Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur sot në një takim kryekomunarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin. Gjatë fjalës së tij para mediave, pak pas takimit me zyrtarin kosovar, Basha tha se shqiptarët duhet të jenë bashkë dhe të solidarizohen për atë çka po kalon Kosova në këto momente.
“Kam kenaqësi dhe nderin e veçantë që të mirëpresë kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Si qytetar nderi i Mitrovicës, dua t’i shpreh mirënjohje për vizitën e tij por dhe për mikpritjen e madhe që më bëri para disa muajsh gjatë vizitës time. Kemi folur për sfidat e mëdha me të cilat po përballet Kosova dhe domosdoshmërinë e një përgjigje të bashkuar në interesat e Shqipërisë e Kosovës. Solidarizim me Kosovën për përballjen e këtyre sfidave.”, pohoi Basha.
Ndërkohë, kreu i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri i doli në mbrojtje liderit të PD-së sa i takon akuzave që janë lakuar ndaj tij në lidhje me hetimet për UÇK-në gjatë luftës së Kosovës. Ai tha se Basha ka dhënë kontribut për Kosovën, ndërsa theksoi se ata do ta mbrojnë deri në fund nipin e tyre nga Mitrovica.
“Sot kam ardhur të vizitojë mikun tim dhe qytetarin tim. Pasi për punën dhe kontributin e kam shpallur qytetar nderi. Ndaj i bëj një apel të gjithëve krerëve të partive politike në Shqipëri e Kosovë që të bashkohen në një trup. Pasi kemi një tragjedi në Kosovë. Kosova është në një situatë të keqe dhe të brengosur. Pasi UÇK po trajtohet në Hagë padrejtësisht. Ndaj shpifjet më të ulta që do t’i bëjë dikush me qëllime të caktuara, nuk i takojnë Bashës, ndaj jemi këtu. Që të mbrojmë në emër të të gjithë shqiptarëve të Mitrovicës. Pasi e kemi nip dhe si i tillë ka dhënë kontribut të veçantë për Kosovën. Kontributi i tij nuk harrohet në Kosovë. Shpifjet e disa njerëzve, që s’dua t’ja përmend emrin, janë të ulëta, prej fundit”, -pohoi kryetari i Komunës së Mitrovicës.