Kosova dhe Izraeli nga nesër do të vendosin marrëdhënie diplomatike, duke hapur ambasada.
Shteti i Kosovës do të hap ambasadën e saj në Jerusalem, në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit që u nënshkrua në shtator të vitit të kaluar në Zyrën Ovale.
Në një artikull që ka publikuar mediumi i madh “The Jerusalem Post”, thuhet se Serbia kishte tentuar të bind Izraelin që të mos e njoh Kosovën.
“Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, edhe në këtë frymë një burim diplomatik Izraelit konfirmoi se Beogradi është i zhgënjyer me zhvillimet e fundit. Në shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç bënë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jerusalem, Serbia do të presë që Izraeli të mos e njohë Kosovën – megjithëse mund të mbajë marrëdhënie të një niveli më të ulët. Serbia mund të hapë ende një ambasadë në Jerusalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të ulen”, ka thënë ky burim në atë kohë, shkruhej në artikullin e “The Jerusalem Post”.
Marrëveshja e Uashingtonit cilësohet si historike dhe si hap gjigant për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.