Kryeministri në shkuarje, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK, partia prej nga vjen ai është favoriti kryesor për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme.
“Jemi favoriti kryesor, sepse e dini si e kemi gjetur vendin me sanksione ndërkombëtare, përfshirë mikun tonë më të madh [SHBA-në]. Kemi menaxhuar pandeminë. Kosova është në mesin e 3-4 vendeve që më së miri e ka menaxhuar pandeminë”, është shprehur Hoti, njofton Klan Kosova.
“Ne kemi hequr nga diskursi disa dukuri negative si korrupsioni, nepotizmi, jo duke folur para medieve, por me veprime konkrete”.
Hoti ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë duhet respektuar.
Ai ka shtuar se LDK tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e reja, ndërkaq ka thënë se me partitë tjera janë duke biseduar për votimin e buxhetit për vitin 2021 para se të shpërndahet Kuvendi.
“Kemi nis bisedat nga dje për ta kaluar buxhetin – përfshi edhe Vetëvendosjen. Është me rëndësi që të mos hymë në janar me buxhet të pamiratuar”.