosovës është shndërruar në një vullkan për dëmtimin e shëndetit të qytetarëve në Obiliq dhe në komunat përreth.
Gashi shprehet se KEK-u dhe ministritë përkatëse nuk po e respektojnë Ligjin për Obiliqin sipas të cilit e përcakton mjaft mirë çështjen ambientale.
Derisa zyrtarë të KEK-ut me anë të një komunikate e kanë arsyetuar tymin e zi dhe e kanë quajtur si të zakontë, por nuk kanë pranuar të flasin për KosovaPress për të sqaruar më shumë rreth kësaj çështje dhe mos futjen e filtrave në përdorim.
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatimir Matoshi në lidhje me shqetësimet e ngritura për gjendjen e krijuar rreth zonës së Termocentralit “Kosova B” dhe tymit që del nga ky termocentral, ka kërkuar nga Inspektorati i Ministrisë që të bëjnë një vizitë inspektuese për të verifikuar gjendjen reale dhe sipas legjislacionit në fuqi të intervenojnë.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen jo të mirë të termocentralit Kosova B, dhe për këtë dhe kemi kërkuar vazhdimisht që të mos këtë vonesa në fillimin e projektit për ndërrimin e filtrave në këtë termocentral. Krahas kësaj MMPH është duke investuar në zonën përreth këtij termocentrali në projekte mjedisore që sado pak do të ndikojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, thotë Matoshi për KosovaPress me anë të një përgjigje elektronike.
Po ashtu, lidhur më këtë çështje ka reaguar edhe ministri në detyrë i MZHE-së, Valdrin Lluka, i cili shprehet të jetë i trishtuar nga pamjet që janë shfaqur të hënën në KEK.
“Menjëherë e kontaktova Drejtorin e Përgjithshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi, për të kuptuar arsyen e kësaj ndotje ambientale. Nga KEK kuptova që ky tym ndodhë për shkak të pastrimit të kazanit të bllokut A3 i cili për 4 muaj ka qenë në remont dhe tani, pas përfundimit të remontit dhe para fillimit të punës, duhet të bëhet pastrimi i cili zgjatë për 4 ditë me rreth 3 orë ne ditë. Është proces i pa shmangshëm për teknologjinë e vjetërsuar të këtij termocentrali. Ju lutem qytetarëve në rajonin e Obiliqit që gjatë kësaj kohe 3 orëshe kur fillon procesi, të kufizojnë daljet në ambiente të hapura”, shkruan Lluka.
Si ministër përgjegjës për sektorin energjetik, ai ka kërkuar ndjesë për këtë pamje dhe proces të nevojshëm.
Discussion about this post